Ballina Aktualitet Albin Kurti: Me Ramën jemi të ndryshëm, por do bashkëpunojmë

Albin Kurti: Me Ramën jemi të ndryshëm, por do bashkëpunojmë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të shtunën se ai me Kryeministrin Edi Rama janë njerëz dhe politikanë të ndryshëm, por se duan të bashkëpunojnë për të mirën e dy vendeve.

Një ditë pasi u takua me Ramën, Albin Kurti mori pjesë në Samitin e Paqes për Evropën Juglindore që mbahet në Tiranë. Ai u pyet nga gazetarët për “minishengenin ballkanik”.

“Unë pres që të shoh një tekst se çfarë nënkupton ai, sepse më ngjan më shumë me ide, se sa projekt. Pra duhet të shohim projektin në letër”, deklaroi Albin Kurti.

Ndërsa për takimin me Kryeministrin shqiptar u shpreh: “Me Ramën kemi folur për çështjet dhe temat e përbashkëta. Ne nuk kemi pasur marrëdhënie të çrregullta, jemi njerëz të ndryshëm, politikanë të ndryshëm, por duhet të bashkëpunojmë që dallimi që kemi dhe mospajtimet nuk duhet të rrezikojnë bashkëpunimin tonë.

Efekti sinergjik që mund të kemi natyrisht që nuk është i shfrytëzuar sa duhet. Besoj se mundësitë që kemi si qeveri dhe nevojat që kanë qytetarët janë shumë më të mëdha se realiteti që e gëzojnë të gjithë. Prandaj, ne duam që të krijojmë sa më shumë ura dhe Kosova dhe Shqipëria, e Shqipëria dhe Kosova t’i ndihmojnë shqiptarët që të mos jenë më të varfrit, më të papunët dhe më të nëpërkëmburit jo vetëm në Ballkan”.

Më poshtë pjesë nga fjala e Albin Kurtit në Samit:

“Para 30 vjetëve ka rënë muri që na ndante dhe mori fund Lufta e Ftohtë. Mirëpo, sot, kemi ftohtësi pa luftë e diku edhe me luftë, e në vend të një Muri të Madh kemi shumë mure të vegjël që na ndajnë midis nesh e brenda nesh. Për paqe kemi nevojë kudo dhe tërë kohën. Sepse ajo është mundësia që njerëzit, qytetarët, popujt, shoqëria të lulëzojnë. Ama paqja ka nevojë që të luftojmë varfërinë e papunësinë, pabarazinë e padrejtësinë. Dhe, ka nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore midis vendeve tona duke i bërë aktive vlerat dhe interesat e përbashkëta, drejt BE-së e NATO-s, për zhvillim, mirëqenie e siguri. Ballkani perëndimor dhe Bashkimi Evropian janë shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrën”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews