Ballina Aktualitet Partitë shqiptare në Maqedoni të ndara për modelin zgjedhor

Partitë shqiptare në Maqedoni të ndara për modelin zgjedhor

Partitë e vogla kuvendare kërkojnë përfshirjen e tyre në bisedimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, konkretisht ndryshimin e modelit zgjedhor nga gjashtë, sa është tani, në një njësi zgjedhore dhe lista të hapura.

Sipas Liljana Popovskës, kryetare e Partia për Ripërtrirje Demokratike (PRD), kërkesa e tyre konsiston në rekomandimet e OSBE-ODHIR-it.

“Vlerësojmë se kjo garanton transparencë dhe gjithpërfshirje, si dhe plotësim të pritjeve të qytetarëve të cilët presin demokratizim të vendit”, thotë Popovska. Nga ana tjetër, partitë politike shqiptare kanë propozimet e tyre për sa i përket Kodit Zgjedhor. Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës kërkon model zgjedhor me 8 njësi, aq sa ka edhe rajone zhvillimore në vend.

“Ne si subjekt politik jemi duke e shqyrtuar mundësinë për organizimin e modelit zgjedhorë në 8 njësi zgjedhore, në pajtueshmëri me organizimin rajonal ekzistues në Maqedoninë e Veriut, kuptohet me lista të hapura dhe risi e këtij propozimi është që jo të gjitha njësitë zgjedhore do të nxjerrin numër të barabartë të deputetëve, por do të kishin deputet aq sa kanë edhe votues, pra në përpjesëtim me numrin e votuesve që kanë ato njësi”, thonë nga ASH-ja.

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit është për tri njësi zgjedhore dhe balancim mes tyre. “Sistemi proporcional duhet mbetur por duhet të kemi lista të hapura të njësive zgjedhore dhe ajo që ne përkrahim është që Maqedonia e Veriut të ndahet në tri njësi zgjedhore, pra nga gjashtë që i kemi në tre. Vlerësojmë se një ndarje e tillë territoriale të njësive zgjedhore nuk do të hapte probleme rreth rikonfigurimit të njësive zgjedhore”, thonë nga Lëvizja Besa.

Ndërkohë që Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbetet në qëndrimin për gjashtë njësi zgjedhore të balancuara. Nijazi Muhamedi, njohës i zhvillimeve politike në vend, është i mendimit se Maqedonia e Veriut duhet të ketë një njësi zgjedhore me një prag të ulët me lista të hapura. Sipas tij ky do ishte modeli më efektiv në këtë realitet politik, i cili do të kishte efekt më të ekuilibruar politikisht në përfaqësimin e interesave të elektorateve, të strukturuara etnikisht, ose gjuhësisht.

“Mund të shikohet edhe ndonjë variant rajonal, por secili variant, nëse nuk elaborohet me dije edhe nga ana e ekspertëve shqiptarë në kuptimin e fushave përkatëse që merren me strukturimet elektorale dhe territoriale të brendshme, mund të dalë manipulues dhe për dobi të shumicës që e propozon, apo që ka siguruar dominimin mbi të tjerët”, vlerëson Muhamedi.

Nismën për një njësi zgjedhore me lista të hapura e mbështet edhe LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev, por theksojnë se duhet saktësisht të debatohen dhe harmonizohen qëndrimet rreth detajeve të propozimit. Nga OBRM-PDUKM-ja opozitare thonë se kjo çështje do të debatohet brenda organeve të partisë. Ndryshe, këtë iniciativë e mbështet edhe presidenti Stevo Pendarovski i cili në muajin qershor kishte deklaruar se është i gatshëm të bisedojë më përfaqësuesit politik me qëllim të përmirësimit të modelit zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it./koha.mk/

@tn.lajmelokale
@tetovanews