Ballina Shëndeti Rritja e konsumit global të mishit po sjell përfitime të habitshme

Rritja e konsumit global të mishit po sjell përfitime të habitshme

Gjërat ishin ndryshe 28 vjet më parë, kur Zhou Xueyu dhe burri i saj u zhvendosën në Pekin, duke u larguar nga provinca bregdetare e Shandongut dhe filluan tregtinë e mishit të freskët të derrit, shkruan The Economist.

Ata e hapën stendën e tyre të parë në tregun e vogël të Xinfadit. Vetëm në periudhat më të ngarkuara të vitit, për shembull gjatë ditëve festive, çifti Xueyu, arrinte të shiste edhe mbi 100 kg mish në ditë. Në vitet e para kur Kina po përjetonte bumin ekonomik, mishi i derrit konsiderohej një produkt luksi nga shumica e njerëzve. Sot, znj. Zhou shet rreth dy tonë mish në ditë. E rrethuar nga shumë ekspertë dhe duke prerë mishin me thikat e saj të mprehta, ajo shpjegon sesi biznesi është rritur gjatë viteve. Fillimisht, ajo e merrte furnizimin e mishit në disa prej provincave më të afërta. Sot, ajo mund të marrë furnizime me mish nga zona të ndryshme, duke nisur nga ato verilindore të Heilongjiangut deri tek ato të Sichuanit, në jugperëndim. Edhe tregu i Xinfadit ka ndryshuar.

Ai është rreth 100 herë më i madh, në krahasim me atë që ishte në vitin 1988, kur u hap për herë të parë. Midis viteve 1961 dhe 2013, një person në Kinë konsumonte mesatarisht në vit nga 4 deri në 62 kg mish. Rreth gjysma e sasisë së mishit të derrit në botë konsumohet në këtë shtet. Politikat bujqësore më liberale u lejuan fermave që të prodhojnë më shumë dhe të lënë pas kështu periudhën e vështirë të vitit 1961 gjatë së cilës banorët e Kinës po vuanin nga uria, e cila njihet edhe si “Hapi i Madh Përpara”. Arsyeja kryesore se përse kinezët po konsumojnë më shumë mish është thjesht sepse ata tani janë më të pasur se më parë.

Në shtetet e pasura është rritur numri i personave që janë bërë veganë dhe të cilët përdorin qumësht tërshëre kur duan ta konsumojnë këtë produkt. Por në pjesën më të madhe të botës, trendi është diçka krejt tjetër. Në dhjetëvjeçarin që parapriu vitin 2017, konsumi global i mishit u rrit me një mesatare prej 1.9% në vit, ndërsa konsumi i qumështit të freskët me 2.1%, rreth dy herë më shumë sesa rritja e popullsisë. Pothuajse katër të pestat e të gjithë tokave bujqësore përdoren për të ushqyer bagëtitë, duke përfshirë këtu jo vetëm kullotat, por edhe tokat bujqësore që përdoren për të rritur ushqim për bagëtitë.

Njerëzit kanë rritur dhe ushqyer kaq shumë kafshë për t’i përdorur ato pastaj për konsum, saqë biomasa e gjitarëve të Tokës mendohet se është katërfishuar që nga epoka e gurit. Dhe duke penguar rritjen e mishit në laboratorë, rritja ka gjasa të vazhdojë edhe në të ardhmen. Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), një agjenci e OKB-së, vlerëson se numri i bagëtive ripërtypësve në botë (si: lopa, delja dhe dhia) do të rritet nga 4.1 miliardë në 5.8 miliardë midis 2015 dhe 2050, sipas një skenari të zakonshëm biznesi. Popullata e pulave, një prej shpendëve më të zakonshëm, pritet të rritet edhe më shpejt.

Ndërkohë gjeografia e konsumit të mishit po ndryshon. Vendet që ndikuan në rritjen globale të konsumimit të produkteve shtazore gjatë dekadave të fundit, nuk do të jenë po të njëjtat që do të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim në të ardhmen. Edhe shija e mishit ka ndryshuar. Në disa vende, njerëzit po kalojnë nga konsumi i mishit të derrit dhe deles tek ai i viçit, ndërsa në disa të tjera, mishi i viçit po zëvendësohet nga ai i pulave. Këto ndryshime dhe kalimi nga një lloj mishi në tjetrin dhe nga një shtet në tjetrin, kanë po aq rëndësi, sa edhe modeli i përgjithshëm i rritjes. Në një shkallë planetare, rritja e konsumit të mishit dhe të qumështit është një problem i rëndësishëm edhe në drejtim të mjedisit. Ndërsa në nivel lokal, ajo mund të shoqërohet edhe me avantazhe të shumta.

Në dekadat e fundit, asnjë kafshë nuk ka shënuar një rritje kaq të lartë dhe të shpejtë sa ajo e derrit kinez. Prodhimi vjetor i mishit të derrit në Kinë është rritur më shumë se 30 herë nga fillimi i viteve 1960, duke shkuar në 55 milionë tonë. Rritja e konsumit të mishit të derrit dhe të qumështit në Kinë, ka bërë që një pjesë e madhe e recetave ushqimore kineze t’u përafrohen atyre perëndimore, të pasura me proteina dhe yndyrë. Ndryshimi i mënyrës së të ushqyerit në Kinë është shoqëruar edhe me ndryshime në strukturën e jashtme të kinezëve. Kështu, për shembull, djemtë kinezë të grupmoshës 12-vjeçare ishin rreth 9 centimetra më të gjatë në vitin 2010 në krahasim me vitin 1985.

Ndërsa një vajzë kineze e po asaj grupmoshe shënoi një rritje prej 7 centimetrash. Djemtë, përveçse janë zgjatur më shumë sesa vajzat, janë shëndoshur edhe më shumë se ato. Në Kinë po shënojnë rritje edhe furnizuesit e mishit të derrit. Tre të pestat e mishit të derrit merren nga fermat që rrisin më shumë se 500 krerë në vit. Sipas Wan Hongjian, zëvendëspresident i WH Group Ltd, prodhuesi më i madh i mishit të derrit në Kinë, shifra të tilla do të rriten më shumë në vazhdim.

Sëmundjet janë një arsye. Ethet afrikane të derrave, një sëmundje virale, fatale për derrat, megjithëse e padëmshme për njerëzit, ka përfshirë edhe Kinën dhe ka çuar në therjen e rreth 1 milion derrave. Virusi është shumë i vështirë për t’u larguar dhe mund të mbahet larg vetëm nëse fermat ku rriten derrat do të kenë një higjienë të lartë pastërtie. Prodhuesit e mëdhenj ka më shumë mundësi që të arrijnë të jenë më të suksesshëm në këtë drejtim.

“Të jetosh me gjithë të mirat”

Megjithatë, kompanitë e mishit të derrit në Kinë, po vazhdojnë të marrin pjesë të mëdha të një tregu që pothuajse dukej se e kishte ndaluar rritjen. OBZHE-ja, një organizatë kryesisht e përbërë nga shtete të pasura, vlerëson se konsumi i derrit në Kinë ka qenë pak a shumë në të njëjtat nivele që prej 2014-s dhe parashikon një rritje nën 1% në vit gjatë dekadës së ardhshme. Kjo nënkupton edhe një zhvendosje në popullatën globale të kafshëve, ku derrat do të zënë një vend më të vogël në fermat në të gjithë botën.

Sipas Organizatës të Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), në vitin 2015, produktet e kafshëve përbënin 22% të kalorive që merrte mesatarisht një person kinez. Ndërsa në vendet e pasura, ato shkonin deri në 24%. “Ndryshe nga dekada më parë, në ditët e sotme, mund të jenë shumë të rralla popullsitë që nuk konsumojnë mish, sot thuajse të gjithë e konsumojnë mishin”, shprehet Joel Haggard i Federatës së Eksportit të Mishit në SHBA.

Demografia është një tjetër faktor që po ndikon në reduktimin e kërkesës për mish. Në dhjetë vitet e ardhshme, popullsia e Kinës do të nisë të bjerë. Popullsia e këtij shteti po plaket, gjë që ndikon në mënyrë direkte në reduktimin e konsumit të mishit, sepse të moshuarit konsumojnë më pak mish se të rinjtë. Demografët e OKB-së parashikojnë se nga viti 2015 deri në vitin 2050, numri i kinezëve 20-vjeçarë do të reduktohet nga 231 milionë në 139 milionë kinezë. Përveç kësaj, mishi i derrit ka konkurrentë të fortë. “Në të gjithë Kinën po rritet numri i personave që konsumojnë mish viçi tek McDonald dhe mish pule tek KFC”, shprehet z. Wan.

Një tjetër trend, që po praktikohet së fundmi nga një numër i madh restorantesh është gatimi i mishit si pjesë përbërëse e gjellëve, gjë që rrit edhe konsumin e mishit të viçit dhe të qengjit. Sipas Departamentit të Bujqësisë të Shteteve të Bashkuara, vitin e kaluar, Kina tejkaloi Brazilin dhe u rendit e dyta në botë, si vendi që konsumon më shumë mishin e viçit, pas Amerikës, e cila e kryeson këtë renditje. Australia është një ndër eksportuesit më të mëdhenj të mishit të viçit në Kinë, por sipas gazetës së përditshme Global Times, në pronësi të shtetit, ky vëllim eksportesh duhet reduktuar, në mënyrë që të goditej Australia për shkak të provokimeve të ndryshme që ajo ka bërë gjatë kohëve të fundit ndaj Kinës.

Zhvendosja nga mishi i derrit tek ai i viçit në një prej shteteve më të populluara në botë, është një lajm i keq për mjedisin. Derrat nuk kërkojnë kullota për t’u ushqyer dhe janë shumë efikasë në konvertimin e ushqimit në mish, dhe kanë një ndikim shumë të ulët në mjedis. Ndërsa bagëtitë e tjera janë zakonisht më pak efikase, edhe pse mund të kultivohen në mënyra të ndryshme. Dhe duke qenë se një pjesë e madhe e bagëtive, si për shembull lopët, janë kafshë ripërtypëse, ato çlirojnë metanin, një gaz serrë i fuqishëm. Sipas një studimi të fundit të bërë në fermat amerikane në vitin 2014, u vlerësua se kalori për kalori, prodhimi i mishit të viçit kërkon tre herë më shumë ushqim për kafshët sesa kërkon ai i derrit dhe prodhon rreth pesë herë më shumë gazra serrë.

Sipas disa vlerësimeve të tjera, prodhimi i mishit të viçit kërkon rreth dy herë e gjysmë më shumë ujë në krahasim me mishin e derrit. Por, për fat të mirë, edhe sikur kinezëve t’u rritet dëshira për konsumin e mishit të viçit, amerikanëve po u bie. Konsumi për frymë i mishit të viçit në Amerikë arriti kulmin në vitin 1976. Ndërsa në vitin 1990, ai u zëvendësua nga mishi i pulës, i cili u shndërrua në mishin e preferuar të amerikanëve. Disa akademikë në Universitetin e shtetit të Kansasit e lidhën atë me rritjen e numrit të grave të punësuara.

Mes viteve 1982 dhe 2007, një rritje prej 1% në shkallën e punësimit të grave u shoqërua me një rënie prej 0.6% të kërkesës për mish viçi dhe një rritje thuajse në të njëjtat nivele me kërkesën e mishit të pulës. Ndoshta, për gratë që punojnë, gatimi i mishit të viçit është më i vështirë sesa ai i pulës. Rritja e konsumit të mishit të viçit në Amerikë, edhe pse në nivele të ulëta, ndoshta lidhet me faktin se amerikanët nuk janë pasuruar shumë gjatë viteve të fundit. Pula gjithsesi mbetet mishi me konsumin më të lartë.

Kalime të tilla pritet të ndodhin në shumë vende të pasura në vitet e ardhshme. Pavarësisht parashikimeve të ndryshme për një “tranzicion të dytë të të ushqyerit” në dieta ushqimore me përmbajtje më të ulët të mishit dhe më të lartë në perime dhe drithëra, dietat ushqimore perëndimore deri tani kanë ndryshuar vetëm në disa detaje të vogla. Mishi i viçit është më pak i njohur në disa vende, por pula është edhe më shumë, prandaj njerëzit po pinë më pak qumësht por po konsumojnë më shumë djathë.

BE parashikon vetëm një rënie të vogël në konsumin e mishit, nga 69.3 kg për person në 68.7 kg, midis 2018 dhe 2030. Por nëse Perëndimi është i ngopur me konsumin e mishit të viçit, dhe Kina po shkon drejt një faze të ngjashme, si mund të shpjegohet rritja e konsumit të tij? Përgjigjja e parë për këtë pyetje është India. Edhe pse indianët konsumojnë ende pak mish, vetëm 4 kg në vit, ata pinë më tepër qumësht, konsumojnë më shumë djathë dhe gjalpë të pastër për gatim, në krahasim me vitet e mëparshme. Në vitet 1970, fermerët në Indi u organizuan në kooperativa dhe u nxitën që të dërgonin të gjithë qumështin që merrnin nga bagëtitë në qendrat e grumbullimit.

Prodhimi i qumështit u rrit nga 20 milionë tonë në vitin 1970 në 174 milionë tonë në 2018, duke e bërë Indinë prodhuesin më të madh në botë të qumështit. Sipas OBZHE, India do të prodhojë 244 milionë tonë qumësht në vitin 2027. E gjithë kjo sasi e madhe qumështi është, nga njëra anë, burim i një krenarie kombëtare, por është edhe një problem i madh nga ana tjetër, sidomos në një shtet që qeveriset nga indianë nacionalistë. Duke qenë se për indianët lopët konsiderohen të shenjta, ata kanë nxjerrë ligje të veçanta, të cilat e parandalojnë konsumimin e mishit të viçit, apo eksportin e tij për në shtete të tjera. Vetëm kur lopët e kalojnë moshën e tyre për të prodhuar qumësht dhe plaken, ato vriten nga fermerët dhe mishi përdoret për konsum ose eksportohet.

Pjesa më e madhe e tij eksportohet në Vietnam dhe në Kinë, shpeshherë në mënyrë të paligjshme, për shkak të frikës se mishi mund të jetë i infektuar nga sëmundje të ndryshme. Por as qendrat e grumbullimit të qumështit nga India dhe as fermat e madha të derrave në Kinë nuk përfaqësojnë të ardhmen e industrisë së ushqimit. Në vend të tyre, vëmendja duhet të përqendrohet te një fermë e vogël pulash, me rreth 2,000 krerë, në lindje të Dakarit, kryeqytetit të Senegalit.

Edhe kur kjo fermë përfshihet nga erëra të fuqishme, ato gjithsesi nuk arrijnë të mundin erën e fortë të amoniakut të jashtëqitjeve të pulave. Pak më larg fermës, një pjesë toke është e mbuluar me gjak. Pulat futen brenda një aparati të improvizuar prej një koni çeliku për të mbrojtur krahët e tyre, ndërsa koka e cila del në grykën e konit, pritet me thikë. Megjithëse duket primitive, kjo metodë është shumë e avancuar në krahasim me metodat tradicionale të përdorura në perëndim të Afrikës. Pulat në ferma vështirë se u ngjajnë zogjve të shumëllojshëm të pulave që mund të shihen në ndonjë prej fshatrave të zonës. Ata janë “zogj komercialë”, krijesa të bardha me oreks të madh që arrijnë peshën prej 2 kilogramësh, vetëm pas 35 ditësh qëndrimi në pulari.

Të gjitha janë vaksinuar kundër dy viruseve vdekjeprurëse më të përhapura që i prekinato, Newcastle dhe sëmundjes infektive bursale. Një veteriner, Mamadou Diouf, i kontrollon ato rregullisht (dhe i dënon fermerët që i vrasin ato shumë pranë fermës). Z. Diouf thotë se kur filloi të punojë në këtë qark, në vitin 2013, shumë fermerë ishin skeptikë për punën e tij. Statistikat zyrtare tregojnë se numri i pulave në Senegal është rritur nga 24 në 60 milionë që prej vitit 2000.

Teksa njerëzit lëvizin dhe zhvendosen nga fshatrat në qytete, ata kanë më pak kohë për të bërë gatime tradicionale, të cilat mund të përfshijnë përbërës si peshku, mishi i deles ose i viçit. Në vend të kësaj ata konsumojnë vakte të ndryshme në restorante ose blejnë produkte, të cilat mund të gatuhen shpejt. Në shumë prej rrugëve në Dakar, ndeshesh me postera ku shkruhet “pulë gati për t’u gatuar”. Fermat e pulave kanë një prodhimtari të lartë, gjë që i bën pulat edhe më të lira për t’u blerë, pra jo vetëm më të lehta për t’u gatuar.
Vegjetarianë ekonomikë

Edhe sot, shumë afrikanë sub-saharianë pothuajse nuk konsumojnë fare mish, peshk apo qumësht. Sipas FAO-s vetëm 7% e vlerave të tyre ushqimore vijnë nga produktet me origjinë shtazore, thuajse sa 1/3 e proporcionit me ato në Kinë. Situata është vetëm si pasojë e besimeve dhe praktikave fetare që ata kanë dhe praktikojnë, por edhe sepse çmimet e produkteve shtazore janë të shtrenjta. Kështu, për shembull, nëse çmimet e tyre do të ishin më të lira dhe nëse këta banorë do të ishin më të pasur, ata ndoshta do të konsumonin më shumë prej tyre. Richard Waite i Institutit të Burimeve Botërore, një organizatë amerikane, thekson se kur afrikanët zhvendoseshin në shtete të tjera më të pasura dhe shumë prej tyre hapnin biznese restorantesh, ata kishin tendencë që të përfshinin pjata me përmbajtje mishi në menutë e tyre. Është pikërisht ky kontinent që ka filluar të ndikojë në sistemin global ushqimor.

Sipas OKB-së, popullsia e Afrikës sub-sahariane do të arrijë në 2 miliardë banorë në mesin e viteve 2040, nga 1.1 miliardë që është aktualisht. Kjo do të shoqërohet me një rritje të lartë në konsumin e mishit të viçit dhe të qumështit. Por duke u bazuar në të dhënat e së kaluarës, popullsia e Kenias është rritur me 58% që prej vitit 2000, ndërsa prodhimi i viçit është vetëm dyfishuar. Afrika tashmë importon çdo vit sasi më të mëdha mishi në krahasim me Kinën, dhe sipas parashikimeve të OBZHE-së, importet në Afrikë do të vazhdojnë të rriten me më shumë se 3% në vit.

FAO parashikon se në vitin 2050 pothuajse dy nga pesë kafshë blegtorale në botë do të jenë me origjinë afrikane. Ndërsa numri i pulave në Afrikë parashikohet të katërfishohet, duke shkuar deri në 7 miliardë pula. Pulat afrikane janë pothuajse po aq produktive sa edhe pulat në vende të tjera të botës, por bagëtitë afrikane janë ndër më të këqijat në botë. Ato jo vetëm që janë të paushqyera mirë, por edhe vizitohen shumë rrallë, për të mos thënë asnjëherë nga mjekët veterinarë, duke u bërë mbartës të sëmundjeve të ndryshme. Edhe pse rreth 23% e bagëtive të botës ndodhen në Afrikë, ajo prodhon vetëm 10% mish dhe 5% qumësht.

Lorenzo Bellu nga FAO vë në dukje se barinjtë në mënyrë të vazhdueshme shkelin parqet kombëtare dhe tokat private në Afrikën Lindore. Sipas tij, është e vështirë të imagjinohet se uria e kontinentit për mish do të mbulohet plotësisht duke e bërë bujqësinë më efikase. Por me siguri që numri i pyjeve që do të priten, do të jetë i lartë. Pasoja të tjera do të jenë globale. Afrikanët sub-saharianë aktualisht kanë pak emetime të dioksidit të karbonit sepse me përjashtim të Afrikës së Jugut, ata përdorin pak ose thuajse fare energji që gjenerohet nga procese të ndryshme industriale. Pjesa më e madhe e energjisë që përdoret në Afrikë vjen nga burime të rinovueshme, por kjo jo sepse vendi është pro ruajtjes së mjedisit, por sepse është një prej kontinenteve më të varfra.

Pothuajse i gjithë kontinenti afrikan prodhon po aq energji sa edhe Franca. Kopetë e bagëtive, dhive dhe deleve do të rrisin kontributin kolektiv të afrikanëve ndaj ndryshimeve klimatike globale, megjithëse jo në nivelet perëndimore apo ato kineze. Njerëzit ndoshta do të bëhen më të shëndetshëm. Por pjesa më e madhe e fëmijëve afrikanë janë më të pazhvilluar për moshën që kanë në krahasim me moshatarët e tyre në kontinente të tjera, dhe kjo sepse ato nuk marrin sasi të mjaftueshme të mikronutrientëve, siç është edhe vitamina A. Mungesa e hekurit është shumë e zakonshme. Sipas një sondazhi shëndetësor të kryer në vitin 2017, 42% e fëmijëve të vegjël dhe 14% e grave vuajnë nga anemia e gradës së dytë dhe ajo e gradës së tretë. Kequshqyerja ndikon jo vetëm në zhvillim të ngadalshëm, por edhe në dëmtime të organeve kryesore.

Produktet e kafshëve janë ndër burimet kryesore për të marrë vitaminat dhe mineralet më të rëndësishme. Studime të ndryshme të kryera në disa shtete të zhvilluara tregojnë se, fëmijët që konsumojnë qumështin bëhen më të gjatë se moshatarët e tyre që nuk e konsumojnë atë. Sipas disa studimeve të fundit të zhvilluara në Kenia, u zbulua se fëmijët që konsumuan rregullisht vezë u rritën rreth 5% më shpejt se fëmijët të cilët nuk kishin konsumuar atë produkt. Ndërsa te këta fëmijë qumështi i lopës pati një efekt shumë më të vogël. Mishi i kafshëve, ose më mirë kafshët, mund të jetë gjithashtu e rrezikshme.

Në Afrikë, pulave u lejohet që të hyjnë dhe të rrinë në shtëpitë e njerëzve. Vezët dhe mishi i tyre duket se ndikojnë në përmirësimin e shëndetit të njeriut, ndërsa jashtëqitjet e tyre aspak. Një studim i bërë në Gana tregon se anemia tek fëmijët është më e zakonshme tek ato familje që mbajnë pula në shtëpitë e tyre, ndoshta për shkak se edhe fëmijët i marrin më lehtë sëmundje të ndryshme. Ndryshimi i dietave ushqimore tek afrikanët ndikon edhe tek bizneset lokale. Teksa qytetet rriten dhe njerëzit në ato qytete kërkojnë më shumë proteina shtazore, zinxhirët e furnizimit kombëtar rrjedhimisht që do të zgjerohen, por edhe do të bëhen më të sofistikuar.

Mbarështuesit e kafshëve dhe veterinerët do të rriten gjithashtu në numër. Njerëzit do të ndalojnë së ushqyeri kafshët e tyre me mbeturina ushqimore që i teprojnë nga vaktet e tyre, por do t’i ushqejnë ato me ushqim të blerë dhe të kontrolluar. Në Nigeri, sasia e misrit që përdoret për ushqimin e kafshëve u rrit nga 300,000 tonë në 1,8 milionë tonë nga viti 2003 deri në vitin 2015. Ndërsa në periferi të Dakarit ndodhet një fabrikë, NMS Sander, e cila merret me përpunimin e produkteve të ndryshme ushqimore, e cila është aq e madhe saqë askush që kalon aty nuk mund të mos e dallojë. Sipas Drejtorit të saj të Cilësisë, Cheikh Alioune Konaté, vitin e kaluar ajo realizoi një total prej 140,000 tonë ushqim për pulat, nga 122,000 që realizoi gjatë 2017.

Kati i parë i magazinës është i mbushur me lëndë të para të papërpunuara, si misër nga Maroku, Egjipti dhe Brazili, sojë nga Mali dhe produkte peshku nga furnizues të ndryshëm vendas. Kjo fabrikë ka hapur edhe shumë vende të reja pune, duke filluar me punëtorët që merren me ndarjen e lëndëve të para e deri tek teknikët dhe profesionistët që drejtojnë sistemin kompjuterik dhe pozicione menaxheriale. Kamionët ikin e vijnë të mbushur plot me furnizime. Shpesh thuhet se Afrikës Sub-Sahariane i mungon një bazë industriale. Kjo është më se e vërtetë sepse sipas Organizatës Ndërkombëtare të Prodhuesve të Makinave, vetëm një në 85 makina prodhohet në Afrikë.(Monitor)

@tn.lajmelokale
@tetovanews