Ballina Bota Analiza Guvernatori i ri i Rusisë në Ballkan

Guvernatori i ri i Rusisë në Ballkan

Nga Shaban Murati

Emrat e ambasadorëve që shtetet e mëdha caktojnë në shtetet e vegjël, shprehin interesin ose painteresin e fuqive të mëdha për shtetin, ku i akreditojnë. Kur ambasadorët e rinj të shteteve të mëdha janë ujqër të diplomacisë, kjo duhet marrë si sinjal i zhvillimeve të reja të papritura jo vetëm në atë shtet, por edhe në atë rajon. Në këtë kuadër edhe emërimi i ambasadorit të ri të Rusisë në Serbi, Aleksandër Bocan-Harçenko, nuk duhet parë si një rutinë zëvendësimi, por si përurim i një faze të re të ofensivës së diplomacisë dhe të politikës ruse në Ballkan.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi publikisht entuziazmin e tij për këtë emërim diplomatik, duke e përkufizuar ambasadorin e ri rus si “anëtar i forcave speciale diplomatike ruse dhe një nder i jashtëzakonshëm për Serbinë”. Aleksandër Bocan-Harçenko është ndër arkitektët e politikës ruse në Ballkan në 25 vitet e fundit dhe emri i tij është ndër gatuesit e çdo intrige dhe destruktiviteti diplomatik rus në rajon. Në Dejton në bisedimet ndërkombëtare për luftën në Bosnjë ai përfaqësonte Rusinë me planin për krijimin e të ashtuquajturës “serpska republika” si kusht rus për heqjen dorë të Serbisë nga luf*ta në Bosnjë.

Në bisedimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës, ku ishte përfaqësues i Rusisë në trojkën BE-SHBA-Rusi, Harçenko ishte refuzuesi kryesor i konsensusit ndërkombëtar për planin Ahtisaari dhe partizani i vetos ruse në Këshillin e Sigurimit kundër pavarësisë së Kosovës. Në mandatin si ambasador i Rusisë në Sarajevë ai kulmoi politikën separatiste të “serpska republikës” dhe lidhjen e kukullës ruse Milorad Dodik me strategjinë e Moskës për mosfunksionimin e shtetit të Bosnjë- Hercegovinës për të penguar rrugën e atij shteti për integrim në BE dhe në NATO. Duhet theksuar se fryma e politikës ballkanike të Moskës dhe e strategjisë ruse në Ballkan, ku ambasadori i ri rus ka qenë ndër arkitektët kryesorë, është karakterizuar nga një antishqiptarizëm konstant i diplomacisë ruse, dhe në këtë linjë ai merr një detyrë të re strategjike për një ofensivë ndikimi në shkallë rajonale.

Emërimi i tij në Serbi tani nuk është i rastësishëm. Siç shkruante në 16 korrik portali i njohur “polygraph.info”: “Emërimi i Harçenkos si ambasador në Beograd shihet si sinjal i qartë për qëllimet e Moskës për të ruajtur dhe mundësisht për të rritur influencën e saj në Ballkan”. Ambasadori i ri rus në Serbi, ujk i vjetër i diplomacisë ruse, vjen jo vetëm për t’i shtrënguar vidat ruse Serbisë, por vjen për politikën dhe strategjinë ruse për të turbulluar gjithë Ballkanin.

Këtë platformë agr*esive të një ofensive të re diplomatike dhe të luftës hibride ruse në krejt rajonin e parashtroi pa asnjë veshje diplomatike vetë ambasadori i ri rus në Beograd në një intervistë me agjencinë zyrtare serbe të lajmeve “Tanjug” në 1 gusht, një javë pas paraqitjes së letrave të tij kredenciale.

Nuk do ta besoni deklarimin e tij, kur e shpall veten jo thjesht ambasador i Rusisë në Serbi, por merr përsipër rolin e një guvernatori për krejt Ballkanin. Ja fjalët e tij në ligjëratë të drejtë, sipas portalit të njohur serb “B92” të datës 1 gusht: “Bashkë me Serbinë, unë do të përpiqem që të rivendos ligjin ndërkombëtar në rajon, në radhë të parë kur është fjala për çështjen e Kosovës. Unë e konsideroj rivendosjen e ligjit ndërkombëtar në rajon detyrën time kryesore si ambasador i Rusisë në Serbi”. Fakti se me këtë gjuhë megallomane të kohës së Traktatit ushtarak të Varshavës flet një nga diplomatët më të vjetër të MPJ të Rusisë, do të thotë se ka një ngutje nga diplomacia ruse për t’u hedhur sa më parë në një betejë të re panballkanike. Guvernatori rus shpalli detyrën e tij kryesore, por ka caktuar edhe gar*dianin rajonal policor e ushtarak, Serbinë, për të detyruar Ballkanin të rreshtohet në ligjin ndërkombëtar rus.

Në aspektin diplomatik është e pazakontë një pretencion kaq i madh gjeografik dhe diplomatik i një ambasadori, pavarësisht se përfaqëson një shtet të madh, se ka ardhur në Beograd të rivendosë ligjin ndërkombëtar në gjithë rajonin. Duket si një ambicie në fabulën e njohur të La Fontenit, kur i jep vetes skeptrin e guvernatorit të rajonit. Se çfarë i lejohet nga qeveria dhe nga shteti serb ambasadorit të ri rus në Beograd për të bërë çfarë t’i dojë qejfi në vendin ku është akredituar, është çështje e brendshme e Serbisë. Por që të pretendojë të drejtën dhe forcën për të rivendosur ligjin ndërkombëtar në gjithë vendet e rajonit, kjo është një barrë atlasiane, që as ambasadori i Rusisë në Beograd dhe as vetë presidenti Putin nuk e mban dot. Rusisë as ia ka kërkuar, as ia ka ngarkuar dhe as ia lejon ndonjë shtet i Ballkanit, përveç Serbisë, që të bëjë ligjin në to. Ambasadori rus nga përvoja e gjatë diplomatike me Ballkanin e di se të gjithë shtetet e rajonit janë të përfshirë me dëshirën e tyre në rrugën e anëtarësimit në BE. Vetë Serbia është shtet kandidat i BE dhe ka hapur bisedimet e pranimit, ku ka përfunduar 16 kapituj nga 35, që duhen nënshkruar. Në rajon ka dhjetë shtete, të cilat janë anëtarë të aleancës ushtarako-politike të NATO-s. A ka logjikë që pranon absurdin e ambasadorit rus se do të rivendosë ligjin ndërkombëtar rus në dhjetë shtete të NATO-s, nga Kroacia e deri në Turqi?

Përtej ambicies ireale të ambasadorit të ri apo guvernatorit të ri rus në Beograd për të rivendosur ai ligjin ndërkombëtar rus në Ballkanin euroatlantik, ka interes të shihet domethënia e vërtetë e pretendimeve guvernatoriale të ambasadorit rus në Serbi. Kemi sinjalin e një faze të re të ndërhyrjes së Rusisë në rajon, duke e destabilizuar rajonin dhe duke u përpjekur, që nëpërmjet destabilizimit, të rrisë influencën ruse në rajon. Kuptohet se atij dhe Rusisë i duhet një shtet satelit në rajon si instrument kryesor për turbullira rajonale dhe leva e vetme diplomatike e Rusisë në Ballkan mbetet Serbia. Ndaj Harçenko u shpreh se “Moska është vendosmërisht konfidente se Serbia do të luajë një rol kruçial në rajon”.

Momenti, që diplomacia ruse e vlerëson të përshtatshëm për manipulimin rajonal tëSerbisë, është çeshtja e dialogut dhe e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat janë aktualisht të ngrira, dhe ka një lëvizje gjallëruese në radhët e fuqive të mëdha për t’i dhënë fund këtij ngërçi ballkanik. Moskës nuk i intereson një zgjidhje dhe normalizim i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Moskës i intereson një tension i përhershëm midis dy shteteve me qëllim që Rusia të pengojë zgjerimin e mëtejshëm të BE dhe të NATO-s në rajon. Është e qartë se, nëse marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës normalizohen nëpërmjet njohjes reciproke si shtete të pavarura, Serbia plotëson kushtin e vënë nga Brukseli për anëtarësim në BE, dhe Kosova me plotësimin e njohjeve nga katër shtete atlantike, që nuk e njohin, plotëson kushtin të anëtarësohet në NATO. Këtë perspektivë Rusia po përpiqet ta bllokojë me çdo kusht, duke i diktuar Serbisë një qëndrim më obstruksionist në marrëdhëniet me Kosovën dhe me Perëndimin. Jo rastësisht ambasadori i ri rus në Serbi, duke shkelur protokollin diplomatik, e nisi veprimtarinë e tij zyrtare ende pa paraqitur letrat kredenciale, duke sulmuar në të katër anët e Beogradit BE-në dhe SHBA-në për orientimin euroatlantik të Ballkanit.

Qëndrimet agresive të ambasadorit të ri rus në Beograd ndaj Kosovës dhe ndaj Ballkanit duhet të shërbejnë si shkundje e fortë për iluzionet, që mund të jenë krijuar në Prishtinë, në Tiranë apo në ndonjë kryeqytet europian proserb, se Moska mund të tregohet fleksibël ndaj Kosovës. Sidomos pas takimit të pandriçuar të presidentit rus Putin me presidentin e Kosovës Thaçi në 11 nëntor 2018 në Paris, idiotët e dobishëm të Rusisë dhe të Serbisë në Prishtinë dhe në Tiranë nisën të përhapin shpresa të rreme për një kthesë të Rusisë. Dhe tani kemi përgënjeshtrimin zyrtar të ambasadorit të ri rus në Serbi, i cili në datën 1 gusht 2019 afishoi në mënyrë kategorike qëndrimin e Rusisë, duke deklaruar: “Kur ne kërkojmë zgjidhje për Kosovën ne nisemi nga ajo që Kosova është pjesë e Serbisë”.

Diplomacia ruse po nxiton të përfitojë jo vetëm nga stanjacioni në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, por edhe nga dështimi i BE e më konkretisht i nismës franko-gjermane për një zgjidhje të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Moska po punon ta komplikojë edhe më shumë situatën, duke hedhur në qarkullim diplomatik, siç bëri Harçenko në 1 gusht, tezën e zgjidhjes së “çështjes së Kosovës” dhe jo çështjen e normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve të pavarura. Me tezën e vdekur të “çështjes së Kosovës” Moska kërkon rikthimin tek çështja e statusit, kërkon të shvleftësojë jo vetëm pavarësinë e shtetit të Kosovës, e cila u sanksionua nga Gjy*kata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik 2010, por edhe gjithë përpjekjet e faktorit perëndimor për finalizimin e marrëveshjes Serbi-Kosovë. Rusia po kërkon kthim antihistorik mbrapa me qëllim që të legalizojë praninë dhe ndërhyrjen e saj në çështjen e dialogut Serbi-Kosovë, por edhe në krejt Ballkanin Ambasadori i ri rus e parashtroi hapur këtë qëllim, kur theksoi se Rusia është gati të marrë pjesë për ndërmjetësim në bisedimet Serbi-Kosovë me kushtin që të merren në konsideratë interesat e Rusisë.

Ardhja në Serbi e një ambasadori rus të regjur me intrigat diplomatike në Ballkan, si dhe platforma e ofensivës së re agresive diplomatike ruse në rajon, duhet të tërheqin vëmendjen e qeverive dhe të diplomacisë në Prishtinë dhe në Tiranë. Duhet te reflektojnë, sepse kemi një sinjal që paralajmëron intriga të reja më të sofistikuara diplomatike të Rusisë kundër Kosovës dhe kundër kombit shqiptar. Në të njëjtën kohë meriton vëmendjene dhe të diplomacisë euroatlantike, sepse jemi para një shkallëzimi të agre*sivitetit dhe të ndërhyrjes diplomatike dhe politike të Rusisë në Ballkan. Guvernatori i ri rus në Ballkan po pretendon publikisht të rivendosë ligjin ndërkombëtar rus në gjithë shtetet e rajonit, deklaratë që është pohim i një faze të re të ndërhyrjes më të gjerë ruse në rajon. Duke qenë se ambasadori i ri rus nuk është diplomat riosh që matet me hijen e mëngjesit, por një diplomat i shkollës së vjetër sovjetike dhe arkitekt i politikës ballkanike ruse për afro çerek shekulli, kjo do të thotë që sinjalet e tij, jo vetëm duhen marrë seriozisht, po edhe të bëhen përgatitje për të përballuar të papriturat dhe intrigat e reja diplomatike ruse në të gjithë Ballkanin.

Në fund një këshillë për qeverinë e Shqipërisë: në vendet e rëndësishme dërgoni ambasadorë, jo postierë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews