Ballina Diaspora Policia e Nju Jorkut me një Kapelan të ri: Imamin shqiptar Tahir...

Policia e Nju Jorkut me një Kapelan të ri: Imamin shqiptar Tahir Kukaj

Nga Ruben Avxhiu

Imam Tahir Kukaj (Kukiqi) ka bërë betimin dje si Kapelani më i ri i Departamentit të Policisë së Nju Jorkut.
Kleriku i shquar shqiptaro-amerikan u betua përpara Shefit të Personelit William Morris, bën të ditur gazeta “Illyria”, në New York, në një ceremoni, ku merrnin pjesë zyrtarë të policisë, aktivistë, miq e familjarë.

Kapelanët janë udhëheqës fetarë, shërbyes të besimeve të ndryshme, në dispozicion të oficerëve të policisë në NYDP. Forcat e rendit në Nju Jork kanë sot mbi njëqind shqiptarë, të cilët kanë formuar edhe një shoqatë të tyren, “Illyrian”.

Përveç shqiptarëve muslimanë, NYPD ka një numër në rritje oficerësh nga komunitete ku mbizotëron feja myslimane dhe kjo është pasqyruar edhe në zgjerimin e përkatësisë së klerikëve.
Zyra e Kapelanëve dhe zyrtarë të lartë e uruan imamin shqiptaro-amerikan për postin e ri.

Vështirë se mund të gjenin një njeri më të mirë për të mbushur këtë detyrë. Imam Kukaj ka qenë një nga udhëheqësit më aktivë të komunitetit shqiptar në këto vitet e fundit. Si udhëheqës komuniteti ai është shquar në përmirësimin dhe shtimin e mundësive për arsimim të fëmijëve. Ai ka një histori të gjatë ndërimit urash bashkëpunimi mes komuniteteve katolike, hebraike etj.

Vetëm në muajt e fundt, ai ka folur, është lutur dhe është dekoruar nga institucione të njohura njujorkeze: që nga bashkia e qytetit te asambleja e shtetit në Albany, me një nderim të jashtëzakonshëm nga Kolegji Ëagner në darkën e tyre të përvitshme të të ashtuajturës Darka e Çmimeve të Komunitetit Mitzvah.

Kur vitin e kaluar kryetari i Bashkisë, Bill de Blasio inauguroi një linjë të re tragetesh në qytet, ai ftoi Imamin Kukaj që të bënte bekimin e tyre.

Duke marë fjalën pas betimit, imami Kukaj numëroi një listë të gjatë emrash që i falenderonte, duke filluar nga Komisioneri i NYPD-së, James O’Neil, figura kryesore e forcave të rendit në Nju Jork, e dhjetëra figura të tjera të policsë, qytetit dhe komunitetit.
Një falenderim të veçantë e kishte ruajtur për Qendrën Kulturore Islamike Shqiptare (AICC), në Staten Island që ka qenë baza e shumë prej aktiviteteve të tij, në këto dy dekadat e fundit.
Ai falenderoi Presidentin e AICC-së, Dr. Zurkani Vardar si dhe Sekretarin e AICC-së dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Imam Ferid Bedrollin. Ai përmendi edhe mbështetjen e organizatës COJO, me President President Rabbi Mendy Mirocznik, si dhe kolegët e tij të feve të tjera Rabbi Joseph Potasnik, Rabbi Bob Kaplan, Ipeshkvi Dr. Victor Brown nga Kisha e Bashkuar e Krishterë e Malit Sinai, Rabbi Ari Ëeiss, si dhe Detektivin Elton Shametaj, nga Shoqata Illyriane, Reshterin Mourad Mourad nga Shoqata e Lindjes së Mesme dhe Turkiçe, Marko Kepin Presidentin e Rrënjëve Shqiptare, ish-Senatorin e Shtetit, Marty Golden, Ibrahim Kurtulushin nga komuniteti turk dhe shumë udhëheqës të tjerë politikë e fetarë njujorkezë.

“Sot ishte një ditë e madhe për mua, familjen tij dhe mbarë komunitetin tim”, tha ai.

@tn.lajmelokale
@tetovanews