Ballina Bota SHBA trondit botën, tërhiqet nga traktati i forcave bërthamore

SHBA trondit botën, tërhiqet nga traktati i forcave bërthamore

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën të premten nga traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF) pasi Moska refuzoi të shkatërrojnë raketat e reja të prodhuara prej saj, për të cilat NATO-ja thotë se shkelin paktin.

“Rusia nuk arriti t’i rikthehej pajtueshmërisë së plotë e të verifikueshme përmes shkatërrimit të sistemit të ri të raketave që nisen nga toka (SSC-8 ose 9M729), me rreze të mesme veprimi” tha në një deklaratë sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

“Përgjegjësia për prishjen e traktatit është vetëm e Rusisë“, shtoi ai.

Zoti Pompeo tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara: “nuk do të jenë palë e një traktati që është shkelur qëllimisht nga Rusia. Mosrespektimi nga Moska e kushteve të këtij pakti rrezikon interesat kryesore të SHBA-së pasi prodhimi dhe dislokimi i një sistemi raketash që shkel traktatin, paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë“.

Të enjten, presidenti amerikan Donald Trump tha se shpresonte në arritjen e një marrëveshjeje të re për të zëvendësuar paktin historik të periudhës së Luftës së Ftohtë.

“Rusia kërkon të bëjë diçka me traktatin bërthamor dhe unë nuk kam kundërshtim. Ata do të donin të bënin diçka dhe unë gjithashtu“, tha zoti Trump duke iu përgjigjur një pyetjeje të Zërit të Amerikës të enjten pasdite.

Por duke folur në ambjentet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë përpara se të hipte në helikopterin presidencial zoti Trump tha se “nuk kishte diskutuar rreth traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi” gjatë një bisede që kishte pasur një ditë më parë me Presidentin rus Vladimir Putin.

Gjatë deklaratës së tij zoti Pompeo i bëri thirrje Rusisë dhe Kinës “t’i bashkohen mundësisë për të dhënë rezultate reale në fushën e sigurisë për vendet e tyre dhe për të gjithë botën“.

Me skadimin e traktatit, bota humbet “një mekanizëm të paçmueshëm që frenon luftën bërthamore”, u tha gazetarëve të enjten Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres. “Kjo ka të ngjarë të rrisë dhe jo të zvogëlojë kërcënimin që paraqesin raketat balistike”, tha ai.

Për muaj të tërë zyrtarët amerikanë kanë shprehur pakënaqësinë që Rusia nuk i dëgjoi thirrjet e zyrtarëve në Uashington dhe në Evropë për t’i dhënë fund shkeljes së traktatit.

Zyrtarët rusë pretendojnë se ata i kanë respektuar rreptësisht kushtet e traktatit dhe nuk kanë lejuar shkelje.

Një muaj më parë Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi ligjin që pezullonte pjesëmarrjen e vendit të tij në traktat, pesë muaj pasi administrata Trump ndërmori një hap të ngjashëm.

Pakti ka qenë një shtyllë për sigurinë evropiane për më shumë se 30 vjet. Ai ndalon prodhimin dhe dislokimin e raketave bërthamore me rreze veprimi prej 500 në 5,500 kilometra. Udhëheqësit evropianë, duke iu frikësuar një gare të re armatimi me prishjen e traktatit, i kanë bërë thirrje Uashingtonit dhe Moskës të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në përpjekje për ta ruajtur atë.

Marrëveshja e vitit 1987 u nënshkrua nga Presidenti amerikan Ronald Reagan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev. Falë saj, dy vendet u angazhuan të eleminojnë arsenalin e raketave me rreze të mesme veprimi.

Loading...