Ballina Aktualitet Pendarovski dekreton ligjet e panënshkruara nga Ivanov

Pendarovski dekreton ligjet e panënshkruara nga Ivanov

Presidenti i ri, Stevo Pendarovski përshëndetet me ish-presidentin Gjorge Ivanov. Shkup, 12 maj, 2019.

Bllokimi i ligjeve reformuese ka shkaktuar ngecje të mëdha në transformimin e institucioneve të shtetit, në përputhje me vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, thonë analistët në Maqedoninë e Veriut.

Kanë mbetur më pak se një muaj para se Brukseli të vendosë rreth caktimit të datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Sipas ekspertëve, nënshkrimi i një pjese të madhe të ligjeve nga presidenti i ri i vendit, Stevo Penderovski, do t’i japë shtytje procesit të integrimeve të vendit, por megjithatë, ata druajnë se periudha njëmujore është kohë e shkurtër që këto ligje të zbatohen në praktikë.

“Është mirë që presidenti i ri i shtetit nuk humb kohë, përkatësisht i është përveshur punës së dekretimit të ligjeve evropiane. Pavarësisht se ka ose jo kohë të mjaftueshme që ligjet reformuese të arrijnë të gjejnë zbatim në praktikë, mendoj se Institucionet evropiane janë të vetëdijshme për relacionet që ka pasur Parlamenti me Presidencën e shteti dhe e gjithë kjo duhet të notohet pozitivisht”.

“Së fundmi, më tepër vlerësimi i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut do të jetë politik, për shkak të ndryshimit të emrit të shtetit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mersel Bilalli, ish-këshilltar në Presidencë.

Ndryshe, me të marrë detyrë, presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vendosi që të dekretojë ligjet që kanë të bëjnë me punën e gjykatave, Ligjit për punën e administratës shtetërore, Ligjin për Energjetikën, Ligjin kundër diskriminimit, Ligjin për qasjen e lirë në informacionet me karakter publik dhe shumë ligje të tjera.

Në funksion të një shtytjeje për proceset integruese, u zhvillua edhe takimi i sotëm ndërmjet presidentit Stevo Pendarovski dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Presidenti Pendarovski dhe kryetari Xhaferi kanë këmbyer mendime për gjendjet aktuale në Maqedoninë e Veriut. Të dy bashkëfolësit e kanë theksuar rëndësinë e të gjitha institucioneve relevante në shtet, që në periudhën e ardhshme t’i japin kah kapaciteteve të përgjithshme drejt realizimit të hapit të ardhshëm të rëndësishëm në integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut – caktimit të datës për fillimin e bisedimeve hyrëse me Bashkimin Evropian”, thuhet në kumtesën e Presidencës së Maqedonisë së Veriut.

Në këtë drejtim, ish-ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Bruksel, Nano Ruzhin, për Radion Evropa e Lirë thotë se duhet të realizohen detyrimet që ka marr Maqedonia e Veriut, me qëllim që të marrë një raport pozitiv nga Komisioni Evropian, sa i përket caktimit të datës për fillimin e bisedimeve.

Ruzhin, megjithatë, thotë se rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të kenë rezultatet nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

“Si do të jetë rezultati nga këto zgjedhje, i tillë do të jetë dhe fati i Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thotë Ruzhin.

Ligjet reformuese për një kohë mbetën të bllokuara si rrjedhojë e mosdekretimit nga ana e ish-presidentit të Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, i cili kishte refuzuar t’i nënshkruajë ato, për arsye se në këto ligje figuronte emri i ri i shtetit, Maqedonia e Veriut.

@tn.lajmelokale
@tetovanews