Ballina Aktualitet Opinione Kafka në Prishtinë: Një popull i mbyllur në kafaz

Kafka në Prishtinë: Një popull i mbyllur në kafaz

Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Këtë nuk e thonë politikanët e Prishtinës, e thotë Bashkimi Europian. Dhe prapë vizat mbesin në fuqi. Regjimi i vizave është jo më pak se racizëm burokratik ndaj banorëve të Kosovës. Shqiptarëve dhe pakicave. Gati dy milionë europianë me pasaporta biometrike vazhdojnë në jetojnë të mbyllur në kafaz. I vetmi popull në Europë. Madje edhe ukrainasit dhe gjeorgjianët udhëtojnë pa pengesa nga Finlanda në Spanjë.

Nga Enver Robelli«Pasaporta është pjesa më vlefshme e njeriut. Ajo nuk krijohet në mënyrë aq të thjeshtë si njeriu. Njeriu mund të krijohet gjithkund, me mendjelehtësi dhe pa ndonjë arsye të madhe, ndërsa pasaporta kurrë. Për këtë shkak ajo pranohet kur është e mirë, ndërsa njeriu sado i mirë të jetë prapë nuk pranohet».
Bertold Brecht, «Biseda me refugjatë»
Dikur, në fund të shekullit ‘19, për të udhëtuar nuk nevojitej vizë. Kush kishte para e dëshirë për të parë botën, mund të merrte «Orient Expressin», trenin më luksoz të kohës, dhe të përshkonte së paku gjysmën e Europës. Ky tren qarkullonte nga Parisi në Stamboll dhe ndodhitë brenda tij u kanë shërbyer autorëve si Agatha Christie dhe Graham Greene si shembull, model dhe inspirim për të shkruar romane.

Më vonë, duke filluar nga mesi i viteve ‘60 të shekullit ‘20, lidhjet me tren mes Turqisë dhe Ballkanit me Europën Perëndimore u shpeshtuan. Turq, shqiptarë, serbë, kroatë dhe boshnjakë udhëtonin me trena të veçantë, të ashtuquajtur «Gastarbeiterzüge», drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë për të punuar kryesisht në ndërtimtari. Ndodhën, pastaj, luftërat, kuptohet jo vetvetiu, por si pasojë e dalldisë nacionaliste. Kështu ishte në vitet ‘90. Treni nuk mbeti më mjet i popullarizuar udhëtimi drejt Europës. Njerëzit fatzi iknin drejt pjesës paqësore të Kontinentit të Vjetër me autobusë, vetura e kamionë dhe, pak para kufirit, zbrisnin, vraponin drejt maleve dhe kalonin kufijtë ilegalisht.

Luftërat në Ballkan tani i takojnë të kaluarës, së paku kështu thonë politikanët. Por, rruga drejt Europës Perëndimore për shqiptarët e Kosovës mbetet e bllokuar. Duhet vizë për të vizituar të afërmit në Gjermani, duhet vizë për të studiuar në Berlin, München, Zürich, Bernë apo Vjenë. Qytetarët e Kosovës nuk janë ende në Listën e Bardhë të Schengenit. Ata janë në Listën e Zezë, ndonëse ajo nuk ekziston zyrtarisht. Shtetet e Europës nuk po arrijnë të pajtohen për t’ia hequr vizat kosovarëve. E si do të jenë ato në gjendje të arrijnë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë?

Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Këtë nuk e thonë politikanët e Prishtinës, e thotë Bashkimi Europian. Dhe prapë vizat mbesin në fuqi. Regjimi i vizave është jo më pak se racizëm burokratik ndaj banorëve të Kosovës. Shqiptarëve dhe pakicave. Gati dy milionë europianë me pasaporta biometrike vazhdojnë në jetojnë të mbyllur në kafaz. I vetmi popull në Europë. Madje edhe ukrainasit dhe gjeorgjianët udhëtojnë pa pengesa nga Finlanda në Spanjë.

«Pra, pasaporta nuk është, siç kam menduar unë, një letër që dokumenton identitetin tonë, por një dokument që tregon se çfarë mendojnë të tjerët për identitetin tonë».
Orhan Pamuk, «Shikim nga dritarja ime»

Është kohë pushimesh dhe shumë njerëz të Kosovës kanë dëshirë të udhëtojnë. Nuk duan të kalojnë pushimet përherë në rajon. Për të braktisur rajonin, duhet secili t’i nënshtrohet një procedure torturuese. Duhet «termin», duhet pritur për «termin», kur të vijnë dita e «terminit», ti shkon aty si lypsar modern i shekullit ’21, shkon së paku një orë para kohës dhe zë vend në rend, në rendin e gjatë, ku secili ka nga një rrëfim, dikush do të shkojë te çika në Gjenevë, tjetri te djali në Berlin, te tezja në Vjenë – ose të vizitojë Romën apo Venedikun, Zürichun apo Münchenin. Por kur ti dëshiron të bësh këto udhëtime, zyrtari i vizave s’ka «termin», ti dëshiron të shkosh në tetor, ndërsa «termini» më i hershëm është në dhjetor apo janar, po, janar 2020. 21 vjet pas luftës së Kosovës, 21 vjet pas çlirimit, 21 vjet nën administrim ndërkombëtar dhe vendor, 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë: kosovarët janë të vetmit njerëz të Europës që gëzohen kur «marrin termin».

Të kërkosh një vizë është një përvojë pothuaj apokaliptike. Të marrësh një vizë, një betejë e pamatshme. Një torturë si në tregimin «Para ligjit» të Franz Kafkës. Shkrimtari nga Praga shkruan: «Para ligjit është derëtari. Një ditë te ai paraqitet një fshatar, i cili do të hyjë te ligji. Po derëtari i thotë se tani për tani nuk mund ta lerë të hyjë. Njeriu mendohet, pastaj e pyet nëse mund të hyjë më vonë. Ndoshta – i përgjigjet derëtari – po jo tani. Derëtari tërhiqet anash; e meqë dera e ligjit është përherë e hapur, fshatari përulet dhe e zgjat kokën për të parë brenda. Roja e vë re dhe qesh: Nëse të tërheq kaq shumë ligji – i thotë – përpiqu të hysh, megjithëse është e ndaluar. Po hap sytë: edhe se unë jam derëtari i fundit, jam goxha i fortë, mendo si janë të tjerët. Çdo sallë ka derëtarin e vet, njeri më i fuqishëm se tjetri. Mendo sa as unë nuk i bëj ballë as me vështrim të tretit».

Të kapërcesh njëqind dyer për të marrë një vizë. Në vitin 2019 Kafka do të ishte me qejf shkrimtar në Prishtinë. Por jo banor. Jo i dënuar të jetë i izoluar.

@tn.lajmelokale
@tetovanews