Ballina Aktualitet Lajme Arif Asani, Zv/Drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare

Arif Asani, Zv/Drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare

Arif Asani do të jetë zv.drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare. Emri i Asanit kaloi sot në Qeveri, ndërkohë që puna e tij zyrtarisht fillon më 1 shtator, me mandatin e vetë Agjencisë për Siguri Kombëtare. Emri i Asanit është propozuar nga drejtori i ri i ASK-së Viktor Dimovski. Në këtë periudhë, Asani ka mbajtur të njëjtën pozitë, aktualisht udhëheq DSK-në në transformim, punonjësit e të cilës kanë nisur fazën e bartjes në Agjencinë e re, me kushte të shumta vetting-u.

Dy komisionet e formuara në përputhje me ligjin për ASK-në, ai për hartimin e akteve normative dhe ai për përzgjedhjen e të punësuarve, diktuan një sërë kushtesh; që të punësuarit në ASK të mos jenë në bashkësi martesore ose jashtëmartesore me punonjës në DSK, me të afërm familjar deri në brezin e dytë, me të afërm familjar krushqi deri në brezin e parë dhe të mos ketë interes financiar me punonjës të DSK-së së deridjeshme. ASK-ja e re nisi veprimtarinë e bartjes, me kritika për shkak të nisjes së procesit tranzitor pa kaluar më parë aktin e sistematizimit në qeveri. Ndërkaq, siç mëson ALSAT, ende kriteri bazë për verifikimet e sigurisë mbetet pezull. I vetmi institucion që i bën këto verifikime sigurie është vetë DSK-ja e deridjeshme, ndërkohë që një gjë e tillë nxit mëdyshje për vërtetësinë e punonjësve që do të kalojnë filtrat në përzgjedhjen finale.

Nga ana tjetër, çështja e dyshtetësisë, e lidhjes partiake dhe biznesore etj., mbeten kritere bazë për punësimin në agjencinë e re. Punonjësit kanë nënshkruar akte pajtimi me të cilat pajtohen t’i nënshtrohen edhe poligrafit, por edhe një sërë verifikimesh, si nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, Policia Financiare, Drejtoria e Zbulimit Financiar dhe Financimit të Terrorizmit, Kundërzbulimi Ushtarak, Agjencia e Inteligjencës etj. Procesi pritet të marrë më shumë kohë se sa duhet, edhe pse data 1 shtator është shpallur si data e nisjes zyrtare me punë të kësaj Agjencie. Nga përzgjedhja, nga mbi 650 të punësuar, pritet që shifra finale të jetë diku 350. Në Qeveri, një javë më parë kaloi përfundimisht edhe lokacioni i ri i Agjencisë, ish ambientet e Makedonija Tabak, në Kisella-Vodë, dhe transferimi do të ndodh në vitin 2020.

@tn.lajmelokale
@tetovanews