Ballina Bota Pas largimit të zv. kancelarit në Austri, sytë tek ministri i Brendshëm....

Pas largimit të zv. kancelarit në Austri, sytë tek ministri i Brendshëm. Rusia mohon përfshirjen

Austria vazhdon të jetë e trazuar politikisht, pas skandalit që detyroi zëvendës kancelarin e vendit Hajnc Kristian Shtrahe të jepte dorëheqjen.

Pas Shtrahe, vëmendja e kancelarit Sebastian Kurz është fokusuar tek ministri i Brendshëm, Herbert Kikël, anëtar i Partisë së Lirisë e drejtuar nga Shtrahe.

Videoja e xhiruar fshehurazi tregoi ish-zëvendës kancelarin teksa diskutonte një aferë financiare me një investitor rus dhe për Kurz, shkarkimi i ministrit Kikël është mënyra e duhur për të hedhur plotësisht dritë mbi episodin.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Kurz nuk i konfirmoi zërat se ministri i Brendshëm do të shkarkohej.

Por Partia e Lirisë ka deklaruar se, nëse ministri shkarkohet ajo do të dalë nga koalicioni qeverisës.

Ndërkohë, Rusia ka përjashtuar çdo përfshirje në aferë.

Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dimitri Peskov ka deklaruar se gjithçka që ka ndodhur është një incident që nuk ka lidhje me Kremlinin.

Sidoqoftë, skandali vjen në një moment kritik për Partinë e Lirisë, pasi pas pak ditësh, nga 23 deri më 26 maj do të mbahen zgjedhjet euro-parlamentare, që pritet të sjellin një rritje të ligjvënësve ekstremistë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews