Ballina Bota Nëntë milionë klikime që po shkundin politikën gjermane

Nëntë milionë klikime që po shkundin politikën gjermane

Gjermani Rezo (lexo: Rizo) është 26-vjeçar, student i informatikës dhe tashmë yll në YouTube: me një film prej 55 minutash ai atakon sidomos partinë e kancelares gjermane për mungesë vizioni për të ardhmen. Rezo kritikon qeverinë për shkak të refuzimit për të hequr dorë nga prodhimi i energjisë me qymyr. Filmi i tij është shikuar mbi 7 milionë herë në YouTube.

Nga Enver Robelli

Rezo nuk është i panjohur në YouTube. Ai poston skeçe, video, muzikë. Rezo ka 787,994 abonues në YouTube dhe është fenomen i kulturës së rinisë, e cila s’lexon më gazeta, siç thuhet nga më të moshuarit. Por a është rinia në Europën Perëndimore jopolitike? Duket se jo nëse shikohen protestat e nxënësve dhe studentëve për mbrojtjen e klimës, të cilat po mbahen çdo të premte.

Javën që shkoi Rezo ka postuar në YouTube një video (https://www.youtube.com/watch?v=4Y1lZQsyuSQ). Gjatë 55 minutave ai me fakte, dëshmi, citate nga mediat demaskon politikën e qeverisë, e sidomos të CDU-së, partisë së kancelares Angela Merkel. Videos së tij Rezo ia ka vënë titullin: «Shkatërrimi i CDU-së». Ai thotë se nuk është qëllimi i tij të shkatërrojë ndokënd, por vetëm të tërheq vëmendjen mbi gjendjen dramatike dhe refuzimin e partive politike për të parë realitetin e zymtë dhe për të vepruar me urgjencë. Videoja e Rezo ka shkundur Gjermaninë. Deri të premten paradite filmin e tij në YouTube e kanë klikuar mbi 7 milionë përdorues interneti. Shtatë milionë!

Në videon e tij Rezo thotë se në Gjermani të pasurit po bëhen gjithnjë e më të pasur, të varfrit po varfërohen edhe më shumë. Para së gjithash fëmijët e mërgimtarëve në Gjermani e kanë vështirë të ngjiten lart në shkallët e karrierës. Natyrisht nuk është vetëm faji i shtetit gjerman për këtë, shumë familje mërgimtarësh konsiderohen «bildungsfern», një fjalë gjermane që përshkruan familjet e painteresuara për t’i motivuar fëmijët të kualifikohen për ndonjë punë. Rezo me të drejtë thotë se në krahasim me vende të tjera Gjermania ndan një pjesë më të vogël të mirëqenies për arsim.

Rezo kritikon angazhimin e mangët të qeverisë në mbrojtjen e ambientit. Ai pyet se përse qeveria synon të heq dorë nga prodhimi i energjisë me qymyr tek në vitin 2038. Rezo e shpjegon këtë me honorarët që marrin politikanët nga industria e qymyrit. Rezo citon portalin «Spiegel Online», i cili ka shkruar se politikanët komunalë të CDU-së shpërblehen me para për anëtarësinë e tyre në bordet e kompanisë RWE.

Në fund të videos së tij Rezo apelon që të mos votohen partitë e etabluara si CDU apo socialdemokratët, madje ai duket se ka probleme edhe me të Gjelbrit. Sipas tij të gjitha partitë nuk po e kuptojnë sa dramatike është situata me planetin. Sipas Rezo, assesi nuk duhet të votohet Alternativa për Gjermaninë (AfD), sepse në këtë parti ka «nazistë».

Meqë video është bërë shumë e popullarizuar, CDU njëherë deshi t’i përgjigjej Rezos me një kundërvideo. U njoftua se atij do t’i përgjigjej një deputet i ri i CDU-së. Video u xhirua, por në fund CDU hoqi dorë nga publikimi i saj – me gjasë nga frika se efekti do të jetë i kundërt me synimin. Dje CDU u tregua e gatshme të bisedojë me Rezon. «Ju po thoni përherë se të rinjtë s’po interesohen për politikë. Atëherë pajtohuni me faktin kur të rinjtë politikën tuaj e konsiderojnë vetëm bajgë», thotë Rezo në fund të videos së tij.

Jo gjithçka që thotë Rezo është e vërtetë, shumë fakte janë të lakuara, disa fakte të tjera interpretohen sipas interesit, por në përgjithësi filmi prej 55 minutave ka ndezur debate interesante në Gjermani.

@tn.lajmelokale
@tetovanews