Ballina Aktualitet Lajme Shkupi i pa interesuar për Çarshinë

Shkupi i pa interesuar për Çarshinë

Buxheti vjetori i Qytetit të Shkupit lëviz mes 65 dhe 70 milionë euro. Për mbledhjen e këtyre mjeteve, kontribut të konsiderueshëm japin edhe dyqanxhinjtë e Çarshisë së Shkupit. Megjithatë, vite me radhë, por edhe sot kur me qytetin udhëheq Petre Shilegov, asnjë investim kapital nuk është realizuar në këtë pjesë historike të Shkupit

Omer XHAFERI

Shkup, 10 korrik – Ashtu siç çdo administratë e Qyteti të Shkupit, edhe kjo e kryesuar nga kryetari Petre Shilegov, shumë pak është e interesuar për investimet kapitale në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Përpos disa ndërhyrjeve të vogla (rregullimin e disa trotuareve, vendosjen e shtyllave të hekurit etj) nga marrja e mandatit e deri më tani, Qyteti i Shkupit s’ka investuar asgjë në kompleksin historik të Çarshisë. Kjo situatë vazhdon të ndodhë përkundër premtimeve parazgjedhore që Shilegov i dha esnafit të Çarshisë. Duke e komentuar gjendjen aktuale të Çarshisë, Diamant Nagavci, një esnaf i vjetër, për gazetën KOHA thotë se falë disa projekteve nga Bashkimi Evropian, rrugët e Çarshisë së Shkupit po përjetojnë një farë gjallërie.

“Shilegov në fushatë ka përmendur të gjitha ato se do ti bëjë, por nuk i ka bërë. Falë disa projekteve të BE-së, Çarshia po përjeton disa lëvizje pozitive. Projektet kanë te bëjnë me revitalizim infrastrukturor, që në një mënyrë e obligon Qytetin e Shkupit, Çairin dhe Qendrën të vendosin rend, respektim të Ligjit dhe shërbime komunale me cilësore. Veprimet e para vetëm se kanë filluar dhe po shihet pak dritë në fund të një tuneli të errët në të cilin jemi gati se 25 vite”, thotë Nagavci.

Një prej shumë premtimeve që kryetari Shilegov ia dha ESNAFIT të Çarshisë së Shkupit ishte ndryshimit i orarit të punës gjatë sezonit veror. Megjithatë, deri më tani, Këshilli i Qytetit të Shkupit ende nuk e ka miratuar një vendim konkret. Me qëllim rregullimin e çështjes së hyrjes-daljes së mallrave, ai pati premtuar edhe vendosjen e një trau në hyrje të Çarshisë së Shkupit. Por as kjo nuk ka ndodhur. Madje, si pasojë e dëmtimit të shtyllave elektrike nëpër rrugët e Çarshisë së Shkupit, dominojnë automjetet e llojeve të ndryshme. Kohë pas kohë, kjo pjesë historike më tepër i ngjanë një kantier ndërtimi.

“Gjatë dy-tre javëve të kaluara, ne në koordinim me Komunën e Çairit, Komunën Qendër dhe Inspektoratin e qytetit filluam me largimin e tarracave të egra, me qëllim krijimin e një pamje normale. Fatkeqësisht, ne si qytet nuk kemi mekanizma që ti rregullojnë çështjet e parregullsive në komunikacion. Ajo është çështje e MPB-së. Por e vërtet është se paralajmëruar vendosjen e një Agjencie për sigurim në Çarshi. Në këtë projekt ende jemi duke punuar, për shkak se duhet të përfundohet sistemi i sigurisë të cilën Çarshia e punon me Telekomin. Më pas do të vendosim sigurim fizik. Por edhe ata njerëz nuk do të ketë kompetenca për komunikacionin e automjeteve, mirëpo vetëm sigurim fizik si mbështetje e video-mbikëqyrjes që do të jetë”, tha kryetari Shilegov për gazetën KOHA.

Ndryshe, Qyteti i Shkupit vitin e kaluar drejtë bulevardit “Kërste Petkov Misirkov”, në afërsi të Bit Pazarit dhe Çarshisë së Shkupit, hapi një taksi stacioni të ri, me të cilën pritej të lirohet njëra prej hyrjeve të Çarshisë. Megjithatë, edhe pse ky taksi-stacion u ndërtua, kaosi dhe parregullsitë e shumta janë evidente në terren. Në kuadër të këtij projekti ishte paraparë edhe ndërtimi i një taksi-stacioni në Kalanë e Shkupit, por i njëjti deri më tash nuk rregulluar. Gjatë dy dekadave të kaluar, duke filluar nga koha kur me Qytetin e Shkupit ka kryesuar Trifun Kostovski e më pas nga Koce Trajanovski, në Çarshinë e Shkupit janë bërë vetëm dy investime kapitale. Ndërtimi i një pjesë të kalldrëmit në rrugën “Bit Pazarska” dhe vendosja e sistemit të ndriçimit, gjegjësisht instalimit të kandelabrave . Kur jemi te këto fundit, si rezultat i prezencës së madhe të automjeteve (veturave, motorëve), janë dëmtuar një numër i konsiderueshëm i shtyllave për ndriçim në Çarshinë e Shkupit. (koha.mk)

@tn.lajmelokale
@tetovanews