Ballina Aktualitet Opinione Me “bomba” kujt po i ndihmojmë?

Me “bomba” kujt po i ndihmojmë?

Nga Nazmi Beqiri

1. Përmes fjalëve të urta popullore bartet mendimi më i thuktë filozofik, përmes të cilave shohim të kaluarën dhe të ardhmen. Një fjali e tillë është edhe: “U mbars mali e polli një mi”. Ose kjo tjetra: “tri pordhë në ujë, mos i trego kërkuj”.
Mali kur mbarset sjell ushtri, sjellë pranverë, sjellë kthesa historike. E çka ka diçka të rëndësishme që po bombardohet këto dita me këto të quajtura “bomba”. Çfarë kthesa historike ndër dhe për shqiptarët do të sjellin këto publikime?

Pavarësisht ndasive në taborre pro dhe kundër shqiptarisë, sikur të sillnin ndonjë zhbërje të të arriturave që ka sjellë (bashkë me të tjerët) krye protagonisti i “bombave”, si p.sh.: luftën, Marrëveshjen e Ohrit, arsimin, Marrëveshjen e Resnjës, do t’ia vlente, pavarësisht se jam pro apo kundër (dhe jam kundër shembjes së këtyre të arriturave). Nëse, nuk është qëllimi i shembjes së këtyre të arriturave, atëherë nuk kanë kuptim. Këto publikime nuk mund të jenë në dobi të së ardhmes, ngase ajo nuk varën nga një individ, as që është (ajo) pronë e dikujt. Ajo është e lirë, por si rrezja e diellit që s’mund ta ndal askush, por që mund të ikësh nga ajo. E kush ikën nga e ardhmja, i bie që të vdesë sot.

Këto publikime nuk kanë mbarsje, por janë mu ashtu siç thotë fjala e dytë popullore e lartpërmendur. Andaj mund dhe duhet t’i kursejmë vlerat tona.

2. Në veprim të skajshëm çon dhuna kolektive, dëshpërimi kolektiv, gjë që këtë herë nuk e kemi as njërën e as tjetrën. Veprim të tretë të skajshëm bëjnë shpirtshiturit, që për para godasin edhe familjen e vet. Natyrshëm shkon mendimi se kush po paguaka për këtë aferë?

Shumë e qartë. Paguajnë të gjithë ata që u është hequr torta nga goja. Për ta zbërthyer këtë, nuk duhen deshifrime sekretesh e veprime të shumta e të zorshme, por shikohet veprimtaria e palës që goditet me këso mënyrash. Këtë rast kemi të bëjmë me një njëri i cili është porsi të tjerët, pos që dalloi në përpjekje e vuajtje për vendin dhe popullin e vet. U largua nga vendi si pjesëtar i lëvizjes ilegale dhe u kthye si luftëtar e komandant i një ushtrie vullnetare. Përpjekjet mbarë shqiptare, e në veçanti atyre që u kyçën drejtpërdrejt në atë ushtri (Ushtria Çlirimtare Kombëtare), bënë që kjo luftë të fitohej, e cila fitore e bëri krenar të gjithë etninë e këtij vendi.

Meqë nuk u vra në luftë, mbeti i vetmi dhe nuk kemi tjetër, as nuk mundemi ta zëvendësojmë. Andaj, mundësisht ta ruajmë.

3. Ka mendime nga më të ndryshmet nga mendimtarë të botës, për njeriun dhe njerëzimin.
Latinët thoshin se njeriu për njeriun është ujk.
Mendimtarët e pas kohës së Darvinit njeriun e quanin kafsha që di të flet.
Disa e quanin (dhe mbase do ta quajnë edhe më) qenia e pangopur.

Mendimtarët e klasicizmit filozofik e quanin qenie kolektiviteti e cila dëshiron të dominojë mbi kolektivitetin dhe po aq të jenë të nënshtruar brenda kolektivitetit.
Besimet fetare për njeriun thonë se ai është qenia më e bukur e krijuar nga Zoti, i cili njeriun e vendos zot në këtë planet. Dhe për kundër teorisë së Darvinit, -Zoti, majmunin e krijon nga njeriu pa besimtar, mu ashtu siç i gradoi disa të tjerë të devotshëm për ta bartur fjalën e tij te njerëzit.

Na pëlqeu kjo ose jo, këto jemi ne. Të ndarë në dy pole, që veprojmë si të ndërsyer kundër njëri-tjetrit. Në mesin tonë qëndron një pakicë e tretë e cila krijohet prej njerëzve flijues. Flijuesit për njerëzit e tjerë, flijuesit për njerëzimin. Ky pol njerëzish, parimisht dhe logjikisht, nuk atakohet dhe s’duhet të atakohej prej grupeve të tjerë . Si të rrallë që janë, ndaj tyre, duhet kursyer fjalët dhe në vazhdimësi duhet të krijojmë një farë mburoje. Arsyeja e këtij mendimi është se, vlerat e tyre, njihen edhe si vlera të përgjithshme etnike.

Pavarësisht përkatësisë polare, të gjithë ushqehen, kryejnë nevojat fiziologjike, bëjnë gjumë, kanë gra apo dashnore, prindër, fëmijë, farefis, përkatësi etnike. Dinë të gëzohen, të hidhërohen, të prekën në sedër, të pushojnë të relaksohen dhe është shumë e lehtë të gjendet te ta: fjalë, shprehje, lëvizje refleksive, të qeshura që nuk i pëlqejnë secilit. Kjo papëlqyeshmëri shpjegohet përmes fjalës së urtë popullore: “Në sofrën e vet nuk e sheh buallin, kurse në të tjetrit sheh edhe qime në vezë”. Njeri të pranueshëm nga të gjithë nuk ka, as që mund të ketë. Ta pranojmë –edhe Zotin, i cili është pa të meta, nuk e duan të gjithë. Është mirë për të gjithë që mos tëfyejmë njëri tjetrin kur ka mundësi të ndryshme veprimi.

5. Po publikime, madje kjo është edhe porosi e të madhit Sami Frashëri, por derisa kemi skena të shumta për të zbardhur e që po na gërryejnë zemrën. Këto raste nuk janë të pakta. Asnjë montim nuk është zbardhur. Sopotasit kanë dalë të pafajshëm, por rasti nuk është zbardhur, siç nuk po zbardhën edhe shumë raste të tjera deri te ky i fundit i vrasjes së kumanovarëve në Tetovë. Ky veprim i keq ndodhi fill pas përfundimit të një mbledhje zgjedhore, mbase nuk ishte vetëm ngjarje e mosmarrëveshjeve mes dy familjeve. Ngase përfaqësues të dy këtyre familjeve ishin thirrur për në të njëjtën mbledhje, përfaqësues të dy familjeve ishin propozuar për në kryesi i cili propozim u votua nga të gjithë po në këtë mbledhje. Por, fill pas ngjarjes fatkeqe njëra familje e këtyre të zgjedhurve nuk u vizitua asnjëherë. Nga të dyzetë veta që kishin votuar si është e mundur që bash asnjë mos ta vizitonte familjen e pjesëtarit që e kanë votuar, edhe pran burgosjes së gjithë meshkujve të familjes. Burgosje ndodhin dhe do të ndodhin siç kanë ndodhur deri më tani, por zbardhje nuk po ka.

Andaj them se gjithë këto lot, gjithë këto montime me burgosje e vrasje nuk mbulohen nga publikimi i ca të sharave private, pa qoftë edhe ndonjë vjedhjeje ose korruptimi apo keqpërdorimi që mund të dalë, nuk thanë lotët e familjeve. Nuk ka para që mund t’i fashitin zemrat e sopotasve pas gjithë atij maltretimi fizik e psikik pa le dhe burgosjen.
Po bëri dikush publikime që çojnë në këto zbërthime e fashitje zemrash “pirolla” i qoftë.

Duke e ditur se përgjimet nuk i kanë bërë këto që po i publikojnë (mendoj), por, ose i kanë blerë, ose iu janë afruar apo dhënë me ndonjë farë kushti. Këto lloj publikime nuk do të arrijnë nivelin e bombave informative, ngase edhe po u publikua ndonjë keqpërdorim, lëshim, përçmim, do të kaloj lehtë e shkarazi dhe s’do të lënë vragë në mendjen e etnisë sonë, pos te familjarët të cilët kanë pjesëtarë të tyre brenda këtyre publikimeve. Themi këtë, ngase kur për këso veprimesh po dënohen e gjykohen, marrin azil edhe lider e kryeministra, mendoni sesi mund të pranohen (publikimet) për njerëz të tjerë. Ani, sidomos kur po shkojmë drejtë NATO-së e BE-së.

Gjykoj se nga këto “bomba”, nuk do të zbardhet diçka e rëndësishme, andaj na i kurseni figurat që mezi i kemi krijuar.
(Fund)
Me respekt N.B.

@tn.lajmelokale
@tetovanews