Ballina Bota Aksion kundër përkrahësve të «Shtetit Islamik»: Arrestohet në Zvicër shqiptari i Kosovës...

Aksion kundër përkrahësve të «Shtetit Islamik»: Arrestohet në Zvicër shqiptari i Kosovës që më 2014 shkoi në Siri bashkë me motrën e tij

Kosovari që në mediat zvicerane njihet me emrin Vedat u arrestua falë metodave të reja të përgjimit nga Shërbimi Sekret i Zvicrës (NDB). Ai edhe pas kthimit nga Siria dhe dënimit nga gjyqësia zvicerane me gjasë vazhdoi aktivitetet në përkrahje të kalifatit terrorist islamik. Shqiptarët po luajnë një rol tmerrësisht prominent në aktivitetet ekstremiste në Zvicër, e sidomos në rrethinat e qyteteve të mëdha si Zürich, St. Gallen, Bernë dhe Basel. Pothuaj nuk ka qytet të madh zviceran ku nuk sorollatet një hoxhë që llomotit kundër Perëndimit.

Nga Enver Robelli

Në fund të vitit 2014 Vedati dhe Esra, vëlla e motër me origjinë nga Mitrovica dhe me banim në Zvicër, ikën në Siri, më saktë në atë që atëbotë quhej kalifat ose kuazisheti i terroristëve islamikë të prirë nga Abu Bakr al-Bagdadi, i cili u vra këtë fundjavë. Këta dy fëmijë me gjasë ishin radikalizuar në një xhami në rrethinën e Zürichut. Pas shkuarjes së tyre në Siri, në kërkim të tyre u vunë prindërit. Fillimisht në Turqi shkoi babai i tyre në përpjekje për të marrë ndonjë informacion. Pastaj nëna e Esrës dhe Vedatit shkoi në Siri dhe qëndroi atje tre muaj. Përpjekja e parë për ikje nga Siria dështoi në tetor 2015. Përpjekja e dytë ishte e suksesshme. Më 29 dhjetor 2015 Esra dhe Vedati u kthyen në Zvicër me nënën e tyre. Në fillim të këtij viti Esra dhe Vedati u dënuan me kusht për shkak të shkeljes së ligjit zviceran që ndalon bashkangjitjen organizatave si Al-Kaida dhe ISIS. Dënimi i lehtë (Esra 10 muaj me kusht, Vedati 11) ngjalli mjaft debate në Zvicër. Gjykata në Winterthur afër Zürichut parashikonte se dy të rinjtë nga Kosova kanë shans të mirë të integrohen në shoqëri. Ata u obliguan që një vit me radhë rregullisht të takohen me zyrën për parandalimin e dhunës të policisë kantonale të Zürichut.

Progonza e gjykatës rezultoi tejet e gabuar. Vedati u arrestua të martën në mëngjes – bashkë me 10 persona të tjerë. Ky ishte aksioni më i madh në Zvicër kundër fanatikëve fetarë islamistë. 100 policë bastisën 11 banesa në trei kantone – Zürich, Bernë dhe Schaffhausen, shkruan gazeta «Tages Anzeiger». Gjashtë të dyshuar janë të rritur, pesë të moshës rinore. Për dy të arrestuar Prokuroria Federale e Zvicrës ka shqiptuar masën e paraburgimit. Nga komunikata e prokurorisë nuk merret vesh se për çka akuzohen konkretisht personat e dyshuar. «Tages Anzeiger» njofton se Vedati përkundër dënimit kishte vazhduar të bëjë reklamë për «Shtetin Islamik». Si për të ashtu edhe për të tjerët vlen parimi i pafajësisë deri në dënimin e plotfuqishëm nga drejtësia. Sipas «Tages Anzeiger» aksioni kundër përkrahësve të mundshëm të terrorizmit islamik u zhvillua falë metodave të reja të përgjimit të nga Shërbimi Sekret i Zvicrës (NDB).

Policia e kantonit të Zürichut qëmoti kishte zbuluar se disa të rinj që më parë kishin kaluar mjaft kohë në xhaminë tashmë të mbyllur An’Nur në Winterthur tani po takoheshin në një lokal mes kantonteve Zürich dhe Thurgau. Para se të shkonte në Siri vedati kishte marrë pjesë në aksionin për shpërndarjen e Kuranëve në qytete zvicerane, ky aksion quhet «Lies!», lexo. Aktivistë islamistë, mes tyre mjaft shqiptarë, shfaqen nëpër rrugë e bulevarde të qyteteve zvicerane dhe përpiqen t’u dhurojnë kalimtarëve Kuranin – një përpjekje kjo për të dëshmuar gjoja sa paqësore është feja e Muhamedit. Por jo pak prej shpërndarësve të librit të shenjtë të myslimanëve janë fanatikë fetarë, të cilët keqpërdorin lirinë e mendimit dhe të tubimit në Zvicër dhe ligjet e shtetit liberal për të përhapur helm e urrejtje. Vedati ka kaluar mjaft kohë edhe në shkollën e sporteve luftarake «MMA Sunna» të tai-boksieri Valdet Gashi, i cili është vrarë në Siri. Pas shkuarjes në Siri Gashi filloi të defilojë në mediumet zvicerane me intervista e prononcime, duke u përpjekur të bëhet model edhe për të rinj të tjerë të diasporës. Mesazhi që përçonte derisa lundronte me një varkë në një lumë në Siri ishte ky: ejani në Kalifat, sepse këtu është mirë. Aventura e tij, fatmirësisht, përfundoi shpejt.

Policia zvicerane llogarit se dy të rinjtë shqiptarë, Vedati dhe Esra, kanë qëndruar në qytetin sirian Manbixh dhe në Raka, kryeqyteti i «Shtetit Islamik». Babai i fëmijëve kishte thënë se ata jetuan në një fabrikë çimentoje në Manbixh. Gjatë gjykimit Esra dhe Vedati refuzuan të përgjigjen se ku kanë jetuar në «Shtetin Islamik». Ndërsa Esra me kryeneçësi refuzoi të flasë, Vedati bëri disa vërejtje të përgjithshme. Ai tha se njerëzit në «Shtetin Islamik» janë terrorizuar nga të gjitha palët, jo vetëm nga «Shteti Islamik», por edhe nga vendet perëndimore si Gjermania. Me gjasë Vedatit i është shpëlarë aq shumë truri, saqë shtetin gjerman, i cili i ka pranuar një milionë refugjatë sirianë, e bën fajtor për tmerret e Sirisë të shkaktuara nga «Shteti Islamik».

Esra e Vedati dhe me gjasë edhe nëna e tyre u ndaluan nga ushtria turke dhe supozohet se u kthyen prapa në Siri, tha gjykatësi. Nga të dhënat e gjykatësit mund të merrej me mend se Esra dhe Vedati shprehën dëshirën të iknin nga Siria për shkak se frikësoheshin se do të humbnin jetën. Më parë tre «shokë» të tyre – Valdet Gashi, Hajan D. dhe Christian I. – humbën jetën si luftëtarë të «Shtetit Islamik». Përkundër frikës që ndiente në Kalifat, Vedati e përshkroi shkuarjen e tij atje si veprim të mirë, sepse kishte dashur të ndihmonte. Heshtja në pjesën më të madhe të procesit dhe deklaratat shpeshherë absurde, siç është akuza ndaj Gjermanisë, linin për të dyshuar se Vedati (dhe Esra gjithsesi) janë penduar për veprën e rrezikshme që kanë kryer.

Shqiptarët po luajnë një rol tmerrësisht prominent në aktivitetet ekstremiste në Zvicër, e sidomos në rrethinat e qyteteve të mëdha si Zürich, St. Gallen, Bernë dhe Basel. Pothuaj nuk ka qytet të madh zviceran ku nuk sorollatet një hoxhë që llomotit kundër Perëndimit. Para disa ditësh nga Zvicra u dëbua një imam kosovar, i cili akuzohej se ka rrahur gruan e tij dhe predikimet e tij fetare kanë qenë në kundërshtim me ligjet zvicerane. Një imam shqiptar në Basel është kritikuar për shkak të predikimeve të tij që i afrohen antisemitizmit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews