Ballina Aktualitet Kultura KRYEIDHULLI I MODERNIZMIT – FRANC KAFKA

KRYEIDHULLI I MODERNIZMIT – FRANC KAFKA

Nga Xhelal Zejneli

Porosia e fundit e Kafkës

E tërë historia ime është histori e mbylljes së syve – Kafka
Franc Kafka (Franz Kafka, 3.8.1883 – 3.6.1924) lindi në Pragë. Është shkrimtar austriak. Shkroi në gjuhën gjermane. Rrjedh nga një familje e pasur çifute e Pragës. Babai Herman dhe nëna Julie kishin gjashtë fëmijë. Kafka ishte fëmija i parë. Kishte tri motra: Gabriele, Valerie dhe Ottilie si dhe dy vëllezër: Georg dhe Heinrich. Vëllezërit i vdiqën qysh si fëmijë. Në shtëpi flitin gjermanisht. Në vitin 1906 Kafka mori titullin doktor i shkencave juridike. Fliste disa gjuhë të huaja, kështu që vepra letrare të caktuara i lexonte në origjinal. Biografët e tij thonë se gjatë jetës së vet ka pasur lidhje intime me një numër të madh femrash. Me femra të caktuara ka qenë më i lidhur. Në vitin 1912 njoftohet në Berlin me një vajzë të quajtur Felice Bauer, me të cilën është fejuar. Sipas disa biografëve, me shoqen e Felicës – Margarethe Bloch, në vitin 1914 i ka lindur një djalë, i cili ka vdekur në vitin 1921. Por, atësia e Kafkës nuk është vërtetuar. Në vitin 1920 njoftohet me gazetaren dhe shkrimtaren çeke Milena Jasenska. Lidhja midis tyre nuk është shuar shpejt. Dashnore tjetër e Kafkës për të cilën shkruajnë biografët e tij është edhe Dora Diamant.

Vepra e Kafkës është vlerësuar lartë nga kritikët letrarë më të njohur të planetit. S’ka kritik letrar eminent në botë që nuk është marrë me fenomenin “Kafka”. E kanë ngritur në qiell edhe shkrimtarët më të mëdhenj të rruzullit tokësor. Midis tyre edhe njëri ndër krijuesit artistikë më të mëdhenj të shekullit XX – Gabriel Garsia Markez (Gabriel Garcia Marquez, 1927-2014), autor i romanit legjendar “Njëqind vjet vetmi”.

Kritikë të ndryshëm e kanë radhitur Kafkën në drejtime letrare të ndryshme, ndërsa ka të tjerë të cilët thonë se krijimtaria e tij nuk mund të radhitet në asnjë drejtim letrar. I takon stilit avangard të të shkruarit, drejtim letrar i fazës së mesme të modernizmit. Kafka u shndërrua në mit dhe u përkthye në të gjitha gjuhët e botës së qytetëruar. Studiuesi i njohur Gynter Anders (Gϋnther Anders) në librin e tij Kafka: Pro et contra, midis tjerash shkruan: “Po qe se realizmi ka një kuptim filozofik, atëherë është ky” (d.m.th. Kafka).
Kafka u sëmurë nga TBC-ja. Për mjekim shkoi në Gjermani, në Itali, në Francë, në Zvicër. Vdiq në moshën 41-vjeçare në sanatoriumin Kierling afër Vjenës.
Pas vdekjes së Kafkës u gjet letra drejtuar shokut të vet Max Brodit. Ajo kishte këtë përmbajtje:

“I dashur Max,
dëshira ime e fundit: çdo gjë që lë pas meje (pra, në ormanin e librave, në komodinë, në tavolinën e shkrimit, në shtëpi dhe në zyrë apo që janë dërguar diku dhe ti i gjen), ditarët, dorëshkrimet, letrat që m’i kanë dërguar mua apo të miat, shënimet e kështu me radhë, le të digjen që të gjithë pa i lexuar, po ashtu edhe të gjitha shkrimet dhe shënimet e mia që ndodhen te ti apo te të tjerët. Letrat që nuk do të duan të t’i japin, të paktën le t’i djegin vetë ato, për një.
I yti Franc Kafka”

Për fat të mirë, Max Brodi nuk e përmbushi dëshirën e fundit të Kafkës dhe në saje të tij janë ruajtur të gjitha krijimet letrare të tij të cilat konsiderohen kryevepra të letërsisë moderne. Midis tyre edhe romanet “Procesi”, “Kështjella”, “Amerika”, novela “Metamorfoza”, “Letra Milenës“ etj.

@tn.lajmelokale
@tetovanews