Ballina Aktualitet Ditë vendimtare për negociatat, BE vendos sot për fatin e Maqedonisë së...

Ditë vendimtare për negociatat, BE vendos sot për fatin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Ministrat e Jashtëm të BE vendosin sot për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Aspiratat e të vendeve i errëson mundësia e vetos franceze. Diskutimi në Luksemburg mund të mos jetë shumë i gjatë. Vëmendja do të jetë e përqendruar tek Franca, e cila mendon se reformat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk janë të mjaftueshme, ndërsa vetë Emmanuel Macron kërkon më parë një reformim të thellë të procesit të anëtarësimit si kusht për të dhënë miratimin e tij.

DW sjell mendimet e një eksperti gjerman I cili shpjegon përse perspektiva e anëtarësimit, është e nevojshme për të dy vendet. Josef Janning, drejtues i zyrës së Berlinit të Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme që i kushtohet politikës së jashtme europiane, e kupton shqetësimin e Francës. “Francezët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar se Bashkimi Europian përmes shtimit të anëtarëve do të dëmtohej dhe në fund do të mbetej vetëm tregu, e nëse mbetet vetëm tregu, atëherë as ai nuk do të mbetej një ditë…

Po të hedhësh vështrimin pas, mund të thuash, se kjo frikë nuk ishte aq e paargumentuar”, theksoi Janning për radion gjermane, “Deutschland Funk”.Megjithatë eksperti nuk sheh rrugë tjetër për BE, veç çeljes së negociatave. “Duhet parë edhe ana tjetër, nëse nuk ka një qëllim, një perspektivë të besueshme anëtarësimi, atëherë për aktorët politikë aty bëhet e vështirë, për të mos thënë se bëhet shumë e vështirë t’i qëndrojnë kursit për t’i afruar vendet e tyre në mënyrë konsekuente në drejtim të BE.” Sipas tij, fillimi është i lehtë, por më pas puna bëhet serioze dhe pikërisht në këtë fazë duhet vullneti i fortë politik për t’iu mbetur besnik reformave.

Në këtë kuptim ndihmon shumë perspektiva e anëtarësimit, thotë Janning. Hezituese, megjithatë veç Francës, është edhe Holanda, e cila sheh shumë probleme sidomos me Shqipërinë. Këtë e pohoi dhe vetë kryeministri holandez, Mark Rutte në një takim të fundit me kancelaren Merkel në Berlin. Danimarka po ashtu është skeptike. Në bisedimet në Luksemburg Gjermania përfaqësohet nga ministri i shtetit për Europën në Ministrinë e Jashtme, Michael Roth, i cili është një përkrahës i bindur i çeljes së negociatave. Por nuk dihet sesa do t`i dëgjojnë vendet skeptike thirrjet e tij për të dërguar mesazhe inkurajuese pozitive në drejtim të Ballkanit Perëndimor.

VIDEO bonus:
Loading...