Ballina Aktualitet Çfarë po ndodh në Shkup pas dështimit të negociatave

Çfarë po ndodh në Shkup pas dështimit të negociatave

Dështimi për marrjen e datës në takimin e drejtuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel, u prit me zhgënjim në Shkup, ndërsa presidenti i vendit Stevo Pendarovski bën thirrje që të mos ngrihen tensione.

Presidenti maqedonas në një paraqitje televizive u shpreh se nuk është koha për t’u dëshpëruar apo për ta përdorur vendimin për të fituar pikë politikisht.

“Ajo që na duhet më pak është që pakënaqësia të kthehet drejt disa shteteve anëtare të BE-së dhe të nxisë tensione politike”, tha ai.

Zoti Pendarovski u bëri thirrje drejtuesve të partive që t’i lënë mënjanë interesat partiake dhe bashkërisht ta rikonfirmojnë vizionin për vendin e tyre.

Ai tha më tej se Maqedonia e Veriut nuk duhet të jetë vetëm formalisht anëtare e Bashkimit Evropian, por ta përvetësojë realisht sistemin e vlerave dhe zbatimin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve.

Zoti Pendarovski theksoi nevojën për vazhdimin e reformave dhe në veçanti sundimin e ligjit.

“Ballafaqimi me kriminalitetin e organizuar dhe korrupsionin e lartë nuk janë vetëm kushte për integrimin por shumë më tepër domosdoshmëri për ekzistencën e një rendi të qëndrueshëm juridik”, tha ai duke shtuar se standardet evropiane duhet të bëhen edhe standarde të vendit.

Zoti Pendarovski ka thirrur për të dielën një takim me drejtuesit e pushtetit dhe të opozitës.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski fajësoi kryeministrin Zoran Zaev për mosmarrjen e datës, duke u thënë gazetarëve se vendimi është rezultat i politikave të këqija të qeverisë së tij.

Ai bëri thirrje për zgjedhje të parakohëshme parlamentare, ndërkohë që në mënyrë paralele të bëhen reforma. Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit maqedonas.

Ndërkaq, kryeministri Zaev, sipas njoftimeve brenda partisë së tij Lidhja Social Demokrate, me t’u kthyer nga Brukseli është takuar me zyrtarët e partisë për t’i njoftuar për takimin e drejtuesve të vendeve anëtare të BE-së dhe për veprimet e mëtejshme që do të marrë qeveria e tij.

Burime brenda LSDM-së u kanë thënë mjeteve të informimit në Shkup se çdo veprim kryeministri do ta bëjë në mënyrë transparente, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë spekulimet nëpër media për dorëheqjen e tij.
/VOA

@tn.lajmelokale
@tetovanews