Ballina Opinione Tetova nën drejtimin e Teuta Arifit, 7 vjet letargji

Tetova nën drejtimin e Teuta Arifit, 7 vjet letargji

Albi Qamili

Teuta Arifi, shtatë vite menaxhim me Komunën e Tetovës dhe të mos arrish të realizosh platformën politike, është tmerruese kur e dëgjon këtë për një qytet siç është Tetova.

Cilat ishin premtimet e kryekomunares Teuta Arifi gjatë fushatës në zgjedhjet lokale! Platforma e Arifit teoritikisht ishte ideale, por sa kjo platformë u realizua në mandatin e parë të saj? Asgjë! Përveç kësaj, platforma nuk realizohet dot as në mandatin e dytë të saj.

Tetova është i vetmi qytet në vend që vazhdon të përballet me mungesën e ujit, kaos të trafikut/mungesë të transportit publik, infrastrukturë të denjë, parkingje. Tetova vazhdon të mbetet poashtu si qyteti me numër rekord të deponive të egra. Mbeturinat në pjesën e poshtme në Tetovë rreth lumit Shkumbin mbeten aty me vite. Tetova akoma me rrjet të vjetruar të ujësjellësit. Në shumë lagje të Tetovës apo në rrugë kryesore ka shumë defekte në rrjetin e ujësjellësit të Tetovës dhe tashmë këto defekte janë shpeshtuar dukshëm si pasojë e temperaturave të ulëta.

Një ndër shtyllat e programit politik të Arifit ishte edhe Rinia, sporti dhe rekreimi. Të rinjtë në Komunën e Tetovës nuk përkrahen në ëndrrat e tyre. Në programin e saj politik tha se Qyteti i Tetovës është pa asnjë qendër rekreativo-sportive për të rinjtë dhe qytetarët. PO! është e vërtetë dhe akoma Parku për fëmijë në Reçicë të Vogël nuk është realizuar, ashtu siç premtoi se do ta bënte. Parku i bletëve afër lumit Shkumbin vazhdon të mbetet i parregulluar dhe vetëm me disa shtigje për ecje. Zona peshkimi? Nuk dihet se në Tetovë ka ndonjë zonë peshkimi që e ka inicuar Teuta Arifi. Është e pamundur të mendosh se qyteti vuan për shtigje për biçikleta dhe kjo krejt falë mos përmbushjes së premtimit të kryetares aktuale.

Për disa vite rradhazi të qeverisjes lokale, qytetarët kanë dhënë shumë afate kohore për mundësimin e një jete më të mirë, mirëpo në asnjërin prej këtyre afateve nuk u arrit një gjë e tillë, e në veçanti nga qeverisja aktuale lokale. Gjatë fushatës, Arifi foli edhe për qytetarinë aktive, por kjo ishte thjeshtë një angazhim utopik.

VIDEO bonus:
Loading...