Ballina Aktualitet E vërteta e lajmit për ‘tërmetin e madh’, që nxori Tiranën nëpër...

E vërteta e lajmit për ‘tërmetin e madh’, që nxori Tiranën nëpër rrugë

Me të drejtë një lajm i hedhur me urgjencë pas tërmetit të mbrëmshëm, 3.8 ballë, që preku kryeqytetin në orën 22.08 minuta hedhur në rrjet nga disa media online bëri që mijëra qytetarë, të braktisnin shtëpitë dhe të mbushnin rrugët dhe sheshet e Tiranës.

Lajmi ngrinte alarmin, se lëkundjet edhe më të mëdha se ato të orës 16.05 minuta të të shtunës, do të përsëriteshin brenda mesnatës. Mes mediave dhe gazetarëve të tjerë edhe ai i Syri.net, Aurel Rakipllari, në kushtet e presionit individual duke ju referuar një botimi të përhapur në mënyrë epidemike në rrjet, publikoi një lajm me një titull emocional, por në thelb me qëllim shërbimi ndaj qytetarëve në kushte emergjence, të cilin Edi Rama nuk e la të binte në tokë.

Mendoi se i kishte ardhur në shteg media më popullore dhe e lexuar në Shqipëri, e cila e zhvesh çdo ditë me fakte e dokumente nga `rrobat` e dala boje të propagandës e fasadës së qeverisjes së tij klepto-kriminale.

Por si është e vërteta e këtij lajmi dhe kronologjia e tij, e cila ngre mjaft dyshime mbi të cilat duhet të hetojë vërtet policia e Lleshit dhe prokuroria e Markut, që nxituan mbrëmë gjithë natën së bashku me ministrat e Ramës, që të bëjnë thirrje publike për burg dhe mbyllje të Syri.net?!

Gjatë gjithë ditës së djeshme, publiku i stresuar nga tërmetet që nuk pushonin, përjetuan një “tërmet” tjetër më të madh; atë të propagandës së Rilindjes me në krye Edi Ramën. Ndërkohë që njerëzit prisnin që qeveria të “bombardonte” opinionin në media dhe në rrjetet sociale me specialistë të fushës së sizmiologjisë, gjeologjisë, ndërtimit, psikologë e sociologë, që të kthjellonin qytetarët se si duhej të vepronin në këtë situatë paniku, “tërmeti” i vërtetë që përjetuan ishte ai i ministrave të Ramës e Lali Erit (me gjithë shpurën e bashkisë) të cilët trokisnin kot më kot nëpër dyer qytetarësh dhe duke shpërndarë supë me kamerave nga prapa.

Por gati të gjithë ministrat e qeverisë dhe madje, edhe vetë shtabi i emergjencave deklaronin live se tërmetet do të vazhdonin dhe qytetarët nuk duhej të qëndronin në shtëpi. Këtë situatë e rëndoi edhe më shumë një intervistë e transmetuar me urgjencë në, Top Chanel, me sizmiologun e njohur grek Akis Tselentis i cili jo vetëm që i mëshonte një tërmeti shkatërrues në orët në vijim, por madje ngrinte edhe alarmin për përbmbytje të mëdha.

Këto paralajmërime apokaliptike ishin vënë në dukje, që në titullin e madh të kronikës dhe shkrimit. Pas kësaj deri vonë natën, në të gjitha mediat pranë qeverisë dhe deklaratat e eksponentëve të lartë të PS dhe bashkisë Tiranë, qytetarëve ju bëhej thirrje që të mos qëndronin nëpër shtëpi.

Aq e theksuar ishte kjo propagandë, e bërë jo nga specialistët por nga qeveria dhe partia, sa që një nga gazetarët më të afërt të Edi Ramë u detyrua që të shkruaj një editorial, ku kritikonte këtë strategji dhe bënte thirrje që ministrat dhe shtabet e emergjencave të ndalonin me këtë lojë e të merreshin me punë konkrete që ndihmojnë qytetarët.

“Duket se prioriteti kryesor i qeverisë, sot e në ditët në vazhdim, është që të duket se është në krye të punëve për të shmangur pasojat e tërmetit. Ka një vërshim njoftimesh dhe lajmesh që flasin për qendra emergjence, vende ku të grumbullohen të dëmtuarit, ku të kërkojnë ndihmë etj. E gjitha duket pak qesharake, pas një paniku, i cili prodhoi më shumë emocione se sa dëme reale.

Akoma më qesharake, dukeshin njoftime të Qendrës së Emergjencave për të fjetur jashtë, apo ministrave që i kish kap zilia për parashikimet e Ilir Metës dhe lajmëronin që tërmetet do të vazhdojnë”.

Kështu shkruante Mero Baze në editorialin e tij.

Pra e gjithë dita ishte mbarsur me panik dhe thirrje nga vetë qeveria, që tërmetet do të vazhdojnë dhe qytetarët nuk duhej të qëndronin në shtëpitë e tyre.

Vetëm pak minuta pas tërmetit prej 3.8 ballë të orës 22.08 minuta, në rrjet shpërtheu një `print scrin` i një lajmi të gazetës “Shekulli” i cili faktikisht i referohej Top Chanel.


Këtë lajm e rimorrën, edhe disa portale të tjera këtu dhe në Kosovë. Mes tyre, edhe gazetari i Syri.net Aurel Rakipllari. Vetëm dy minuta pas botimit të tij drejtuesit e media sonë reflektuan urgjentë nga kjo grackë, ku kishte rënë gazetari në shpejtësi e sipër. Urdhëruan heqjen e tij dhe u botua menjëherë një thirrje qetësuese për qytetarët, që kishin pushtuar rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.

Pavarësisht se ministrat e Ramës dhe qendrat e emergjencave gjatë gjithë ditës kishin bërë thirrje që qytetarët të mos qëndronin në shtëpi, siç e kishte konstatuar edhe Mero Baze, Edi Rama kapi në ajër këtë nxitim të gazetarit Rakipllari dhe ngriti një furtunë linçuese ndaj nesh. Si kurrë më parë një ministër i rëndësishëm (Olta Xhaçka) doli urgjent në konferencë shtypi dhe kërkoi burg për gazetarët. Edi Rama nuk u përmbajt me fjalët, duke e vënë Syri,net në qendër të ciklonit. I njëjti që shkruante në FB, se qytetarët duhet të rrinin të qetë pasi “kriminelët” e Syri,net po përhapnin panik, u largua rreth orës 11.00 drejt Rinasit dhe fluturoi duke braktisur Shqipërinë dhe këtë e njoftoi vetëm sot në mëngjes.

Policia bastisi menjëherë pas kësaj zyrat e Syri. net, duke shoqëruar dhe marrë në pyetje gazetarin, Aurel Rakipllari, i cili dha shpjegimet e nevojshme dhe tani është i lirë. Duhet të theksojmë se vetë redaksia e Syri. net i dorëzoi policisë telefonat e punës, ku gjendet gjithë historiku i përditshmërisë, pa asnjë lloj kompleksi sepse nuk kemi se çfarë të fshehim.

Ndërkohë, Endri Fuga, ka iniciuar një tërmet të vërtetë në rrjet ku kërkohet linçimi dhe mbyllja e kësaj media që prej shumë vitesh, zhvesh nga propaganda lustruese këtë qeveri që ka përzënë nga vendi (dhe jo nga shtëpitë për një natë prej frikës nga tërmeti) gjysmë milioni shqiptarë.

Gazetari ynë bëri një gabim profesional momental, duke rënë në grackën e lajmeve të shpejta që qarkulluan në rrjet dhe për këtë reflektuam urgjentisht, edhe duke kërkuar ndjesë ndaj qindra-mijë ndjekësve tanë. Por shantazhet, kërcënimet dhe grupet e posaçme hetimore ndaj mediave të lira të Ramës njësoj si në kohën e diktaturës, jo vetëm që nuk na trembin dhe dekurajojnë, por përkundrazi: na forcojnë më shumë dhe na bindin që jemi në rrugë të drejtë e në krah të shqiptarëve të ndershëm përball kësaj, qeverie klepto-kriminale.

https://www.youtube.com/watch?v=4q_Qej7ObXY

https://www.youtube.com/watch?v=n-HsUbYu2WA

https://www.youtube.com/watch?v=vhzH4MGqoxA

https://www.youtube.com/watch?v=2n1VLaL0H0k

@tn.lajmelokale
@tetovanews