Ballina Lajme Maqedonia e Veriut Familja e “El Chekës” është larguar nga Kërçova në Shqipëri, ka mbetur...

Familja e “El Chekës” është larguar nga Kërçova në Shqipëri, ka mbetur vetëm gjyshja e tij (Video)

Fatmir Aliu

Shtëpi të reja e të vjetra, por shumë prej tyre pa zot shtëpie.

I tillë është sot fshati Tuhin, i Kërçovës!

Pak njerëz mund të takosh rrugës së re të fshatit.

Por, në këtë skaj të Kërçovës është lind dhe rrit personi më kontravers në shtet, El Cheka ose Sheqerim Ahmeti.

Pak kush në fshat don të flet për Sheqerimin apo familjen e tij.

“Familje e mirë janë! Ai djalë i mirë është”, tha një bashkfshatarë i “El Chekës”.

Ai edhe sqaron se ka kohë që Sheqerimi nuk jeton në Tuhin.

Tek xhamia e fshatit, takuam bashkëfshatarë e bashkëmoshatarë të tij, por asnjëri s’deshi ta xhirojmë dhe as t’i pyesim për El Chekan apo familjen e tij.

Jashtë kamerës na thonë se janë “krenar me veprat” e El Chekas, dhe se presin që “t’i publikojë të gjitha përgjimet që i ka”.

Rrugës për tek shtëpia e Sheqerim Ahmetit, pak shtëpi ishin të banuara!

Por, rrugës e takuam gjyshen e tij.

Ajo na tregoj se kishte mbetur e vetme, meqë s’kishte pranuar të largohet nga prona shumëvjeçare familjare.

Dhe për pasojë kishte ngel vet të kujdeset për katër shtëpitë.

“Asnjë nuk është këtu! Vetëm jam”.

A kanë shkuar krejt?

“Kanë shkuar të gjithë në Shqipëri”.

A kthehen?

“Jo”, u shpreh gjyshja e Sheqerim Ahmetit “El Cheka”.

Për nipin Sheqerimin, thotë se rishtazi ka shkuar në Amerikë, dhe përlotet kur flet për të!

Me Sheqerimin, a jeni dëgjuar?

“Jo”. “Tani së fundi jo”.

A s’thirrë hiq, për me tregu se si është?

“Jo”. “Po përse pyesni, çfarë ka bërë Sheqerimin?

– Gazetari: Jo, jo! S’ka bërë asgjë dëm. Është tu tregu diçka për politikë, por s’ka bërë asgjë!

“Jam e mërzitur”. “Jam duke plas,, por ç’të bëjë”. “Vetëm po endem rrugëve”.

“Po më lënë mendja”!

Pse nuk shkuat edhe ju në Shqipëri?

“Unë nuk shkoj! Nuk shkoj? Këtu rri”, thotë gjyshja e Sheqerim Ahmetit “El Cheka”.

Në ballin e njërës nga katër shtëpitë familjare të El Chekës, kishte të varur një pankartë e madhe.

Në të shihej e vizatuar ajo që thuhet se është Harta e Shqipërisë së Bashkuar, ndërsa porosia ishte e qartë: Lavdi dëshmorëve të Kombit!!` Tradhtarët plumbin e kanë hak!!

Në mëhallë, përpos gjyshes së El Chekas, asnjë njeri tjetër s’u pa.

Rrugës për në qendër të fshatit Tuhin, na ndalën e na thanë se përveç shtëpisë së El Chekës, duhet të shkojmë ta vizitojmë edhe pronën e familjes së Erolld Musliut.

Na thanë se drejtori i ri i Agjencisë për Zbulim, ka të varrosur edhe babën në fshat, dhe se janë krenar që edhe kryeshefin e spiunazhit në shtet, Erolldin, e kanë bashkëfshatar.

Loading...