Ballina Bota Analiza A ishte kjo humbje fillimi i fundit të Erdoganit?

A ishte kjo humbje fillimi i fundit të Erdoganit?

Nga Mark Lowen, BBC

Teksa po bëhej gjithmonë e më qartë shkalla e fitores e Ekrem Imamoglu, mbështetësit e tij vërshuan tek selia qëndrore. Jashtë në rrugë ishin rreshtuar dhjetëra kamera. Mes tyre edhe transmetuesi shtetëror turk, TRT, thellësisht nën kontrollin e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Një grua afrohet pranë kameramanit të TRT, duke tundur një flamur me fytyrën e zotit Imamoglu: “Tani do na filmoni ne? Ne jemi këtu. Tregoni që jemi këtu”.

E gjitha kjo përmbledh ndjesinë e një opozite që ka vuajtur prej vitesh, ndërsa të gjithë organet e shtetit turk kontrollohen nga udhëheqësi i fuqishëm dhe polarizues i Turqisë. Më në fund, pjesa tjetër e vendit po ndjen se po lëviz dora që ka mbuluar gojën.

Rrallë kanë një palë zgjedhje lokale të tillë rëndësi kombëtare. Por zoti Erdogan ka ndërtuar karrierën e tij politike përgjatë 25 viteve mbi ndjesinë e fitores dhe një aurë pathyeshmërie.

Ai ka lindur në Stamboll, e ka drejtuar këtë qytet si kryetar bashkie dhe ishte ai që e katapultoi drejt pushtetit si kryeministër për herë të parë në vitin 2003 dhe më pas si president 11 vjet më vonë.

Ai ka mbizotëruar mbi një opozitë që prej shumë kohësh ishte ndarë në mënyrë të pashpresë. Dhe ai ka lulëzuar dukshëm si i pasfiduar.

Duke fituar gjithmonë e më shumë pushtet nëpërmjet përkushtimit të përkrahësve të tij të devotshëm dhe konservatorë, ai e ka transformuar Turqinë nga pikëpamja ekonomike dhe sociale, çdo fushë, që nga media e deri tek ndërtimi, është e mbushur me besnikë që e mbështesin atë në këmbim të favoreve.

Një përllogaritje gabim me efekt katastrofik

Kur partia e tij, AKP, humbi Stambollin në mars të këtij viti me një marzh prej vetëm 13 mijë votash- bordi zgjedhor shihej si gjerësisht nën presionin e qeverisë për të vendosur rivotimin, bazuar në pohimet e dyshimta për parregullsi.

“Kushdo që fiton Stambollin, fiton Turqinë,” tha presidenti i plotfuqishëm i vendit, duke supozuar se mund të ishte sërish një bast që do e fitonte. Ishte një keqllogaritje katastrofike.

Imamoglu shënoi një fitore të thellë- më e madhja në zgjedhjet për kryebashkiak në 35 vite. Zonat konservatore të qytetit, Gatih, Tuzla dhe Uskadar, ku jeton vetëm presidenti Erdogan, të gjitha e mbështetën zotin Imamoglu. Por si e arriti ai këtë gjë?

Përgjigjia është në një fjali të vetme, e gjendur në të gjitha posterat e tij: umut (shpresë).

AKP madje e quajti atë çarë mund të mendonin: terrorist, mbështetës i grushtit të shtetit, mashtrues, grek, madje e krahasuan edhe me autokratin egjiptian, presidentin Sisi, një rival i betuar i presidentit Erdogan. Ai i rrëzoi poshtë këto fyerje me buzëqeshje.

Duke u zotuar se do përqafojë kundërshtarët e tij, ai çoi përpara mesazhin për një Turqi gjithëpërfshirëse dhe një Stamboll më të gjelbër, më të drejtë, të çliruar nga korrupsioni dhe nepotizmi i ngritur nga sundimi 25-vjeçar i konservatorëve.

Gjatë 18 ditëve, kur ai drejtoi qytetin pas anulimit të votimit të fundit, ekipi i tij zbuloi një deficit prej gati 4 miliardë dollarësh, kryesisht për shkak të tenderëve shtetërorë të lidhur me familjen e presidentit Erdogan.

Fitorja e tij mund të ketë një ndikim sizmik.

A është ky fillimi i fundit për Erdogan?

Opozita më në fund po e ndjen kapacitetin për të fituar- dhe do e kanalizojë atë gjatë zgjedhjeve të tjera kombëtare. Këto pritet të mbahen në vitin 2023, por pritet gjerësisht që të vijnë më shpejt për shkak të humbjes dërrmuese të AKP.

Fajkonjtë kanë nisur të lëvizin, me paraardhësin e zotit Erdogan, që po përgatitet për të krijuar një parti të re. Drejt saj do të rrjedhin votuesit tashmë në rënie të presidentit.

Ndërsa autoritarizmi i zotit Erdogan është duke u rritur, rrethi i tij i brendshëm po zvogëlohet. Ai nuk ka një trashëgimtar të dukshëm- dhëndri i tij, aktualisht ministër i Financave, nuk ka karizëm. Partia që ai themeloi dhe e ndërtoi, mund të shembet pa të.

Zërat do bëhen gjithmonë e më të fortë se ky është fillimi i fundit të Erdogan. Por edhe nëse vjen- dhe askush nuk e nënvlerëson këtu aftësinë e tij për t’u ringritur- të nxjerrësh vendin nga çerek shekulli Erdoganizëm do të kërkojë shumë punë.

Shoqëria turke është goditur gjatë viteve të fundit, vendi është duke rënë në indekset e lirisë së shtypit, pavarësisë gjyqësore dhe të drejtave të njeriut. Por e vetmja gjë ku u kap opozita për të mbijetuar ishin zgjedhjet e lira.

Ata festuan deri vonë fitoren- por edhe faktin se ka ende jetë në demokracinë turke.

@tn.lajmelokale
@tetovanews