Ballina Opinione SI SHKRUHET EMRI RITA?

SI SHKRUHET EMRI RITA?

Nga Lirim Alija

Tragjedia e një populli nuk fillon atëherë kur shfaqen anomalitë dhe diskriminimi i tij, por kur ndaj këtyre heshtin artistët, poetët dhe intelektualët e të gjitha rangjeve. Ata, me talentin dhe guximin e tyre, duhet t’u bëjnë ballë sfidave të ndryshme që po ngulfasin shoqërinë në çdo sferë të jetës.
Kjo, natyrisht që nuk është e lehtë, ngase përbindëshi i së keqes nuk është diçka që mund të përballet në një arenë të mbyllur për t’i qëruar hesapet njëherë e përgjithmonë me të.

Raste të tilla ka patur kudo nëpër vendet e botës, ashtu siç ka patur edhe nga ata që vërtet ia kanë dashur të mirën popullit, e që nuk kanë kursyer asgjë, por gjithmonë janë përpjekur që të bëjnë gjëra me vlerë.
Mirëpo emrat e tyre janë shënuar me shkronja të arta në fletët e historisë dhe kështu do të mbeten përgjithmonë.

Por, çka po ndodh me ne sot..?!

A është e mundur që disa dekada të mos kemi arritur as edhe hijen tonë ta kapërcejmë?
Ose, a kemi të tillë në mesin tonë..?
Besoj se kemi plot…dhe nuk është e vështirë për ta kuptuar heshtjen e tyre.
Kemi vlera dhe thesare, që gjithsesi duhet të dalin në sipërfaqe. Ato, në mos lulëzofshin, do të grafullojnë; në mos grafullofshin…por assesi nuk duhet të lejojmë që këto të pëlcasin.

Fatmirësisht, kohës së fundit, kam vërejtur se disa gjëra të bukura kanë filluar të mugullojnë, që janë si ato gonxhet pranverore, ose si zambakë të bardhë liqeni.
Njëra prej tyre është Rita Behadini.
Këtë vajzë e kam njohur para disa vitesh, kuptohet, nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale dhe aktiviteteve që zhvillonte. Ajo që më ka bërë përshtypje më shumë, ka qenë fakti se ajo në shkrimet e saj, edhe pse mjaft e kujdesshme, më thoshte: nëse vëren ndonjë gabim drejtshkrimor, lirisht ma thuaj në koment, haptas. Kjo për mua ishte njëra nga pajisjet më sublime të një shpirti fisnik.

Mendoj se po të kishte koha gojë, shumicën nga ne do na kishte përbuzur, nga përtacia dhe neglizhenca, ndërsa me te do të kishte një sjellje krejtësisht ndryshe; bile koha do të ishte “ankuar” prej saj, sepse e shfrytëzon shumë atë. Ndonëse arritje më e madhe është që njeriu të jetë bashkudhëtarë me kohën, ajo shpeshherë e tejkalon atë dhe me një shpejtësi drite është duke ecur përpara. Shumë të rrallë janë ata të cilët e kanë këtë veçanti.

Siç thonë romakët:”Fati i ndihmon guximtarët”. E guxumtarët janë ata të cilët flakadanin e së vërtetës e bartin dhe e vëndojnë aty ku duhet, ku e ka vendin, pa e vrarë mendjen se gjatë rrugës dikujt mund t’ia djeg mjekrën, apo fytyrën.

Nga viti në vit, Rita e ka dëshmuar se energjia e saj është e pashtershme. Ajo është kudo: në aktivitete dhe manifestime, në ngritjen e zërit për të drejtat e studentëve dhe nxitjen e emancipimit të të rinjve e në veçanti të femrave të viseve tona.
Të gjitha këto që përmenda, deri diku mund të përshkruhen, por ajo që vërtet është vështirë t’i jepet një përkufizim i denjë, është aksioni i saj i fundit, sa simpatik aq edhe i guximshëm.

Ftesës së saj të emërtuar: SHTATORI KËTË MOT, ME ÇANTËN PLOT, iu bashkangjitën edhe disa bashkëmoshatarë tjerë dhe donatorë, të cilët ia dolën me sukses të grumbullojnë pajisje të shumta skolastike, nga fletore e çanta deri te veglat të gjithfarëlloji kinkalerish.
Ata, me këtë, shumë fëmijë kanë bërë të ndjehen të barabartë dhe natyrisht të lumtur; të lumtur që do ta fillojnë një vit shkollor të mbarë. Ndërsa fillestarët më tutje do ta mësojnë se emri Rita shkruhet me shkronja të mëdha dhe të arta; do ta mësojnë se emrin e saj është shumë lehtë për ta shkarkuar, dhe aq më shumë, për ta mbajtur mend.

Lirim Alija, 28 gusht 2019

Loading...