Ballina Bota Incident në Japoni, shpallet “fajtor” kërmilli

Incident në Japoni, shpallet “fajtor” kërmilli

Një kërmill është shpallur fajtor nga autoritetet në Japoni, pasi shkaktoi një incident që pati efekt tek 12 mijë persona. Zyrtarët vendas thanë se bëhet fjalë për një incident të rrallë, që nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Një kërmill u shpall fajtor nga një operator hekurudhor japonez për një ndërprerje energjie që ndodhi muajin e kaluar e që bllokoi dhjetëra trenë, duke shkaktuar vonesa për 12 mijë pasagjerë. Energjia elektrike u ndërpre më 30 maj në disa linja në jug të arqipelagut, ku operon në sistemin hekurudhor kompania Kyushu.

Grupi në fjalë u detyrua të anulonte lëvizjen e 26 trenëve, ndërkohë që dhjetëra të tjerë patën vonesa që shkaktuan kaos në rrjetin hekurudhor japonez, i famshëm për efikasitetin dhe përpikërinë e tij. Të dielën kompania Kyushu deklaroi se se kishte gjetur fajtorin, një kërmill që kishte hyrë në një kabinë të vogël elektrike pranë binarëve. “Ne fillimisht menduam se ishte një gabim njerëzor ose teknologjik, por në fakt ishte një incident i lidhur me një kërmill të ngordhur”, tha një zëdhënës i kompanisë, që e cilësoi episodin një incident “të rrallë”.

Zyrtari i kompanisë hekurudhore pohoi se ata kanë shpesh probleme të përplasjes midis trenëve dhe drerëve, por kurrë nuk ka patur incidente të lidhura me kërmij. Incidenti, që preku 12 mijë persona, bëri që kompania me këtë rast të kontrollonte për prani kërmijsh në të gjitha kutitë elektrike të linjave hekurudhore./ABC News Albania

@tn.lajmelokale
@tetovanews