Ballina Suplement Ekonomi Ekonomia shqiptare në ditët e saj të errëta

Ekonomia shqiptare në ditët e saj të errëta

Raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2020” e rendit Shqipërinë në vendin e 82-të për klimën e biznesit, Shqipëria humbet 19 vende nga një vit më parë. Ekonomia në buzë të greminës. Qeveria fsheh borxhin real dhe ndërmerr nisma që mund të çojnë vendin në katastrofë ekonomike me PPP-të, korrupsionin dhe nismat fiskale të paqëndrueshme.

Nga Sebi Alla

Ndërsa vëmendja është përqendruar në krizën e thellë politike, refuzimin për të marrë negociatat, çështjet e rendit, mungesën e institucioneve të drejtësisë dhe kontrollin e qeverisë mbi shumë pushtete, ekonomia është po aq keq, madje në pikën e saj më kritike. Sado në “periferi” të debatit të mbetet ky faktor i rëndësishëm, faktet tregojnë se jemi në një krizë të thellë ekonomike, që shfaqet si tregues edhe në shifra dhe çdo studim të mundshëm. Më i fundit është raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2020”. Vendi ynë u rendit i 82-ti në rang global, me një rënie 19 vende krahasuar me vitin 2019. Nga 10 indikatorët e marrë në studim nga Banka Botërore, konstatohet se përkeqësimin më të madh e shënoi në mbrojtjen e investimeve. Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit në vendin e 26-të për mbrojtjen e investimeve, ndërsa këtë vit u rendit në vendin e 111-të. Ky është indikatori më i rëndësishëm për investitorët e huaj. Për një vit, shihet se vendi ka rënë në renditje me 85 vende në raport me një vit më parë. Nga dhjetë kritere të marra në studim, nëntë prej tyre konsiderohen me probleme të theksuara, duke bërë që klima e biznesit në Shqipëri të jetë në “depresion”, ku mungon konkurrenca e ndershme, investime të huaja të qenësishme kanë të paktën pesë vite që mungojnë, ndërsa ka pasiguri të madhe dhe paqëndrueshmëri edhe në politikat fiskale dhe tatimore. Gjendja aktuale është mjaft e rëndë, por më e keqja pritet të ndodhë në vijim, ku dy burimet që ndikonin në rritjen ekonomike sot po shterojnë… Mungesa e reshjeve të shiut ka bërë që prodhimi i energjisë të bjerë ndjeshëm, duke ulur të ardhurat. Nga ana tjetër, projekti TAP është thuajse drejt përfundimit, çka nënkupton se vendi praktikisht ka hyrë në fazën e krizës së thellë ekonomike. Mbulimi i këtij problemi sot po shitet me propagandë në nxjerrjen në terren të inspektorëve tatimorë që shfaqen në spektakle televizive për bllokimin e bizneseve që nuk presin kuponët tatimorë. Të dhënat makro të ekonomisë janë në përkeqësim, çka është pranuar edhe nga Banka Botërore dhe FMN, në raportet më të fundit të saj.

Ekonomi që “fryhet” me propagandë

Në raport me gjashtëmujorin e fundit të një viti më parë rritja ekonomike ka shkuar drejt përgjysmimit, duke zbritur në rreth 2.2%. Banka Botërore deklaroi kohët e fundit se në afatin e mesëm, nuk pret një rritje më të lartë sesa 3.5%. E përkthyer në të ardhura apo trend pozitiv ekonomik, edhe kjo shifër është mjaft e ulët, për një vend të varfër si Shqipëria, e cila ka të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë. Më e keqja na pret në një të ardhme jo shumë të largët, ku me përfundimin e projektit të Gazsjellësit Tap, investimi më i madh ndonjëherë në vend, me vlerë 1.5 miliardë euro, ekonomia do tkurret edhe më shumë, në rrezik pragun e recensionit, çka për një vend si Shqipëria do të thoshte gati falimentin. Në dy muajt korrik-gusht, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me më shumë se 30% me bazë vjetore. E parë në pjesën propagandistike në Facebook, apo deklarata “bombastike” të qeverisë, vendi është në “kulmin e lulëzimit”, por e vërteta jo vetëm që nuk është kaq rozë sa paraqitet nga zyrtarët shtetërorë, por është në pikën e saj më të errët. Me rënien e prodhimit të energjisë dhe përfundimit të projektit TAP, ekonomia jonë do të pësojë tronditjen më të madhe, efektet e së cilës janë dhënë që në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ku nuk ka propagandë që mund ta mbulojë të vërtetën. Arsyet e kësaj rënieje nuk lidhen aspak me faktorë të jashtëm, por politikat e ndjekura nga qeveria. Kompanitë e mëdha ndërkombëtare jo vetëm nuk janë ofruar, por gjithnjë e më shumë po u vendoset një “mur i pakalueshëm”, duke favorizuar një grup të vogël biznesesh vendase. Gjithashtu thellimi i borxhit publik do të jetë edhe më i madh ku nga miliona euro të hedhura në disa koncesione kriza ekonomike është e garantuar. Edhe pse janë ndërmarrë disa nisma nga Banka e Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit në nivele minimale historike prej 1%, përsëri nuk shihen investime konkrete në vend. Nga ana tjetër, kreditimi edhe pse ka një përmirësim mbetet në nivele mjaft të ulëta, ku bankat hezitojnë për shkak të mungesës së projekteve fizibël dhe të qëndrueshme. E ndërsa pjesa e prodhimit dhe investimit është në nivelin kritik që krahasohet me vitet e “luftës” 1997-1998, janë në dështim edhe stimujt fiskalë. Ndonëse taksat u rritën vitet e fundit, kjo nuk duket se shërbeu për të rritur të ardhurat, që kanë ngecur në 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), më të ulëtat në rajon.

Qeveria fshehu 610 milionë euro borxh

Nga raporti i fundit që publikoi Kontrolli i Lartë i Shtetit theksohet se llogaritja e saktë e borxhit publik sipas standardeve të kërkuar nga FMN dhe Banka Botërore, do të ishte 81% dhe jo 67.2% që sot trumbetohet nga qeveria. Ky konstatim erdhi pas auditeve të kryera ku rezulton se 610 milionë euro janë fshehur si detyrime të cilat ekzistojnë, por nuk janë afishuar në Buxhetin e Shtetit, duke shtuar rritjen e borxhit. E përkthyer në shifra, çdo shqiptar duhet të paguajë edhe 200 euro shtesë, vetëm prej borxhit të fshehur të Edi Ramës. “E vërteta është se borxhi publik është 71.6% dhe ky sërish nuk është borxhi real përfundimtar, pasi aty nuk është përfshirë borxhi 2,2 miliardë euro nga PPP-të korruptive. Nëse do të llogariteshin në mënyrën e duhur dhe sipas standardeve të kërkuara nga FMN dhe Banka Botërore, atëherë vlera reale e Borxhit Publik do të ishte 81%”-deklaroi ish-deputetja e PD-së Jorida Tabaku. Me borxhin real (përfshirë detyrimet e prapambetura) që ka mbetur në rreth 70% të PBB-së dhe faturat e koncesioneve që pritet të rriten nga viti në vit dhe rreziqet fiskale sa vijnë e shtohen. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstaton se ka fshehje të detyrimeve të prapambetura, me qëllim ruajtjen e parametrave makroekonomikë. Megjithatë, duke shtyrë detyrimet në të ardhmen, thjesht rritet rreziku për një paaftësi paguese në afatin e mesëm. Dy janë pikat kryesore ku mund të bëjë një lloj frymëmarrje të ekonomisë; ulja e evazionit fiskal tek biznesi i madh dhe çlirimi i fondeve nga ulja e korrupsionit në tendera dhe koncesione. Por pikërisht këto dy pika janë “metoda qeverisëse”, pa të cilën ajo është e vdekur politikisht, ndaj e ardhmja ekonomike sipas ekspertëve të pavarur vendas dhe të huaj është mjaft e zymtë.

VIDEO bonus:
Loading...