Ballina Lajme Bashkësisë Islame i bëhen të papërdorshëm 21 ton mish kurbani

Bashkësisë Islame i bëhen të papërdorshëm 21 ton mish kurbani

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka asgjësuar 21 ton mish gjedhi që i përkiste Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), raporton Anadolu Agency.

Në një përgjigje me shkrim për AA, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, tha se ka qenë kërkesë e vetë zyrtarëve të BIK-ut, të cilët kanë dyshuar “mbi sigurinë e kurbaneve”. Ai tha se mishi ka qenë i deponuar në depon e kontraktuar në Veternik të Prishtinës dhe ishte dedikuar për shpërndarje tek qytetarët.

“Pas inspektimit të detajuar, inspektorët kanë vlerësuar se fillimisht mishi i deponuar aty nuk është ngrirë me kohë. Kapaciteti ftohës së depos nuk ka arritur që të ngrij mishin në temperaturën e nevojshme ruajtëse dhe si pasojë ka ardhur deri tek kontaminimi apo prishja e mishit. Nga kontrolli fizik dhe organoleptik është konstatuar se mishi ka filluar të ndryshojë ngjyrë. Disa nga paketimet kanë pasur rrjedhje gja^ku, që dëshmon se mishi është shkrirë dhe ka filluar të kundërmojë erë”, tha Thaçi.

Rrjedhimisht, bazuar në ligjet në fuqi të Kosovës, AUV thekson se inspektorët vendosën për asgjësimin e këtyre 21 ton të mishit ngase “nuk i plotëson kushtet për konsum”.

“Menjëherë, Bashkësia Islame ka krijuar kushtet për asgjësim sipas vendimit të inspektorëve. Asgjësimi ka filluar sot dhe është duke u kryer nga kompania pastrimit të mbeturinave, në deponinë e mbeturinave në Obiliq nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së”, tha Thaçi.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, për AA konfirmoi se ka qenë kërkesë e BIK-ut kontrollimi i mishit të kurbaneve.

“Po, është e vërtetë, ka qenë iniciativë e jona që kemi kërkuar që ata të vijnë për inspektim të mishit, sepse kemi dyshuar në kualitetin e tij. Nesër do të dalim me një sqarim zyrtar rreth këtij rasti nëpërmjet një konference”, tha Sadriu.

Sadriu bëri të ditur se mishi i prishur ka qenë mish i kurbaneve dhe ka qenë i destinuar për familjet në nevojë, por shtoi ai, për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme për mirëmbajtjen e tij ka ndodhur që ai të bëhet i pakonsumueshëm.

Loading...