Ballina Aktualitet MBAHET CEREMONIA E DIPLOMIMIT NË USHT DHE UEJL (VIDEO)

MBAHET CEREMONIA E DIPLOMIMIT NË USHT DHE UEJL (VIDEO)

Në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë dhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës sot u promovuan absolventët të cilët në një ceremoni solemne hodhën kapelat dhe pranuan diplomat nga drejtuesit dhe ligjëruesit e dy universiteteve. Në një fjalim solemn para gjeneratës së 15 të absolventëve, rektori i UEJL-së Abdylmenaf Bexheti, tha se përkushtimi kryesor i stafit akademik ka qenë përgatitja profesionale e kuadrove të reja për tregun e punës dhe për sfidat e reja të shoqërisë. Ai ju bëri thirrje të posa diplomuarve që mos të zgjedhin ikjen si zgjidhje të parë, por të mundohet të gjejnë veten këtu ku kanë edhe përgjegjësi intelektuale para profesorëve të tyre dhe brezave të rinj. Dyert e UEJL-së për ata, Bexheti tha se do të jenë gjithmonë të hapura, ndërsa do të presin edhe idetë e tyre për të mbindërtuar këtë tempull të diturisë.

Abdylmenaf Bexheti, rektor i UEJL-së
“Na falni nëse nuk ju kemi dhënë aq sa ju meritoni, ju meritoni shumë më shumë, ne e dijmë këtë. Në jetë ka shumë momente përplot emocione, energji pozitive, entuziazëm, pasion, por kjo ditë vërtetë do lë vragë të veçanta në kujtesën tuaj. Jeni gjenerata e 15 e UEJL-së, në një mënyrë një gjeneratë jubilare, por secila ka qenë dhe të gjithë tjerat vijuese dhëntë Zoti do të jenë të veçanta, sepse ju jeni të veçantë secili individualisht, ashtu si të gjitha momentet përfshirë edhe këtë këtu”

Në prani të përfaqësuesve të pushtetit qendror dhe atij lokal, rektorëve e prorektorëve, prindër, familjarë dhe mysafirëve të tjerë, sot u promovuan edhe 1039 absolventë të Universitetit të Tetovës. Në këtë ditë kur u shënua një kapitull i rëndësishëm për absolventët, rektori i UT-së Vullnet Ameti falënderoi prindërit që i kanë besuar të ardhmen e fëmijëve të tyre këtij universiteti.

Vullnet Ameti, rektor i UT-së
“Sot përmbyllim një nga periudhat më të bukura të jetës dhe së bashku me prindërit, familjarët dhe profesorët festojmë për suksesin e tyre të përbashkët. të nderuar prindër, vëllezër e motra, prania juaj në këtë ngjarje të rëndësishme për absolventët tanë është një nder dhe privilegj për UT-në sepse bota akademike dhe mbarë shoqëria sot janë me sytë kah më të dashurit tuaj të cilët njëherit kanë qenë edhe më të shtrenjtët tanë dhe amaneti ynë për plotë katër vjet”

Si në UEJL ashtu dhe në UT, në fund të ceremonisë u zgjodhën edhe absolventët më të suksesshëm që gjatë studimeve të tyre kanë arritur rezultatet maksimale. Atyre ju ndanë certifikata të veçanta për këtë arritje nga drejtuesit më të lartë të universitetit. Arben Zeqiri /SHENJA/

https://www.youtube.com/watch?time_continue=143&v=25dXPjk8rLA

@tn.lajmelokale
@tetovanews