Ballina Lajme Me nderime kombëtare dhe fetare iu dha lamtumira e fundit Shaban Zendelit

Me nderime kombëtare dhe fetare iu dha lamtumira e fundit Shaban Zendelit

Familjarët, miqtë, bashkëfshatarët dhe bashkëveprimtarët ia dhanë lamtumirën e fundit Shaban Zendelit, drejtor i hekurudhave, intelektual dhe personalitet i shquar i jetës politike në Kumanovë e Likovë.

Ai ka nderuar jetë dje, kurse me nderime fetare e kombëtare është va*rrosur në vendlindjen e tij, fshatin Orizare të Likovës.

Në ceremoninë e va*rrimit, fjalim mjaft emocional ka mbajtur kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, mik dhe bashkëveprimtar i afërt i të ndjerit Zendeli.

I dashuri z. Shaban, e paimagjinueshme, por e vërtetë.
Unë, miku yt, Afrim Gashi, po qëndroj pranë varrit tënd dhe po të flas derisa ti ke kaluar në botën reale, ndërsa unë vazhdoj të qëndroj në jorealen. Dhe, si të nxjerrësh fjalë e si të thurësh mendime kur as vetë ende nuk e kam bindur veten se ne jemi ndarë përgjithmonë?!

Unë edhe sot po të drejtohem, si gjithnjë, me zotëri Shaban, sepse ti vërtet ishe dhe mbete simbol i njeriut zotëri.
E në këto çaste të pikëllimit të thellë dhe mungesës së fjalëve, kur heshtja dhe loti jonë flet më shumë se çdo fjalë, do të më lejoni që në emër të Alternativës, në emër të shokëve dhe miqve që sot janë thyer dhe janë pikëlluar, të them dy-tri gjëra duke u ndarë nga njeriu që për kaq kohë të shkurtër na ka bërë të gjithëve për vete dhe që sot na ka mërzitur kaq shumë.

Të dashur të pranishëm në këtë varrim, Shaban Zendeli është njeriu me të cilin në këto pesë vitet e fundit – sa jemi njohur, kemi bërë beteja nga më të ndryshmet për një sistem të ri të vlerave, të moralit e të dinjitetit të njeriut shqiptar në vendin tonë. Dhe, më duhet t’ia them sot, sepse nuk pata mundësi t’ia them sa ishte i gjallë në mesin tonë: z. Shaban, vetëm kur ti u bashkove me ne, ne ndjemë se tashmë në mesin tonë kishim një njeri të urtë, të drejtë, të guximshëm dhe të paepur. Ne të gjithë u mahnitëm me maturinë tënde, me guximin tënd dhe me përkushtimin tënd. Vetëm pas ardhjes tënde ne, për herë të parë, e ndjemë fuqishëm se jemi në rrugë të mbarë dhe ashtu na u shtua vetëbesimi, sepse pamë që kauzës sonë po i bashkoheshin edhe njerëz me virtyte të tilla.

Të dashur të pranishëm në këto çaste pikëllimi, sot kur po ndahemi nga një njeri i madh dhe nga një mik i shtrenjtë, më duhet t’jua kujtoj se Zoti çdo qenie njerëzore e ka krijuar me një mision. Dhe, kur ai e përfundon misionin, Zoti nuk e lë më të vuajë në këtë botë të rënduar nga pasioni dhe egoja. Qeniet që e kryejnë misionin në këtë botë, nuk i përkasin më kësaj bote. Andaj kalojnë tutje në botën tjetër. I tillë ishte edhe z. Shabani.

Të dashur pjesëmarrës të këtij va*rrimi,

Disa njerëz vijnë në botë si fragmente të drejtësisë,
Disa njerëz vijnë në botë si fragmente të bujarisë,

Disa njerëz vijnë në botë si fragmente të urtësisë,
Disa njerëz vijnë në botë si fragmente të guximit dhe trimërisë,
Disa njerëz vijnë në botë si fragmente të diturisë,
Disa njerëz vijnë në botë si fragmente të sakrificës,

Ndërsa, ti, Shaban Zendeli, erdhe, jetove dhe shkove andej, duke na lënë gjurmë të të gjitha këtyre virtyteve, që Perëndia rrallë i bashkon te një njeri i vetëm. Andaj ne mburremi që të njohëm dhe do të jemi krenarë gjithë jetën që jetuam në kohën e Shaban Zendelit.

Duke qenë besimtarë dhe duke besuar se njeriut i rrjedhin shpërblimet edhe pas vdekjes, dëshiroj të ndahem duke thënë se Shaban Zendeli ka lënë pas vetes fëmijë që do të mburren me babanë e tyre dhe që gjithë jetën do të luten për të, duke e kujtuar si një prind të jashtëzakonshëm. Dhe, inshaallah, Zoti i shndërron lutjet e tyre në fllad të mëshirës hyjnore andej.
Po ashtu Shaban Zendeli ka lënë pas vetes shumë vepra të mira, që do të vazhdojnë të rrjedhin gjithmonë. Andaj sa herë që dikush do të përfitojë prej tyre, inshaallah Zoti e freskon atë andej.
Dhe, përfundimisht, Shaban Zendeli ka lënë pas vetes shumë miq, kolegë, shokë, bashkëpunëtorë dhe dashamirë, që gjithmonë kur do të përmendet emri i tij, do ta kujtojnë me mall e dashuri dhe do të luten për shpirtin e tij. E, inshaallah, Zoti, për shkak të lutjeve të tyre, e paqëton edhe atë andej.

Vëllezër të dashur, ata që e besojnë Zotin, e dinë se Ai nuk vdes kurrë, ndërsa ata që e kanë dashur dhe admiruar Shaban Zendelin, ai ka ndërruar jetë dhe ne sot e kthyem aty ku do të kthehemi të gjithë një ditë.

I dashuri dhe ndjeri Shaban Zendeli, caktimi i Zotit paska qenë i këtillë. Ne këtu po ndahemi fizikisht prej teje, por jo edhe prej kujtimit për ty. Ti shkove para nesh, ndërsa ne do të vijmë pas tej. Në dashtë Allahu, do të bashkohemi në xhenetit e Tij.

Lamtumirë z. Shaban. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty dhe Zoti të mëshiroftë e të shpërbleftë me xhenet!

Afrim Gashi, kryetar

Orizare – Kumanovë, 11 korrik 2019

Loading...