Ballina Bota Analiza ANALIZA/ Viti i Përvjetorëve: Kur shihni të ardhmen e Evropës, mos harroni...

ANALIZA/ Viti i Përvjetorëve: Kur shihni të ardhmen e Evropës, mos harroni të kaluarën e saj

Nga Edward Lucas

Ne po hyjmë në një sezon intensiv përvjetorësh për pjesën tjetër të këtij viti, duke nderuar guximin e jashtëzakonshëm, dhe udhëheqjen e kombeve dikur të robëruara nga Balltiku në Detin e Zi, pasi ato hodhën poshtë zgjedhën komuniste.

Kalendari nis me Poloninë, që si këtë muaj 30 vjet më parë, votoi për rrëzimin e komunistëve nga pushteti në një proces zgjedhor kryesisht të lirë. Ai rezultat qe një tërmet politik, megjithëse nuk kishte qenë i pari në Poloni, vendi më i madh dhe më i padisiplinuar në perandorinë e Kremlinit.

Polakët i rezistuan kolektivizimit, ruajtën një besim të fortë fetar katolik, dhe identitetin e tyre kombëtar, dhe u revoltuan vazhdimisht kundër sunduesve të tyre komunistë. Fitorja e madhe në zgjedhjet e qershorit 1989, i hapi rrugën krijimit të qeverisë së parë jo komuniste në vend në 50 vjet, e cila do t’i jepte fund ekonomisë së planifikuar, do të rivendoste sundimin e ligjit, si dhe do të fillonte procesin e integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Ajo i dha gjithashtu një impuls të madh shembjes më të gjerë të komunizmit, duke përshpejtuar lëvizjen e Hungarisë drejt pluralizmit politik, dhe shndërruar në një “tenxhere me presion” vendet në stanjacion si Gjermania Lindore. Një nga këngët që këndohej në demonstratat e mëdha që shpërthyen në Çekosllovaki, më vonë gjatë atij viti ishte:”Ne nuk duam të jemi polakët e fundit brenda gardhit”.

Polakët, kanë sot të drejtë të pyesin, nëse bota e njeh dhe e kujton rëndësinë e këtyre ngjarjeve. Pra, pse Perëndimi nuk i është më mirënjohës? Pyetja është shumë domethënëse. Ajo rrjedh pjesërisht nga edhe nga një pikëpamje egocentrike e këtij vendi. Gjithsesi, Polonia ishte realisht e rëndësishme. Por kështu ishin edhe vendet dhe individët e tjerë.

Dikush mund të përmendë guximin personal të Andrei Saharovit, kreu të lëvizjes lituaneze Sājudis, Kongresin e Estonisë, Frontin Popullor të Letonisë, Rukh-in në Ukrainë, dhe shumë të tjerë. Nuk ka ndonjë Olimpiadë për kontributet në histori.

Si britanik, e di shumë mire këtë. Një nga refrenet më irrituese në diskursin politik të vendit tim, është “Ne luftuam vetëm në vitin 1940!”. Është e vërtetë se ne (bashku me Finlandën dhe Bashkimin Sovjetik) ishin të vetmit vende evropiane, që nuk do të pushtoheshin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por vendet nga Greqia në Norvegji dhe Poloni, dhe akoma më tej më aleatët e largët si Australia, zemërohen në mënyrë të kuptueshme, kur injorohet kontributi i tyre në atë luftë. Por, në rastin e Polonisë, zemërimi buron gjithashtu nga një ndjenjë shumë e bazuar e lënies pas dore dhe tradhtisë.

Perëndimi e shpërfill rolin e Polonisë në vitin 1989, për të njëjtën arsye që harron pushtimin sovjetik të 17 shtatorit 1939, ai heshti për masakrë e Katinit, lejoi shtypjen e kryengritjes së Varshavës, dhe ia dorëzoi vendin sovjetikëve në Konferencën e Jaltës.

Kjo narrativë, ka qenë gjithmonë e pashëndetshme. Tanimë ajo është tërësisht e vjetëruar. Polonia nuk është lënë pas dore nga Perëndimi. Ajo është pjesë e Perëndimit. Për shumicën e njerëzve të lindur pas vitit 1980, ideja e “Evropës Lindore” dhe “ish-vendeve komuniste” është sa e çuditshme, aq edhe e parëndësishme, sa kur flitet për “ish Austro-Hungarinë”.

Për shembull, Polonia po bëhet partnerja kryesore ushtarake e SHBA-së në Evropën kontinentale. Një polak, Donald Tusk, kryeson Këshillin Evropian – një nga dy postet më të larta në Bashkimin Evropian. Ekonomia polake, është 3-fishuar në madhësi që nga viti 1989.

Në një rast unik në botën e industrializuar, ajo nuk ka përjetuar asnjë recesion në një çerek shekulli. Polonia ka ndërtuar institucione të forta, dhe një shoqëri civile të fortë, duke integruar me sukses deri në 1 milionë emigrantë, kryesisht nga Ukraina. Mosmarëveshjet e brendshme politike, mund ta shkëpusin shpesh vëmendjen nga këto arritje, por Polonia nuk ka qenë kurrë më e pasur, më e fortë, dhe më e lumtur apo më e sigurt se sa sot.

Fatmirësisht, është e njëjta histori edhe për shumicën e vendeve të tjera, që kanë qenë të robëruara dikur nën komunizëm, dhe që sot kremtojnë kontributet e tyre në përvjetorët e lavdishëm të këtij viti. Çdo vend, mund dhe duhet të reflektojë mbi historinë e tij me krenari dhe me turp njëkohësisht. Por e tashmja është shumë më e rëndësishme, dhe e ardhmja është shumë më emocionuese.

“Center for European Policy Analysis” – Bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews