Ballina Aktualitet Vasil Sterjovski është zgjedhur deputet në Parlamentin e Shqipërisë

Vasil Sterjovski është zgjedhur deputet në Parlamentin e Shqipërisë

Vasil Sterjovski, sekretar i përgjithshëm i partisë së vetme të maqedonasve në Shqipëri, Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian (AMIE) do të jetë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, transmeton Portalb.mk.

“Pas njoftimit nga Komisioni qendror i zgjedhjeve të Shqipërisë, Komiteti ekzekutiv i AMIE morri vendim për të pranuar mandatin e deputetit dhe për të prezantuar në parlament programin e Aleancës Maqedonase për Integrim Evropian, si pjesë e opozitës parlamentare”, njoftuan nga partia.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura në qershor 2017, AMIE ishte pjesë e koalicionit zgjedhor i drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Lider i partisë LSI atë kohë ishte Ilir Meta, presidenti i tanishëm i Shqipërisë. Në bazë të marrëveshjes, Vasil Sterjovski ishte i pesti në listën e kandidatëve për qarkun e Korçës.

Sterjovski, në seancën e parë të kuvendit të Shqipërisë, mbase të enjten e ardhshme, do të ulet në sallën e kuvendit dhe do të jep betimin.

Ai do të jetë anëtari i parë i Parlamentit të Shqipërisë, në Shqipërinë pluraliste, i cili vjen nga një parti maqedonase, por në përgjithësi edhe si deputeti i parë i cili publikisht deklarohet si maqedonas.

Vasil Sterjovski është aktivist i njohur për të drejtat e maqedonasve në Shqipëri. Ai i ka regjistruar studimet e doktoraturës në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, Maqedoni, në Institutin e historisë kombëtare në programin studimor të shkencave humane, nën-programi Historia e Maqedonisë, me fushë të ngushtë të hulumtimit maqedonasit në Shqipëri.

@tn.lajmelokale
@tetovanews