Ballina Bota Analiza Shtetet e Bashkuara dhe Europa Lindore

Shtetet e Bashkuara dhe Europa Lindore

Prej 102 vitesh, ana lindore e kontinentit është thelbësore në strategjinë amerikane që vigjëlon mbi kundërvënien ndaj çdo lloj aleance midis Rusisë dhe Gjermanisë. Sirenat kineze do ta dyfishonin interesin e Uashingtonit për ta forcuar praninë e tij ushtarake.

Nga Jacob L. Shapiro*

Shumë aspekte të politikës së jashtme aktuale e Shteteve të Bashkuara mund të përshkruhen me të drejtë si volatile. Nganjëherë, vetë funksionarët e administratës Trump nuk dinë se çfarë të presin nga Komandanti i Përgjithshëm. Ashtu sikur ky i fundit heq sanksionet ndaj Koresë së Veriut pa u konsultuar me të tijët. Ose siç kur Uashingtoni njofton tërheqjen e forcave ushtarake nga Siria, përveçse për të thënë dy muaj më pas se në terren do të qëndrojë një numër i caktuar ushtarësh. Akoma, politika zyrtare amerikane e trajton Kinën si rival që aspiron minimin e fuqisë amerikane në botë; kurse ajo praktike duket se kërkon një marrëveshje të mirë tregtare me Pekinin dhe pak tjetër. Ama në një aspekt nuk ekzistojnë dyshime dhe mëdyshje: impenjimi i Uashingtonit ndaj sigurisë së aleatëve dhe të bashkëpunëtorëve të Europës Lindore. Edhe pse Trump e të tijët kanë synuar që t’i përmbysin shumë prej iniciativave të spikatura të administratës Obama – nga pakti i bërthamores me Iranin tek TransPacifc Partnership, duke kaluar nëpër çështje të brendshme sip una e Affordable Care Act – nuk kanë bërë prapaktheu lidhur me ato të Europës Lindore. Bile i kanë forcuar më tej. Në javën përpara inaugurimit të Presidentit aktual, Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar një brigadë të koracuar në Poloni dhe dy muaj më pas Trump i ka dhënë dritën jeshile planeve të dërgimit po në të njëjtin vend të 1000 ushtarëve shtesë në kuadër të një operacioni më të gjerë të NATO-s, një organizatë normalisht e fshikulluar rëndë nga retorika e banorit aktual të Shtëpisë së Bardhë.

Siç edhe e kemi zbuluar më pas, qe vetëm fillimi. Sot Uashingtoni është në traktativa me Varshavën për të dërguar ushtarë të tjerë, deri edhe për të ndërtuar një bazë të përhershme ushtarake. Raportet me Rumaninë dhe tri republikat balltike mbesin të forta. Në dhjetorin e 2017, Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e armatimeve Ukrainës, midis të cilave raketat antitank Javelin – një gjest nga i cili administrate Obama kishte abstenuar për mesazhin që do t’i dërgonte Rusisë. Me pak fjalë, politika e jashtme amerikane në Europën Lindore është konsistencë, stabilitet dhe qartësi. Ka një goxha diferencë respektivisht mënyrës sesi Uashingtoni ka trajtuar aleatët e kalibrit të Koresë së Jugut dhe Filipineve, duke u kërkuar fillimisht lëshime tregtare, të ndanin barrën financiare dhe të kufizoheshin duke i dënuar aktivitetet kineze në ujërat e rivendikuara nga Manila në vend që të operonte për t’i lënë krejtësisht.

Fiksimi amerikan për Europën Lindore i paraprin – dhe me shumë kohë – administratave Trump e Obama. Në historinë e politikës së jashtme amerikane, raportet me Kontinentin e Vjetër mund të ndahen në dy epoka. Në të parën, nga viti 1776 deri më 1917, Shtetet e Bashkuara mbroheshin nga Europa. Shumë shpesh harrohet se armiku kundër të cilit kolonitë amerikane u bashkuan qe një fuqi europiane – Britania e Madhe – dhe se deri në Luftën e Parë Botërore ndërveprimet kryesore me aktorët e kontinentit kishin në thelb natyrë mbrojtëse. Gjithçka ndryshoi më 1917, kur Shtetet e Bashkuara ndërhynë në Luftën e Madhe për të parandaluar shfaqjen e një shteti gjerman në gjendje që të dominonte kështu kontinentin europian. Këtu e ka fillimin epoka e dytë, në të cilën gjendemi akoma sot dhe ku Uashingtoni ka shfaqur shkallë të ndryshme kontrolli mbi Europën.

Është e vështirë të mbivlerësohet rëndësia e ndryshimit të paradigmës të vitit 1917. Woodrow Wilson, Presidenti amerikan i asaj kohe, qe i pari që vizitoi kontinentin dhe 14 Pikat e tij formuan në fakt skeletin e periudhës së pasluftës. Është e pabesueshme të vërehet sesa prioritetet e tij mbesin të rëndësishme edhe sot për Shtetet e Bashkuara. Parimi i përgjithshëm ishte vetëvendosja: kombet duhet të ndërtohen në shtete kufijtë e të cilëve nuk përcaktohen domosdoshmërisht në bazë të gjeografisë apo të historisë, por nga një mazhorancë e madhe e një grupi specifik kombëtar. Në detaje, kjo qasje përkthehej në mundësinë për Austrinë dhe Hungarinë që të zhvilloheshin në «mënyrë të pavarur»; në (ri)krijimin e Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi dhe shteteve të tjera ballkanike; në përzënien e Turqisë nga kontinenti. Së fundmi, goditja fatale: krijimin e një Polonie të lirë e të pavarur, siguria e së cilës ishte e garantuar nga një koalicion fuqishë ndërkombëtare.

Në epokën e parë të marrëdhënieve me Europën, Shtetet e Bashkuara preokupoheshin thelbësisht për Perandorinë Britanike dhe, në masë më të vogël, për Francën e Spanjën, domethënë fuqitë e pajisura me një prani koloniale në Hemisferën Perëndimore dhe të kapacitetit për t’u projektuar ushtarakisht. Lufta spanjollo – amerikane e vitit 1898 zhduku në Shtetet e Bashkuara idenë se monarkia sklerotike iberike mund të përbënte kërcënim. Kurse konflikti i parë botëror pa në fakt Uashingtonin që të ngrinte shpatën përkrah Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës kundër një armiku të ri: Gjermanisë. Veç të tjerash, ndëhryrja amerikane ishte bërë e nevojshme edhe nga Revolucioni Bolshevik që e kishte hequr Rusinë nga luftimet, një zhvillim që do të mund t’i jepte Rajhut vilhelmian një pozicion dominues.

Nga viti 1917, strategjia amerikane në Europë është përqëndruar ndaj Gjermanisë dhe Rusisë. Jo rastësisht, të dyja fuqitë kishin dhe kanë nevojë për Europën Lindore që ta konsolidojnë pozicionin e tyre në kontinent, pozicion që do të mund ta përdornin për të sulmuar Shtetet e Bashkuara. Artikulimi më i famshëm gjerman i kësaj ideje i përket Adolf Hitlerit, fiksimi i të cilit për Lebensraum-in – gjetjen e një hapësire jetike për një popullsi gjermanike që do të duhet të arrinte në qindra milion individë – qe faktori kryesor shpërthyes i luftës shkatërrimtare të nisur më 1939 kundër Polonisë. Kurse për Rusinë Europa Lindore ishte një kushinetë vendimtare për të neutralizuar kërcënimin ndaj zemrës gjeografike të vendit, midis Moskës dhe ultësirës së Vollgës; shërbente edhe për t’u bërë një aktor i vërtetë europian dhe për t’u mbështetur mbi potencialin ekonomik e këtyre territoreve për të kompensuar varfërinë relative ruse. Nga vit 1917 qasja e Shteteve të Bashkuara ka qenë relativisht e thjeshtë në teori, por e komplikuar në praktikë. Gjermanisë dhe Rusisë i duhej penguar që të arrinin një pozicion dominues në Europën Lindore. Pas Luftës së Parë Botërore, Amerika u tërhoq dhe shmangu çdo impenjim aktiv në çështjet europiane dhe kjo periudhë izolimi pati pasoja të tmerrshme, parasëgjithash një rimishërim akoma edhe më djallëzor i kërcënimit gjerman. Nga këndvështrimi i Uashingtonit, Gjermania naziste duhej ndaluar, por për ta bërë një gjë të tillë Shtetet e Bashkuara duhej të krijonin një kauzë të përbashkët me Bashkimin Sovjetik, gjë që konkretisht, me përfundimin e konfliktit, pati efektin e cedimit të pjesëve të mëdha të Europës Lindore influencës së Moskës. Lufta e Dytë Botërore i dha fund tentativës hegjemoniste naziste në continent, por inauguroi një përplasje tjetër, kësaj radhe midis Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Sovjetik për të njëjtat territore që qe luftuar në periudhën 1939 – 1945.

Asnjë diskutim mbi Europën Lindore nuk mund të quhet i plotë pa u kuptuar ky fakt bazik. Ideja që kemi sot për këtë rajon është përkcaktuar nga perdja e hekurt që zbriti mbi ultësirat veriore akoma të mbrujtura me gjakun e 6 milion të vdekurve të konfliktit të dytë botëror, nga një pikëpamje gjeografike, shprehja «Europë Lindore» është e privuar nga domethënia. Përkundrazi, qartësia e saj përfundon sapo shqiptohet dhe kërkohet që t’i jepen konture të sakta. Në shekullin e XVIII, Gjermania sotme konsiderohej si lindore. Ama askush sot nuk do të ëndërronte ta cilësonte të tillë. Përkundrazi, sot «Europa lindore» bart me vete një lloj damke negative: nënkupton prapambetje, izolim, korrupsion. Provoni ta quani një çek, një sllovak apo një hungarez si «europianolindor»: do të protestonin dhe do ta quanin veten «qendroeuropianë», duke pretenduar se kanë shumë pak për të ndarë me popujt sllavë në kufijtë e tyre lindorë. Është këtu që edhe divergjon më shumë perspektiva midis dy anëve të Atlantikut. Europianët janë shumë të ndjeshëm ndaj miriadës së diferencave kulturore, fetare dhe etnike që mbushin kontinentin e tyre. amerikanët nuk e çmojnë në të njëjtën mënyrë ose, më mirë, e shikojnë këtë hapësirë si burim kërcënimesh shkatërrimtare, në rastin ku njerëzit që e banojnë nuk arrijnë të krijojnë kauzë të përbashkët. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Bashkimin Europian jo pse në favor të një bashkimi të shteteve europiane, por sepse arkitektura komunitare në formën fillestare të saj ua lidhte duart Francës dhe Gjermanisë. Sa më shumë dobësohet Rusia dhe Gjermania forcon influencën e saj mbi Bashkimin Europian, aq më dyshuese bëhet Amerika ndaj Brukselit dhe qëllimeve për të cilat mund të përdoret pushteti burokratik i këtij të fundit. Shpesh Uashingtoni e fshikullon Berlinin, fajtor se nuk i rrit shpenzimet ushtarake në 2% të PBB-së. Por nëse Gjermania do të fillonte seriozisht të riarmatosej, atëhere Shtetet e Bashkuara do ta fshikullonin menjëherë akoma më fort pikërisht pse ka bërë tamam atë që i është kërkuar.

Në një farë kuptimi, situata e sotme nuk ka ndryshuar shumë krahasuar me Luftën e Ftohtë. Gjermania është ribashkuar dhe është bërë një fuqi ekonomike, por fatalisht e varur nga tregu i përbashkët dhe pa vullnetin apo urgjencën për të krijuar një instrument të fortë ushtarak. Rusia është katandisur në një përmasë të menaxhueshme dhe nuk mund t’i kërcënojë seriozisht shtetet – kushinetë në Europën Lindore më të rëndësishëm për Uashingtonin. Polonia është më e sigurtë sot sa nuk ka qenë prej pothuajse një gjysmë mijëvjeçari. Zhvillimi i vetëm i vërtetë që Meriton të përmendet është pozicioni në gadishmëri i Kinës. Në fund të fundit, Europa është pjesë e Eurazisë dhe, ndërsa fuqitë europiane janë dobësuar, një e re po shfaqet nga Lindje e Largme, një fuqi e pajisur me imperativin strategjik për t’u bërë ai lloj hegjemoni euraziatik që Shtetet e Bashkuara e luftojnë prej më shumë se një shekulli. Le të supozojmë për një moment se Republika Popullore arrin një ditë që të mbizotërojë mbi kontradiktat e saj të brendshme. Është një supozim i guximshëm, por kur do që të ndodhë Perandoria e Mesit mund të paraqesë vërtet një kërcënim serioz për Shtetet e Bashkuara në Europën Lindore. Megjithëse kjo mundësi sot ka pak të ngjarë, fiksimi amerikan për Europën Lindore tani është dyfish i rëndësishëm. Garanci kundër rishfaqjes së fuqisë ruse apo gjermane, por edhe policë sigurimi kundër Kinës, kur do herë që fuqia e kësaj të fundit do ta kalonte nivelin e akrobacive publicitare. Shtetet e Bashkuara nuk kanë interes ta dominojnë Europën Lindore, por kanë të gjithë interesin që të mos lejojnë ta bëjë askush tjetër. Fakti që dy persona kaq të ndryshëm si Donald Trump e Barack Obama bien dakord mbi këtë pikë demonstron sesa e rëndësishme është – dhe do të vazhdojë të jetë – kjo copë e kontinentit për planifikimin strategjik e Shteteve të Bashkuara.

*Jacob L. Shapiro është drejtor i Analizave të Geopolitical Futures)=

Përgatiti: Armin Tirana

@tn.lajmelokale
@tetovanews