Ballina Aktualitet Kultura Kadare: Lasgush Poradeci, shkrimtari më i vetmuar i galaktikës komuniste

Kadare: Lasgush Poradeci, shkrimtari më i vetmuar i galaktikës komuniste

Në vitin 1944 kur komunistët morën pushtetin në Shqipëri, poeti më i madh i vendit dhe një nga më të mëdhenjtë e kësaj pjese të Europës, Lasgush Poradeci, ishte 45 vjeç.

Përveç veprës poetike, që ngjante edhe më luksoze në sfondin disi të ashpër të letrave shqipe, kishte gjithçka tjetër për përhiroren (aureolën) e poetit: Studimet shumëvjeçare në Austri, një lloj prarimi elitar, dy-tri histori dashurie, fejesën me një nxënëse të Institutit “Nëna Mbretëreshë” dhe, kryesorja, një fantaksje, që me pak mirëdashje mund të quhej krisje prej poeti e me pak keqdashje, çmenduri.

Ishte kjo e fundit që, me sa dukej, e shpëtoi. Sunduesit shqiptar do t’i jetë dukur jo fort i rrezikshëm, sidomos në krahasim me shkrimtarët me hije kërcënuese, që e kishin lënë ndërkaq Shqipërinë, si Ernest Koliqi e Mithat Frashëri.

Me kalimin e kohës, terrori forcohej. E bashkë me të etja për pushtet. E pas saj sëmundja e lavdisë. E me të, smira që s’mungon kurrë. Nga shkrimtarët e mbetur prej mbretërisë, dy prej tyre, Dh. Paskon dhe P. Markon, i futi shpejt e shpejt në burg. Më pas, pas prishjes me jugosllavët, me të njëjtin ngut do t’i nxirrte, me shpjegimin se ai s’kishte dashur, por ç’t’i bënte jugosllavëve që kishin ngulmuar! (Stalini s’donte për Mandelshtamin, por ç’t’i bënte Pasternakut!)

Dy të tjerë, Spasse dhe Xoxa, pas një kërcënimi paralajmërues me shkas biografik, u lanë të qetë. Më ngatërrestari i të gjithëve, peshkopi Fan Noli; që e kishte bërë lëmsh Shqipërinë me komplote, kundërkomplote e drama të Shekspirit, për fatin e mirë të tiranit ndodhej në mërgim dhe, i lodhur nga gjithçka, po bëhej gati në moshën shtatëdhjetëvjeçare të hynte si student për muzikë!

Mbetej vetëm Lasgush Poradeci, poeti me hije princi, që e kishte shpallur veten “zog i qiejve”, aq i mënjanuar nga jeta, saqë dukej se do të mjaftonte vetëm një shkelm për ta kthyer prapë atje, midis yjsh, që në të vërtetë ishin dhe titujt e dy veprave kryesore të tij, “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”.

Ndodhja e një poeti të tillë në një diktaturë komuniste, ngjante si një gabim i stinës. Vendet aleate, Rusia, Hungaria e të tjerë, nuk jepnin shembull kaq të spikatur. Në Rusi për shembull, kishin qenë një grup i përzier, tokësorësh e qiellorësh, Blloku, Majakovski, Ahmatova, Cvjetajeva, Bulgakovi, Pasternaku, që ishin gjendur pak a shumë bashkë. Kurse ky paskësh qenë më i vetmuar se vetmia vetë.

I papërsëritshëm në asgjë, u duk se edhe zgjidhjen e çështjes së tij e gjeti vetë. E përjashtoi veten nga gjithçka, duke ia bërë të qartë paktin tiranit të ri. Ai pakt përmblidhej në dy fjalë: “zëre se s’jam!”.

Kështu ai shestoi atë që u quajt vdekja e tij për së gjalli. Për dyzet vjet nuk do të ndihej askund. Ai e dinte këtë mjeshtëri, ndoshta të vetmen, pas artit. Në kohën e mbretërisë kishte lidhur një pakt të ngjashëm me mbretin Zog. Thelbi ishte i thjeshtë: ti je zog në tokë, unë në qiej. Secili në punë të vet.

Pakti me sunduesin e ri, për çudi, po ecte. Gjëmonin mitingjet nga brohoritjet “Rroftë”! për sunduesin, po aq sa ç’ishte e kundërta: heshtja për poetin. Në vend të rroftë! ishte mos rroftë! Për të mos thënë mos qoftë! E në qoftë se këto do të dukeshin disi të tepruara, puna do të përfundonte te një gjetje disi e mesme: udhëheqësi rroftë! poeti mungoftë!

Ai mungonte aq shumë dhe aq gjatë, saqë një pjesë e njerëzve, për të mos thënë gjysma e Shqipërisë, e dinin të vdekur.

Pakti për një çudi të madhe vijonte. Poeti më i madh i vendit, vazhdonte të rronte me kostumin e vdekjes. Fjala “vdekëronte” u përdor, me sa dukej, për herë të parë për të. Frika nga shkrimtarët e përjetshëm, më i madhi tmerr i çdo tirani, qetësohej prej kurtizanëve të tij. Si mund të ishte i përjetshëm, pa qenë i jetshëm?

Dyshimet megjithatë nuk mungonin. Ishte vërtet i mënjanuar, apo hiqej ashtu? Për çdo rast do të merreshin masat kun-dër tij. Dhe ato u morën: të egra si askund, çnjerëzore.

Si ai që i jep plumbin e fundit viktimës së rrëzuar, për t’u bindur për vdekjen e tij, regjimi shqiptar sajoi një kinse devizë, një maksimë, një klishe: poet i mirë, por njeri i keq!

Janë ca gjëra që ecin në çdo kohë. Çdo vend komunist kishte zyra të veçanta që merreshin me poshtërimin e njerëzve të shquar të kulturës. Shquhej për këtë Gjermania Lindore. Dhe Rusia natyrisht, nëna e të gjithave.

Për Lasgushin pëshpërima më e përhapur ishte kinse çmenduria e tij. Kjo ishte edhe më e lehtë për t’u besuar, për shkak të sjelljeve të tij tepër të çuditshme. Por s’ishte kjo që e dëmtonte, madje bënte të kundërtën.

Kurse shpifjet ishin të shëmtuara si për rrallëkënd. Përveç egocentrik, e bënin mosmirënjohës, shpirtkazmë me gruan, shpërfillës e cinik të pashoq.

Sunduesi shqiptar nuk e ka takuar asnjëherë poetin më të madh të Shqipërisë. Pas vdekjes së të dyve, kur u kujtuan se sa turpëruese ishte kjo për tiranin kinse artdashës e frankofil shqiptar, u sajuan me shpejtësi ca shënime ditari të tij, ku të dëshmohej e kundërta: adhurimi për poetin.

Për fatin e keq të tij dhe për fatin e mirë të poetit, ishte një skenë ku të dy personazhet u gjendën përbri njëri-tjetrit si në teatër: bregu i liqenit të Ohrit.

Dihej botërisht se sa i pandarë ishte ky liqen prej poetit. Lidhej me gjithçka të tij, me poezinë, me metaforat e rralla, së fundi me vetë emrin Poradeci, që poeti, duke e marrë prej tij, e kishte shpallur, si të thuash veten, si bir për shpirt i liqenit.

Pikërisht në breg të ujanës së famshme, sunduesi i Shqipërisë e kishte bërë zakon të kalonte çdo vit pjesën më të madhe të verës. Ishin, pra, përbri njëri-tjetrit, disa qindra hapa larg, dhe këtë s’kishte njeri që s’e dinte.

Poeti e kalonte verën pothuajse i vetmuar në “kullën” e tij, siç e quante shtëpizën e vogël jo larg bregut. Dyqind hapa më larg, sunduesi ftonte herë pas here miq, kryesisht anëtarë të Byrosë Politike, gjysma e të cilëve ishin budallenj, por edhe njerëz të kulturës, aktorë nga Korça, për shembull, zyrtarë të rrethit, apo gazetarë a filozofë të huaj majtistë. (Të njëjtën gjë, por me më tepër luks, bënte disa kilometra më tej, në vilën e tij të pushimit, në pjesën jugosllave të liqenit, shemri i tij i përjetshëm, Titoja.)

Pikërisht në këtë skenë idilike, vit pas viti, sunduesi i Shqipërisë deshi t’i tregonte shpërfilljen e tij poetit më të madh të shqiptarëve.

Mbreti Zog, ishte si ishte, më dërgoi dy herë mjekun e tij, kurse ky i tanishmi, as që ka pyetur ndonjëherë jam apo s’jam gjallë.

Këto qenë fjalët që më besoi një pasdite vere në breg të liqenit që mbante emrin e tij.

S’të shoh. Pra s’je. Ky ishte urdhri i diktatorit.

Ky ishte vërtet urdhri, por sunduesi ishte i rremë në sytë e poetit. Ndaj dhe urdhri i tillë do të ishte: i rremë.

Përgjigjja e Lasgush Poradecit ishte ndoshta më e pashembullta në hyllësinë e komunizmit. Në pamje të parë dukej sikur poeti e kishte ulur kryet, duke pranuar mosqenien e vet. Ai kishte veshur kostumin e vdekjes dhe ashtu, si hije, u hoq mënjanë.

Ndërsa vetëvrasja e Senekës kishte vazhduar një natë të tërë, vetëshuarja e Lasgush Poradecit do të zgjaste dyzet vjet. Dyshimet herë pas here rizgjoheshin: është shuar vërtet? Mos po e fsheh kurorën, e bashkë me të skeptrin?

Përgjuesit, ish-shokë të fëminisë, ndonjë arkitekt gjysmë i verbër, apo që hiqej ashtu për ta përgjuar më mirë, nuk i ndaheshin.

Tirani shqiptar duhej të ndiente dehjen e ngadhnjimit; e kishte mposhtur poetin mu në truallin e vet pogradecar e kjo ishte njëlloj si ta kishte mposhtur midis yjsh, banor i të cilit qe shpallur.

Kështu vazhdonte kjo histori, gjersa një ditë, poeti, që prej kohësh pritej të ikte më në fund nga kjo botë, me fjalë të tjera, të vdiste, brenda vdekjes, siç thuhej, dha një shenjë. S’ishte as vjershë kundër shtetit, as mahi a testament, por tjetër gjë: kishte rënë në dashuri.

Ishte mbi 80 vjeç kur ndodhi kjo. Tirani ndërkaq nuk kishte mbushur as 70-të, dhe dihej se prej kohësh u kishte lënë lamtumirën grave.

E kishte marrë vesh vallë? Dhe si e kishte kuptuar? Si sfidë të poetit, si humbje të bastit me të?

Për dashurinë, o Zot

Që shemb një burrë…

Vargjet e ndoshta poezisë më të bukur të tjetrit, të shkruara, me sa dukej, për këtë rast, tingëllonin vërtet enigmatike. Poeti pranonte një rrëzim të tij, një shembje. Dukej sikur i thoshte tiranit: u ktheva në jetë për t’u shembur, por jo prej teje, prej një gruaje.

Në kohën e errët të urrejtjes, ai i qe përkulur dashurisë.

Pyetjes që aq shumë i tmerroheshin të gjithë: ku ishe ti, Adam?, ai mund t’i përgjigjej: sa ishte ai, unë s’isha. Dukej se s’kishte vend për të dy.

Pyetjes tjetër, se ç’bëri aq sa të kujtohej kaq mallëngjyeshëm, do t’i përgjigjeshim ne të tjerët. Ashtu, i pajetshëm, siç ishte, na mbrojti ne të tjerëve prej dufit të herëpashershëm psiko-tiranik, alla Neron.

Shkrimtarëve të mëdhenj të vetmuar, iu binte disa herë ky fat i rrallë: ai i rrufepritësit. Etja e tiranit për rrënim, furia e tij, përzier me dehjen që i jepte mposhtja e një princi të artit, përplaseshin e shkriheshin në radhë të parë te ky, pa i arritur të tjerët. Por të tjerët, të shushatur, siç ishin nga tmerri, në vend që t’i ishin mirënjohës, e braktisën në vetminë e tij.

Lasgush Poradeci ishte shkrimtari më i vetmuar i galaktikës komuniste, e ndoshta i krejt planetit. Ne që e donim ishim fare të paktë, jo më tepër se një grimcë rëre në ranishten e pafund të harrimit.

Diktatori vdiq më 1985. Ia kishte lënë, më në fund, vendin, por poetit ende s’po i dilte e ftohta e vdekjes. Më 1986, botuesit tim francez, Claude Durand, që ndodhej në Shqipëri, ia tregova historinë e të parës sfidë të tij, që ishte njëherësh, e fundmja: dashurinë e tij. Atë për një grua. Atë që shembte një burrë.

Novelën “Ikja e shtërgut”, që isha duke shkruar ndërkaq për të, e mbarova me ngut, në mënyrë që Durand-i ta merrte me vete, bashkë me dorëshkrimin e “Hijes” e të “Vajzës së Agamemnonit”.

Lasgushi, ndonëse ishte ende gjallë, s’dinte asgjë, dhe s’do ta merrte vesh kurrë.

Vdiq në vitin 1988, në kohën që në mes të Tiranës po ngrihej shtatorja e diktatorit.

Në dimrin e vitit 1991 shtatorja do të rrëzohej e do të hiqej zvarrë përmes Tiranës. Pak kohë më pas, në breg të liqenit të Ohrit, si një shenjë hyjnore do të ngrihej befas shtatorja e atij që dukej sikur kishte qenë pa jetë tokësore, për ta pasur atë në bronz: Lasgush Poradecit.

Ngrihej si një mrekulli te bregu i liqenit, të cilin ai po e merrte përsëri, pikërisht tek ai breg ku rronte e nuk rronte, ku vdiste e nuk vdiste dot…

E kishte marrë pra, prapë liqenin, dhe pas tij, gjithçka tjetër që kishte humbur. Sepse poetët kanë, veç të tjerash, veçantinë që edhe po të duan të humbin, nuk humbin dot…

(Pjesë nga bisedë me Kadarenë, marrë nga libri “Dosja Bilal Xhaferi” i gazetares Aida Tuci, Onufri, Tiranë, 2014) /KultPlus.com

@tn.lajmelokale
@tetovanews