Ballina Aktualitet Lajme Këtë javë fillojnë shkarkimet e drejtorëve në institucionet qeveritare (Video)

Këtë javë fillojnë shkarkimet e drejtorëve në institucionet qeveritare (Video)

U dhanë afate të ndryshme dhe afate kohore nga kryeministri Zoran Zaev, për përfundimin e të ashtuquajturës “fshesës” , proces ky që në fazën tretë do të përfshijë 50 poste të reja në institucionet e vendit. Ajo që së fundmi ka premtuar kryeministri Zaev është se i gjithë ky proces pritet të përfundojë deri në fund të korrikut. Javën e ardhshme pritet që të bëhet ndërrimi i zëvendës ministrave dhe drejtorëve të institucioneve. Zaev tha se bëhet fjalë për më shumë se 20 poste drejtorësh në nivel qendror dhe më shumë se 30 poste në nivel lokal.

Kjo duhej të ndodhte të martën e javës që lamë pas, por të njëjtën Zaev tha se do ta shtyjë për të martën që do të vijë. Në opinion u përfol për emra të ndryshëm që do të përfshijë rikonstruimi, mirëpo nga Qeveria nuk është dhënë asnjë detaj tjetër nga ky proces dhe bisedimet mes partnerëve të koalicionit qeveritar, po zhvillohen në heshtje.

Vala e parë e riformatimit të Qeverisë u bë në fillim të muajit korrik, me ndërrimin e vetëm disa ministrave dhe shkarkimin e ministrit të Financave Dragan Tevdovski, duke rezervuar këtë post për kryeministrin Zoran Zaev. Mirëpo pas konstatimit se ai nuk mundej ta kryente edhe funksionin e ministrit të financave, në udhëheqësi u vendos Shirete Elezi, por megjithatë vendimet sa i takojnë kësaj ministrie edhe më tej do t’i marrë Zaevi.

“Fshesa” e Zaevit nisi me punë që nga partia e tij. Në qershor, 78 kryetarë të organizatave komunale u shkarkuan nga pozita. U shkarkua i gjithë Bordi ekzekutiv i LSDM-së, të gjithë gjashtë nënkryetarët e partisë, Sekretari i përgjithshëm, organizativ dhe ndërkombëtar si dhe koordinatorja e Forumit të grave.

Kryeministri Zaev “fshesën” e paralajmëroi menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale, pastaj u tha që ajo do bëhej deri në mesin e qershorit, por ky proces si duket zgjati më shumë se që e kishin planifikuar dhe tani Zaev siguron se fundi i korrikut do të gjejë të përfunduar rikonstruimin e Qeverisë. Emine Ismaili /SHENJA/

@tn.lajmelokale
@tetovanews