Ballina Aktualitet Meta: Zgjedhje lokale, parlamentare dhe presidenciale me 13 tetor (VIDEO)

Meta: Zgjedhje lokale, parlamentare dhe presidenciale me 13 tetor (VIDEO)

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta prezantoi propozimet e tija për dalje nga kriza politike. Ai sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama për krizën e tanishme, por edhe disa qarqe të tjera.

Presidenti Ilir Meta, tha të martën (2.07.2019) se zgjedhjet e ligjshme lokale 2019 në Shqipëri do të zhvillohen më 13 tetor, sipas dekretit të tij, të javës së kaluar. Në një konferencë shtypi Meta tha se në “30 qershor u bënë vetëm votime socialiste”, ndaj kriza politike vazhdon. Si rrugë të daljes prej saj Meta propozoi zhvillimin më 13 tetor jo vetëm të zgjedhjeve lokale por edhe të atyre “parlamentare dhe presidenciale”.

Presidenti Meta pohon se në zgjedhjet parlamentare do të kandidojë edhe ai vetë, përballë “cilit do kandidat që kryeministri Rama dëshiron”. Presidenti Meta doli kundër qëndrimit të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, ndaj zhvillimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe rezultatit të tyre.

BE dhe SHBA njohin rezultatin

BE dhe SHBA njohin rezultatin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Përfaqësuesit e tyre në Tiranë i kanë cilësuar këto si zgjedhje të rregullta. Ndërsa kryetarëve të ri të bashkive u kanë sugjeruar të fillojnë punën. Komisioni Europian dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë, në deklaratat e tyre, në mbrëmjen e të hënës, (1.07) e shohin rrugën e daljes nga kriza politike në “dialogun konstruktiv” mes palëve.

SHBA-ja u sugjeron atyre që nuk i pranojnë zgjedhjet e 30 qershorit që të presin vendimet e organeve juridike. “Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin nga Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane në Tiranë. Megjithatë Presidenti Meta pohon se “vendimet e tij përputhen me interest strategjike te SHBA në Shqipëri dhe rajon”.

Rezultatet paraprake të KQZ

Sipas rezultateve të publikuara të martën (2.07) kandidatët për kryetarë bashkie të Partisë Socialiste (PS) kanë fituar në 60 nga 61 bashki, sa ka gjithsej Shqipëria. Në 31 prej tyre, kandidatët socialistë fituan garën pa asnjë konkurrent përballë. Vetëm në një bashki, në atë të Finiqit, rezultatet paraprake nxjerrin fitues për kryetar bashkie, kandidatin e partisë MEGA (Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen). Ambasadorja Audrey Glover, në një intervistë për DW tha të hënën (1.07) se ” u takon autoriteteve të Shqipërisë të vendosin se ҫfarë do të bëjnë me rezultatin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit”.

PD – kundër

Opozita jashtë parlamentit, e drejtuar nga Partia Demokratike, nuk i njeh zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ajo deklaron paraprakisht, se do të bojkotojë edhe zgjedhjet e 13 tetorit, nëse ato zhvillohen në rrethanat kur Gjykata Kushtetuese, që pritet të ngrihet në fund të këtij muaji, merr vendimin për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Lideri i PD dhe gjithë opozitës, Lulzim Basha deklaroi se “opozita nuk merr pjesë në zgjedhje pa larguar kryeministrin Rama”. Basha refuzoi ftesë për dialog dhe marrveshje të kryeministrit Rama pas zhvillimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Ende nu ka asnje njoftim nga PD nëse do të rifillojë protestat “Rama IK”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews