Ballina Aktualitet Lajme Turqi: Hasankeyf do sakrifikohet për digën më të madhe në Europë (VIDEO+FOTO)

Turqi: Hasankeyf do sakrifikohet për digën më të madhe në Europë (VIDEO+FOTO)

Një vendbanim i ri me shtëpi të ulëta është diçka që shihet rrallë në juglindjen e varfër të Turqisë. Por kështu është zona ku do të shpërngulen banorët e qytetit historik, Hasankeyf, ndonëse shumë prej tyre nuk duken aspak të lumtur për këtë. Arsyeja e shpërnguljes është se lugina mbi të cilën qëndron Hasankeyf do të mbulohet nga uji, pasi mbi lumin Tigris do ndërtohet një digë gjigande Prandaj banorët duhet të shpërngulen në Hasankeyfin e ri në një rrafshnaltë, një prej tyre, Cetin Yildirmer thotë:”Çfarë sjell një qytet i tillë i ri, kur për të asgjësohen historia dhe kultura? Këtu ne jemi pronarë shtëpie, por mund të thuash, që ne njëkohësisht i kemi humbur të drejtat tona.”

Vendbanimi i ri

Hasankeyf ndodhet në mes të njërit prej vendbanimeve më të vjetra të njerëzimit. Lugina është e banuar që nga shekulli i tretë. Asirianët, romakët dhe selçukët kanë lënë gjurmët e tyre këtu. Disa xhami dhe varre të rëndësishme historike janë transportuar nga qyteti në një park arkeologjik.

3000 banorët e Hasankeyfit janë të varur nga turizmi. Yildirimer është shoqërues turistësh dhe ai u shet atyre broshura me ngjyra. Se me çfarë do të jetojë ai pas përmbytjes së qytetit, këtë as vetë nuk e di. Në Hasankeyfin e ri nuk ka punë: “Që para se të shkojmë këtu kemi shpenzuar rreth 5000 Euro për rikuperimin e mangësive që kishte kjo shtëpi. Nga ana tjetër që tani janë duke ardhur gjithnjë e më pak turistë. Dikur këtu kishte 20 shitësh broshurash turisitke. Tani kanë mbetur vetëm gjashtë.”

Në mbarë botën mbrojtësit e mjedisit dhe arkeologët janë angazhuar për ruajtjen e Hasankeyfit. Kredidhënësit europianë u tërhoqën prej projektit energjetik të digës. Por as kjo nuk ndihmoi. Policia u është kundërvënë ashpër protestave në vend, siç ndodhi edhe në fund të korrikut.

Banorët e dinë se qyteti i tyre Hasankeyfi nuk mund të shpëtohet më. Por si do t’i bëhet më tej? Politikanët u premtojnë atyre një të ardhme të ndritur pranë digës: Abdullah Talhan, kryetari i bashkisë së Hasankeyf thotë:Kjo do të jetë diga më e madhe në Europë, 1.87 km e gjatë. Në brigjet e saj do të krijohen zona të reja, ku mund të peshkohet apo të organizohen ture me anije.”

Turistët në fakt nuk do të kenë dëshirë që të kthehen sërish në Hasankeyf për të peshkuar në digë. Ja si shprehet një turist: “Kjo është një trashëgimi e kulturës botërore. Asnjë lloj energjie nuk ka aq vlerë sa të shkatërrojë këtë trashëgimi.”

Kurse banorëve do t’u duhet ta nisin nga zeroja në Hasankeyfin e Ri pa e ditur se çfarë i pret e si u vjen e ardhmja. Çetin Yildirimer do të preferonte të vazhdonte t’u tregonte turistëve shpellat gëlqerore të kësaj zone. Më të vjetrat prej tyre janë rreth 3000 vjeçare. Dikur ato shërbenin si varreza, më vonë u kthyen në vendbanime. Deri në vitet 1970. Më vonë vetëm pak prej këtyre shpellave do të mbulohen prej ujit të digës. Shoqëruesi i ri i turistëve nuk arrin ta kuptojë, se si protesta kundër këtij projekti nuk ishte edhe më e madhe me jehonë mbarëbotërore: “E gjitha kjo nuk është se u përket vetëm njerëzve në Hasankeyf apo në Turqi. Ky vend i përket të gjithë njerëzve! Këtu është djepi i njerëzimit.”

Sidoqoftë këtej e tutje edhe për Yildirimer në vend të shpellave gëlqerore do të ketë një vendbanim të ri. Nga lugina poshtë ai ka sjellë dy fidanë pemësh dhe i ka mbjellë ato para shtëpisë së re. Nga vendbanimi i tij i mëparshëm për pak muaj nuk do të mbetet më asgjë më tepër se kaq.

Hasankeyfi i lashtë do të mbulohet përgjithmonë nga uji.

Burimi: DW

https://www.youtube.com/watch?v=IzGtC-w9C6U&feature=youtu.be

 

@tn.lajmelokale
@tetovanews