Ballina Diaspora Me diasporën shqiptare në Trakën greke dhe turke

Me diasporën shqiptare në Trakën greke dhe turke

Prof. Nasho Jorgaqi

Duke shëtitur, lart e poshtë nëpër Trakën greke, tek takohem e bisedoj me vëllezërit tanë që jetojnë këndej, bindem përherë e më shumë se në këto vise gjendet një nga vatrat e diasporës sonë ende të panjohur. Sipari i saj sapo është ngritur: një bashkësi e tërë shqiptare ekziston e shpërndarë ndërmjet maleve hijerënda të Rodopit dhe brigjeve plot dritë të Egjeut.

Para hulumtuesit dhe studiuesit të kulturës sonë shtrihet një terren pothuaj krejt i virgjër. Është kjo një minierë vlerash që pret gjuhëtarin, dialektologun dhe etimologun, po dhe historianin, etnografin, muzikologun, sociologun… Ti që ke ardhur nga Shqipëria këtu për herë të parë, vetëm mund te shohësh, mund të dëgjosh, mund të soditësh, mund dhe të meditosh kalimthi. Po më shumë se kaq, koha nuk të premton.

E, megjithatë, një përshtypje të përgjithshme krijon dhe disa gjëra i merr me vete. Gjëja e parë që të tërheq vëmendjen është gjuha, e cila dallon nga gjuha shqipe e arvanitasve të Greqisë. Shqiptarët e Trakës nuk janë arvanitas në kuptimin historik të fjalës dhe as u takojnë zonave të tyre, qoftë të veriut apo të jugut. Në rast se arvanitasit kanë ardhur në Greqi nga shekulli i 13e këndej, shqiptarët e Trakës janë shumë më të vonët. Të ikur nga Shqipëria në kapërcyell të shekujve 17-18, ata jetuan bashkërisht në vilajetin e Edërnesë (që grekët e quajnë Adrianopojë) deri në vitet 20 të shekullit tonë, kur u shpërngulën dhe u vendosën në Trakën perëndimore.

Këto rrethana historike dhe prejardhja gjuhësore prej një treve tjetër, sollën që shqipja e tyre t’i përmbahet një procesi të vet e të krijojë disa tipare të veçanta. Veç kësaj, duke pasur një “prejardhje të përbashkët e duke qenë gjuhë e një bashkësie, që bëri një jetë etnikisht të pastër për një kohë të gjatë, ajo paraqitet më unike, pa shtresime të të folmeve të arvanishtes.

Prandaj, gjuha e shqiptarëve të Trakës është më e kuptueshme dhe më pranë gjuhës së sotme shqipe. Ajo është toskërishtja e krahinës së Kolonjës, e folmja e zonave juglindore të Shqipërisë, me fizionominë e vet fonetike, morfologjike e leksikore. Kjo e folme, duke e vërejtur nga afër, nuk është e shkëputur ose e larguar nga sistemi i gjuhës sonë kombëtare, qëndron brenda tij. Nga ana tjetër, gjuha vendëse sado presion që ka bërë, nuk ka arritur ta bllokojë dhe proceset e brendshme kanë vazhduar të mbeten në kufijtë e një zone që përpiqet të bëjë një jetë të vetën.

Nga dëshmitë që dëgjojmë prej pleqve marrim vesh se shqipja tek shqiptarët e Trakës deri në fillim të shekullit tonë është ruajtur shumë mirë. Megjithëse është një ishull gjuhësor, në mes ngulimeve të huaja, duke përdorur turqishten si gjuhë zyrtare e duke qenë nën presionin e greqishtes, si gjuhë e shkollës dhe e kulturës, ngulimet shqiptare të vilajetit të Edërnesë do ta ruanin me fanatizëm gjuhën e tyre. Fan Noli do të rritej dhe do të formohej në këtë realitet gjuhësor.

E dëgjuar sot te burimet nga bartës të vjetër, do të vihen re mirë dallimet që ka gjuha e shqiptarëve të Trakës nga arvanishtja. Ajo nuk i ka elementet arkaike në atë shkallë sa kjo e fundit. Ndryshimet në mes toskërishtes dhe greqishtes janë më pak të pranishme se ata të arvanishtes ose arbërishtes. Nga fjalët e vjetra të përbashkëta shqiptarët e Trakës kanë disa, si bjerrë-gjegj-gjegjëm, menat, shërbesë etj. Në disa mjedise të fshatrave si Qipi, Pepel e gjetkë dëgjohen togjet kl, gl (klishe, klumësht, gluha etj), ose trajta të evoluara si gjuha etj. Janë të përhapura format e vjetra si i ogël (për i vogël), punonj, bënj etj…

Mund të themi se gjuha që dëgjova nga shqiptarët e Trakës është më afër asaj tonës sesa arvanishtja. Nga ana fonetike vura re se ajo nuk i ka aq të shpeshta zanoret e shkurtra dhe zhvendosjen e thekseve të ndikuara nga greqishtja, siç ndodh kur flasin arvanitasit. Tingulli i saj është tingull i toskërishtes burimore, me një shqiptim të qartë dhe intonim sonor të brendshëm.

Edhe mekanizmi morfologjik, duke e hetuar në procesin historik, për një periudhë të gjatë ka funksionuar si një mekanizëm i gjuhës shqipe sado që me kalimin e kohës u është përshtatur gjuhëve sunduese. Megjithatë s’është zor të kuptosh se fjala e huaj, kur është përdorur nga shqiptarët, u është nënshtruar ligjeve morfologjike të shqipes: është lakuar fjala, është shumëzuar në mënyrat e saj, është zgjedhuar folja. Por bashkëjetesa e gjatë në zona etnike të përziera dhe ekzistenca e këtyre ngulimeve shqiptare në kufi të Turqisë, të Greqisë e të Bullgarisë, ka bërë që shqipja e tyre të jetë në marrëdhënie me to, sidomos me turqishten e greqishten. Ky është shkaku që në leksikun e saj kanë hyrë plot greqizma, turqizma, e më pak sllavizma. Në ditët tona shqipja në Trakë është mbytur nga greqizmat, si për shkak të jetesës së përbashkët me grekët ashtu dhe të kulturës vendëse dhe të fesë së njëjtë.

Gjuha shqipe e shqiptarëve të Trakës si dikur dhe tani flitet, por nuk shkruhet. Përdorimi i saj shtrihet kryesisht në rrethin familjar e përgjithësisht në një shoqëri të mbyllur brenda kufijve të disa fshatrave. Në gjendjen e sotme, ajo është në kushtet në të cilat ndodhen arvanishtja. Mbi të veprojnë po ato rrethana e faktorë politikë, shoqërorë dhe kulturorë, por në qoftë se arvanishtja është mbledhur e studiuar pak a shumë, shqipja e Trakës ka mbetur jashtë rrethit të njohjes e të hulumtimit shkencor.

Duke e hetuar kalimthi gjuhën shqipe nëpër Trakën greke do të vinim re se me keqardhje një tablo të trishtuar. Gjuha e shqiptarëve këtu është përpara ngrysjes dhe shpresat për të mbijetuar në shekullin tjetër mund të jenë të vakëta. Ata që e ruajnë dhe e flasin të plotë gjuhën amtare janë pleqtë nga mosha 70 vjeç e lart. Pas tyre vjen brezi i gjysmëfolësve që u takon mosha 50-70 vjeç, të cilët kanë një leksik të kufizuar, përdorin shprehje e fjalë të urta të gatshme, ndërsa në përdorimin e sistemit gramatikor kanë pasiguri. Shqiptarët e brezit nën 50 vjeç rrallë e dinë shqipen, me përjashtim të atyre rasteve kur ka ndikuar tradita familjare apo mjedisi i veçuar. Në mes brezit të ri shqipja për fat të keq dëgjohet rrallë. Tek këta më shumë se te brezat e vjetër ndihet prania e vendit dhe e gjuhës se huaj, e martesave të përziera e urbanizimit, e kurbetit të ri, e mjeteve moderne të komunikimit.

Shqipja e Fan Nolit në Trakë në kohën tonë jeton kryesisht te pleqtë. Këta janë ndoshta bartësit, folësit dhe mësuesit e fundit të gjuhës shqipe. Tek i dëgjon të duket se ndonëse ata pleqërojnë ditët e fundit, gjuha e tyre nuk është plakur. Ajo krijon menjëherë lidhje dhe vendos komunikim të plotë në mes teje, që vjen nga Shqipëria, dhe atyre që gjen në këto vise të huaja. Është një shqipe, mbase e lodhur dhe e lektisur, por prapë e bukur dhe e rrjedhshme.

E dëgjon dhe të lind dëshira të mbash ndonjë shënim për pasurinë e nuancat kuptimore, që ka marrë shqipja në mërgimin trakas. Vë re disa ndryshime: ata thonë gjegj për dëgjoj; brihet për grindet; po kështu gjëzënjë për shëtis: ndiej për kuptoj, sullejtur për vadis, vështoj për vështroj, kanxhë për qenin femër; vashë për vajzë të madhe; çupë për vajzë të vogël, nuse për kunatën dhe nusen e djalit; kotane për kotecin e derrit; budanellë për pirunin, narende për dalëngadalë; përbuallte për shpërndarë; thur me stap për rrah me stap; gërvenë për grua; bukë e ndorme për bukë e papjekur; verë e mjaltë për verë e ëmbël etj…

Dëgjoj se ditët e javës i ruajnë si ne, kurse muajt e vitit i trazojnë me ato të greqishtes. Tri prej stinëve i thonë shqip, ndërsa pranverës i thonë ligaza. Për kohën dëgjon të flitet si në Labëri, sot, dje, një ditëzë, kasditëzë. Vë re dhe njëherë se shqipja e tyre merr hijeshi dhe ngjyrime stilistikore nga përdorimi i shpeshtë i trajtave përkëdhelëse dhe i mënyrave habitore dhe dëshirore.

Në bisedë e sipër të kap veshi shprehje e fjalë nga më të bukurat, mendime të mençura. fjalë të urta të trashëguara brez pas brezi. Ja disa prei tyre: S’kemi të liga te zemra; Kemi bërë atë që themi dhe themi atë që bëjmë:

Jak të pijmë një kafe; Si thua, do mos vete?; Jak andejza, jak këndejza; Na zu dimri, na zu vera; Ata ishin dhe vanë; Burri im, nikoqiri im; E heq soji; Vështro këtu pa fol; Do të iknje nga sytë këmbët ;Të gjitha që dëgjoj të gjitha i bënj; Përrallëza gzanët i mësojnë në shtëpi; Këtu u gjendëm këtu rrojmë; Pa u bë u bë; Pastajza vijmë ne; Gjetkë shkoi, gjetkë foli; Mbet atje e s’erdh; I fsheh motet se do të duket i ogël (Vogël); Mote kaluan shumë; Pa kishim shtëpi, pa kishim dhera, pa kishim deleza etj…

Dëgjoja këto e sa e sa të tjera dhe më shkonte mendja te Atllasi i gjuhës shqipe, që po përgatisin prej shumë vjetësh gjuhëtarët tanë me të folmet e saj. Më pushtonte atëherë një gëzim drithërues gëzimi i zbulimit të një monumenti gjuhësor. Në mes shqiptarëve të Trakës ruhet gjuha shqipe e dy shekujve përpara. Atje gjenden dhe burimet e gjuhës së Nolit, e njërit prej mjeshtërve të mëdhenj të fjalës sonë amtare! A nuk është ky një sihariq për gjuhëtarët dhe jo vetëm për ta për ta zgjeruar dhe pasuruar gjeografinë e gjuhës shqipe të diasporës.

Merreni me mend sa u befasova, kur një mbrëmje vonë, tek rrija me zonjën Marika në sallon, hyri Ksanthia gjithë triumf dhe tha e ngazëlluar:

—Isha në Qytezë!

—Në Qytezë! — u habita unë, ndërsa vetëtimthi solla ndërmend se atë ditë ajo ishte zhdukur pa më lënë adresë.

—Po, e gjeta shtëpinë e gjyshes, — dhe më zgjat disa fotografi dhe një letër të palosur.

Çfarë kishte ndodhur? Mëngjesin e asaj dite ajo kishte udhëtuar deri në Qytezë, me qëllim që të merrte të dhëna në vend dhe t’u përgjigjej një vargu pyetjesh që kishin dalë. Në ekspeditën e saj, kishte marrë me vete dhe tre pleq qytezallinj, Konstandin Genidhin, Themistokli Galastroishtin dhe Kristo Kondilin. Vetëm me këta udhërrëfyes vendali, stërmbesa e Nolit mendonte se mund të kryente misionin. Natyra energjike e Ksanthisë nuk e duronte dot pritjen dhe heshtjen. Prandaj ishte i bindur se nga “ekspedita” nuk qe kthyer duarbosh.

Dhe vërtet. Gjëja më o rëndësishme që kishte sjellë me vete nga Qyteza ishte tufa e fotografive të shtëpisë së Nolëve, streha ku kishte rënë koka e poetit tonë. Një shtëpi e rëndomtë fshatare, përdhese, ngritur me plitharë a me kallama e baltë, me një hajat përpara. Përqark vinin oborri dhe baçja, rrethuar me gardhe. Është banesa karakteristike e fshatarëve të Trakës, me një fizionomi tipike fushore.

Vite të shkuara, kur kisha vajtur në Ibrik-Tepe dhe isha endur nëpër fshat, nuk kisha arritur ta identifikoja dot këtë shtëpi. Sulltana, e motra, sa kishte qenë gjallë, nuk kishte shkuar ta shohë rishtas shtëpinë e prindërve. Edhe i biri, xha Jani, që e dinte, nuk kishte treguar aq kujdes sa ta fotografonte. Ai mendonte se Qyteza për qytezallinjtë ishte një gërmadhë e hapur dhe s’ia vlente të merreshe me të.

Por ja, tani kishte vajtur Ksanthia me tre pleqtë qytezallinj dhe së bashku me turkun, të zotin e ri të shtëpisë e kishin përcaktuar njëherë e mirë shtëpinë e gjyshes nga babai. Mbaja fotografitë në dorë dhe sa më shumë i shikoja, aq më mirë vija re hollësi që ne vështrim të parë nuk bien në sy: shtëpia vinte sa e gjerë dhe e gjatë, me çati të madhe, me muret e jashtme të bardha e me një brez ngjyrë kafe përfund, me dyer e dritare lyer në blu të hapur. Ishte ashtu siç kishte qenë njëherë, më shpjegonte Ksanthia, duke pasur parasysh kujtimet e gjyshes. Përpara, në oborr, rronte ende mani i vjetër, që e mbanin mend dhe tre pleqtë, po e pranonte dhe vetë turku. Turku u tha se disa metra më tutje manit gjatë gërmimit, ishin gjetur eshtrat e një fëmije. Ç’mund të ishte ai fëmijë, askush s’dinte gjë, por dihet se shpërngulja e dikurshme ka qenë e dhimbshme dhe natyrisht me viktima. Ajo ndodhi brenda një nate, kur lufta ziente nga të katër anët.

Pastaj Ksanthia hapi letrën e palosur, ku ajo kishte skicuar planin e përgjithshëm të Qytezës dhe ma vuri përpara:

—Shikojeni, kjo është rruga kryesore. Në të dy krahët e saj janë dy lagjet e fshatit: Lagjja e Sipërme dhe Lagjja e Poshtme. Nolët banonin në Lagjen e Poshtme, afër shkollës. Më tutje vjen mulliri, kisha me varret; kurse këto janë çemat. Në këtë fotografinë tjetër shkolla është kthyer në xhami. Ja minareja. Kjo tjetra tregon çezmën më të madhe të fshatit me disa lyfytë. Duket që është shumë i vjetër.

Ksanthia tha më pas se kishte takuar dhe një turk shumë të moshuar, i cili kishte qenë çoban në Ibrik-Tepenë e arnautëve dhe i kujtonte këta me mall dhe nderim të madh.

Me këto të dhëna tani e kisha më të qartë pamjen e vendlindjes së Nolit; por ajo që më gëzonte shumë ishte përcaktimi njëherë e mirë i shtëpisë së tij.

Çdo ditë sa qëndrova në Trakë do të gjendesha përpara të papriturave nga më të çuditshmet. Krijoheshin situata që as i mendoja. Kështu, nuk mund të harroj fytyrën e një gruaje të panjohur, që me të marrë vesh ardhjen time, erdhi e më takoi dhe si biseduam përzemërsisht, para se të largohej më zgjati një pako, duke më thënë:

—- Këtu ke «Besën» tonë. Është gërqisht po shpirtin e ka shqiptar.

Kur e hapa, pashë një koleksion të revistës «Besa» organ i Lidhjes arvanitase të Greqisë, që e drejton studiuesi Aristidh Kolja. Është një revistë me vlerë, siç ishte më parë dhe revista tjetër «Dialogi» e Jorgo Marugasit, që u mbyll me vdekjen e kryeredaktorit. Në faqet e tyre gjen historinë dhe jetën e arvanitasve, gjuhën dhe folklorin, që ata e ruajnë dhe përpiqen ta mbledhin; gjen artikuj me probleme të mprehta shoqërore e shkencore, fotografi të vjetra e të reja, lexon kronikën e veprimtarive arvanitase. Në një rubrikë të veçantë të «Besës» botohen letrat që i dërgohen kryeredaktorit nga lexuesit. Dhe ishte krejt e papritur për mua, kur pashë në këtë rubrikë në numrin e marsit 1989 letrën që çonte një grua nga Feresi. Ajo, në mes të tjerash, shkruante:

«Jam dhe unë shqiptare dhe ndihem shumë krenare për prejardhjen time. Prindërit e mi janë nga Traka lindore. Tani, mund të shkojmë dhe të shikojmë fshatrat e prindërve tanë në Turqi, në Ibrik-Tepe, Sulltanqoi, Keshan, Uzun-Qopru, Ipsalla etj. Shkojmë dy herë në javë në grupe. Është atdheu ynë i parë… Shumë poshtë kanë dashur të na hedhin ne shqiptarëve, por ne duhet të përpiqemi që të qëndrojmë në këmbë. Uroj që të mos shuhet kurrë fara shqiptare…»

U mallëngjeva kur m’i përkthyen këto radhë. Më tingëlluan si një thirrje e zjarrtë fjalët e kësaj gruaje nga Feresi. Thirrje për të qëndruar, për të mos humbur dhe mbështetjen për këtë e gjente te krenaria e identitetit të saj.

—Kush është kjo Maria Nikolidhi? — e pyes Ksanthin. —Dua ta takoj.

Ksanthi qeshi.

—Është ajo që të dhuroi revistat. Po i erdhi turp të ta tregonte se do të dukej si mburrje.

Nuk e ngava me tej. Ishte e tepërt ta takoja. Ndoshta te kjo mënyrë prezantimi qëndronte dhe bukuria.

Ditët kalonin dhe në tavolinën e dhomës ku flija më qenë mbledhur një stivë me libra. Ishin dhuratat më të mira që më bënin vëllezërit tanë në Trakë. M’i sillnin sidomos mësuesit e ndonjë plak i shkolluar, po veprat më me vlerë i kisha nga Ksanthia, e cila ishte e informuar për botimet mbi shqiptarët e Greqisë. Këto botime, vitet e fundit nuk janë të pakëta në këtë vend dhe gëzohesh kur sheh që pjesa më e madhe e tyre u takon autorëve arvanitas. Bile është krijuar dhe «Bibloteka arvanite» («Arvanitiqi vivliothiqi^) nga shtëpia botuese «Jeru», që ka nxjerrë në dritë një varg librash të çmuara për historik dhe jetën e bashkësisë arvanitase. Para disa viteve studiuesi i pasionuar Aristidh Kolia botoi librin «Arvanitasi” (1983), një paraqitje historike, folklorike, kulturore dhe gjuhësore, që bëri shumë jehonë, aq sa u ribotua. Kolja do të më dhuronte pas disa ditësh në Athinë librin e tij të sapobotuar “Gjuha e perëndive”, një studim krahasues në mes të gjuhës shqipe dhe greqishtes.

Më ranë në dorë dhe tre libra të studiuesit tjetër arvanitas Niko Saltari siç ishin «Jeta e arvanitasve» (1986) “Tregime dhe gojëdhëna arvanitase» (1987) dhe «Mitro Truqi, poet arvanitas i shekullit XIX» (1987). Autori, që ishte arvanitas nga Salamina, ia kushton të tri veprat traditave të lashtësisë arbërore të këtij ishulli të njohur.

Hulumtimi e mbledhja e folklorit dhe e muzikës arvanitase tërheqin vazhdimisht interesin e specialistëve dhe prej këtyre fushave janë botuar përmbledhje të ndryshme. Kompozitori dhe këngëtari Than as Moraiti i ka dhëne pu- blikut një zgjedhje selektive të muzikës arvanitase, madje dhe të shqiptarëve të Trakës (1986). Folkloristja Maria Dhedhe ka mbledhur krijimtarinë popullore të të gjihtë zonave arvanitase dhe atë të krahinës së Evrosit në dy vëllime nën titullin «Këngë arvanitase» (1978, 1981).

Kjo është një pasuri e madhe që përfshin folklorin arbëror nga ninullat e deri te këngët e dashurisë e të punës. Sipas kësaj folkloristeje, në mes arvanitasve «të cilët janë poetë nga natyra», ekziston një oqean i vërtetë këngësh. Më kanë sjellë dhe një varg librash mbi traditat e kulturës shqiptare dhe gjuhën shqipe të diasporës sonë në Greqi, vepra të studiuesve të njohur si T.Johallesi, Ll.Cicipisi, K.Pandelidhisi e te tjerë. Të vjen mirë kur sheh se sado pengesa dhe paragjykime që mund të ketë, studimet arvanitase, duke përfshirë këtu dhe ato të shqiptarëve të Trakës, janë tanimë një realitet shkencor që sa vjen dhe e zgjeron terrenin e vet.

Botimet e shqiptarëve te Trakës, nga sa u interesova, janë të rralla. Interesa për traditat, gjuhën dhe historinë e tyre ka individë si K. Kazaqi me shokë përpiqen të mbledhin materiale gjuhësore e folklorike, t’i bien në gjurmë historisë së bashkësisë, por nuk e kanë të lehtë, veç të tjerash, se gjenden në periferi, larg qendrave studimore. Megjithatë, mund të ndeshesh dhe me raste të tilla, që të të bjerë në dorë libri i një fshatari të thjeshtë, siç më ra mua ato ditë. Libri «Zallufi i Madh» (Traka lindore) i Kristo Ruspollsit, bujk, siç e shënon që në krye, nga fshati Qimono i Oristiadhës së Evrosit dhe i botuar dy herë në vitet ’70 në Selanik. Autori thotë në hyrje se e ka shkruar këtë libër për Zallufin e Madh, që të mos harrohet historia e tij dhe e ngulimeve shqiptare në vilajetin e Edërnesë. Ai e nxjerr Zallufin si të parin fshat që u ngrit këtyre anëve dhe që pas këtij u ngritën të tjerë. Në përshkrimin e autorit, Zallufi del një fshat me 1 000 shtëpi dhe 5 000 banorë, me dy shkolla, me kisha të vjetra, me dyqane e zyra, me një shesh të madh. Kishte dhe dy mullinj bloje një që punonte me ujë të lumit Ergina e tjetri me naftë, një punishte leshi, pastaj çezma e puse etj. Tokat e shqiptarëve këtu arrinin në 1 400 dynym dhe niveli i tyre ekonomik ndikonte për mirë dhe në mënyrën e jetesës. Shtëpitë, ashtu si dhe në Qytezë, i kishin themelet prej guri, kurse muret prej qerpiçi, me qereste nga plepat e egër. Çatitë i kishin me tjegulla dhe oxhak, kurse shtëpitë e fshatarëve turq qenë të mbuluara me kashtë. Ai flet dhe për pajisjet e shtëpive të shqiptarëve, me vatra zjarri e pastaj me soba, me tavolina e karrige, po dhe me rrogoz dhe jastëqe. Hanin me pjata balte, me lugë, kurse përdorimi i pirunjve ishte luks. Krevate mbanin vetëm familjet e çorbaxhinjve, shumica flinin në rrogoz. Në një nga dhomat mbanin pasqyra dhe rreth e qark nëpër mure varnin fotografi. Çdo shtëpi do të kishte alvëmend, me të cilin përgatisnin veshjet, që përshkruhen me hollësi. Madje i ilustron me fotografi dhe skica të ndryshme.

Zallufiotët, si të gjithë ngulimet e shqiptarëve të Edërnesë ishin kryesisht bujq, por merreshin edhe me blegtori. Shumica kishin tokat e tyre, kishte dhe argatë. Ruanin dhe kultivonin një jetë të gjallë zakonore dhe në libër jepen me hollësi ritet e lindjes, të martesës, të vdekjes. Tregohet dhe për festat e shumta që nga Viti i Ri dhe 1 Maji, si festa e natyrës e deri te festat fetare. Në këtë të fundit, vendin kryesor e zinte festa e Shëngjergjit, që cilësohej si festa e të gjithëve, e të pasurve dhe të varfërve. Atë e festonin edhe për arsyen se Shën Gjergjin e kishin si shenjtin e tyre mbrojtës, të sjellë nga Shqipëria.

Jeta e fshatarëve shqiptarë gjallërohej nga panairet, që organizoheshin disa herë në vit dhe në fshatrat e ndryshme, për të cilat autori shkruan gjatë e gjerë.

Libri është i mbushur plot me të dhëna për realitetin shoqëror e zakonor të fundit të shekullit të kaluar. Prandaj ai paraqet interes jo vetëm për Zallufin, po për të gjithë bashkësinë shqiptare në Trakën lindore. Nga kjo pikëpamje, në mënyrë të tërthortë, ai ndihmon për të njohur mjedisin dhe kohën ku lindi e kaloi fëmijërinë e djalërinë Fan Noli. Në bibliotekën e Bashkësisë së Feresit, me ndihmën e Ksanthisë gjetëm një pjesë të mirë të koleksionit të revistës periodike “Thraqika”. Ky ishte një zbulim i rëndësishëm në kërkimet për Nolin, që më jepte dorë për të njohur më mirë si historinë e fshatrave ortodokse në vilajetin e Edërnesë, ashtu dhe kulturën shpirtërore e materiale të grekëve e përgjithësisht, të jetës kulturore e arsimore të bashkësive të tyre në Trakë e Adrianopojë.

«Thraqika» është një revistë që botohet prej afro një shekulli nga Qendra për studimin e Trakës në Athinë dhe vazhdon të dalë dhe në ditët tona. Në të gjen materiale e dokumente të pasura, artikuj dhe studime, kronikën e kohës; kryesisht për viset trakase. Kuptohet se duke ekzistuar fshatrat shqiptare në këto anë dhe duke u trajtuar shqiptarët ortodoksë si grekë, «Thraqika» përbën një burim të pazëvendësueshëm, kryesisht faktesh e të dhënash dokumentare.

Këtë e vura re që në shfletimin e parë. Gati në çdo numër flitej për fshatrat shqiptare të Trakës lindore, në prefekturën e Adrianopojës (nomos Adhrianopollos), të cilat i quan ortodoksë shqiptarofonë.

Në një përshkrim të gjendjes administrative të prefekturës së Adrianopojës për vitet 1860-1912 vërehet se në këtë prefekture kanë qenë tetë fshatra të populluara nga shqiptarë. Këto fshatra ishin Megallo Zallufi ose Zallufi i Madh (me 2 500 banorë), Mandrica (me 2 400), Sulltanqoi (me 2 600), Alltentash (me 910), Pazardare (me 400), Inanli (me 100), Karaxha-Halil (250) kurse Ibrik-Tepeja (me 2320). Nga të dhënat që botohen del se numri i banorëve të Ibrik-Tepesë nga 1876 deri në fund të shekullit lëviz nga 1500 deri 3550 banorë.

Për ardhjen e shqiptarëve ortodoksë në Trakë, revista shkruante se këta banorë emigruan nga Shqipëria për të mbushur zbrazëtitë e shkaktuara nga luftërat dhe shkretimet pas pushtimit të Stambollit. Ajo nuk e përcakton kohën e emigrimit të tyre, e thotë në mënyrë të përgjithshme, gjë që të bën të mendosh se mund të ketë filluar prej shekullit të 15 për të ardhur përafërsisht deri aty nga shekulli i 18.

Në një nga vëllimet “Thraqika -kronika” është botuar dhe një këngë shqiptare, e mbledhur në Ibrik-Tepe, me titull «Këngë nga Ibrik-Tepeja» (krahina e Ipsallës), përkthyer në greqisht. E përkthyer rishtas në shqip në mënyrë të lirë, ajo thotë:

Një vajzë me emrin Evgjeni, e martuar e vogël.

Mburrej e lavdërohej se s’kish frikë nga mortja.

Se kish shtëpi të madhe e burrë trim.

Dhe mortja kur e dëgjoi i erdhi shumë keq.

Vajti dhe e goditi me thikë në kraharor.

Bie Evgjenia e sëmurë rëndë, gati për të vdekur.

Hyjnë e dalin mjekë me ilaçe në duar.

Hyn e del e ëma duke shkulur leshrat.

— Ah, moj Evgjeni, ku do t’shkosh e mua ku do t’më lësh?

— Merr, moj nënë çelësat, të hapësh sepetin dhe më nxirr fustanin, duvakun më nxirr, nxirr dhe çarçafin dhe eja më stolis.

Nënë moj, kur Teodori të vijë nga gjuetia, jepi të hajë, jepi dhe verë të pijë sa të dehet.

E po të pyes gjë, thuaj diçka për mua,

Mos i thuaj se vdiqa se zemra i helmohet.

Pa mbaruar fjalën, pa sosur llafin, ja mbërrin Teodori nga gjuetia e shkretë, sjell arusha të gjalla e lepuj të vrarë, sjellë dhe një lepur të Iuajë Evgjenia.

Sheh te dera kryqin dhe priftërinj të veshur,

Sheh dhe kryemjeshtrin që bënë tabut:

— Shëndet paç usta, i kujt është ky tabut?

— I Evgjenisë së vogël, martuar me t’gjitha t’mirat.

— Bëja të gjatë e të gjerë që të nxerë dy vetë

dhe në krah të djathtë lëre një dritare,

të hyjnë e të dalin zogj e lajme të më sjellin!

Kur ma përkthente atë ditë Kostandini, ulur në biblotekën e Bashkisë, më përqethej shtati: kjo këngë kaq e thjeshtë e kaq e bukur, barte dhimbjen e një drame fshatare që ndoshta kishte ngjarë dikur në vendlindjen e Nolit. A thua ta njihte ai? A thua kishte dhe këngë të tjera të këtij niveli në Qytezë? Kostandini ngre supet, nuk di të përgjigjet. Vetëm thotë me keqardhje:

— Sa këngë vanë! Humbën nëpër mote, i morën pleqtë me vete. Tani që u kujtuam ne, është vonë.

Vendin kryesor në «Thraqika» e zënë studimet dhe informacioni i pasur për jetën e kolonive greke të Adrianopojës, si qendër e kulturës helene në Trakë. Hulumtuesit grekë e hetojnë dhe studiojnë Adrianopojën nga shumë pikëpamje, në fusha dhe kohë të ndryshme. Ata japin një përfytyrim të qartë dhe me kufij të gjerë të kësaj qendre të njohur. Kuptohet se sa interes ngjallin këto studime për ne kur kujton rolin dhe vendin e Adrianopojës në rininë e F. Nolit. Kujtimet e tij për këtë qytet vijnë, plotësohen e konkretizohen pasi ke njohur të dhënat që ka botuar revista kohë pas kohe.

Adrianopoja ishte një qytet i madh për shekullin e kaluar e fillimin e këtij tonit. Këtë e tregon dhe numri i popullsisë, po dhe përbërja e përzier kombëtare. Këtu jetonin turq, grekë, bullgarë, armenë, çifutë, jevgjitë e të tjerë, dhe në mes tyre dhe shqiptarë, të cilët «Thraqika» i cilësonte ortodoksë shqipfolës. Numri i shqiptarëve nga një dhjetëvjeçar në tjetrin lëviz prej 10 000-15 000 banorë.

Adrianopoja e kohës së Nolit, siç del nga statistikat dhe burimet e tjera, mbahej jo vetëm si kryeqendra e Trakës, po dhe si një nga qytetet kryesore të Perandorisë Osmane. Ajo kishte mbi 100 000 banorë, 8 000 dyqane, 63 hone, 176 çezma, 7 ura prei guri mbi lumin Marica-Meriç-Evro. Pastaj 7 shkolla greke, 2 armene, 2 bullgare, disa shkolla turke. Këtyre u shtoheshin 150 xhami, 13 kisha greke, 12 sinagoga, 2 kisha armene, 2 kisha katolike, 1 kishë bullgare. Për nivelin e zhvillimit të qytetit tregon dhe rrjeti i gjerë i shkollave dhe llojet e tyre të ndryshme. Përveç shkollave fillore dhe foshnjore, kishte disa gjimnaze e shkolla qytetëse, shkolla të veçanta vajzash. Por shkolla kryesore, me sa dukej, ajo më me autoritet në qytetet, ishte gjimnazi grek. Ky gjimnaz mbahej nga institucionet shkollore greke më serioze të Perandorisë Turke dhe për të treguar vlerën e tij krahasohej me «shkollën e madhe të kombit» («Imegali Tujenus skoli») të Stambollit. Në «Thraqikën> e vitit 1944 dhe atë 1956 shkruhet gjerësisht për gjimnazin e Adrianopojës, ku mësuan sa e sa breza nga të gjitha viset e perandorisë e ku studioi edhe Noli ynë. Prej kësaj reviste marrim vesh saktësisht për karakterin e gjimnazit, i cili nuk ishte shkollë teologjike, siç mund të jetë kujtuar ndonjëherë, por shkollë laike ose kozmike, siç i thoshin. Brenda gjimnazit kishte dhe një degë të normales, që përgatiste mësues feje dhe psalltës. Noli kreu pikërisht këtë degë.

Gjimnazi, me sa dëshmon “Thraqikaja” gjendej në vendin më të ngritur të qytetit, nëntë metra mbi nivelin e lumit Marica, në lindje të portës së kështjellës të Kali-Kapisë dhe përballë kishës mitropolitane. Ishte një nga ndërtesat më të hijshme, me dhjetë salla mësimi, me dy kate, në formë katrore, ndërtuar me pllaka të skalitura guri, në stilin e arkitekturës romake dhe e rrethuar me kangjella hekuri. Pamja e saj hijerëndë, shënojnë kronistët, i ngjante një kulle kalorsiake mesjetare, në mes shtëpive të ulëta prej druri që kishte përqark.

Ndërtesa e gjimnazit u ngrit mbi themelet e shkollës greke qytetare, që u dogj në 1880. Më parë gjimnazi kishte pasur një ndërtesë të vjetër njëkatëshe të vitit 1711, të riparuar disa herë. Duke qenë këtu, kjo shkollë u ngrit për herë të parë në nivelin e gjimnazit më 1872.

Projektin e ndërtesës së re e hartoi arkitekti i shquar grek K. Dhimodhisi, autor dhe i «Shkollës së madhe të kombit në Stamboll. Në gurin e themelit të ndërtesës u vendos një pllakë ku qe skalitur ky epigram i shkurtër. -«U kushtohet muzave Pjeridha (të malit Pjeria, N.J), ky vullkan për miqtë e muzave, qytetarëve të Adrianopojës.. .»

Ndërtimi i shkollës u krye në një kohë relativisht të shkurtër, brenda 7-8 muajve, nën drejtimin e të birit të arkitektit, Nikollës. Për ngritjen e shpejt të tij ndihmuan, siç pohon kronika e kohës, vëllazëria greke e qytetit, qeveria e Athinës, por edhe komandanti i përgjithshëm i vilajetit, Rauf Pasha.

Përurimi i ndërtesës së re u bë më 1883. Në ballin e saj u vendos një pllakë mermeri me mbishkrimin “Gjimnazi grek i Adrianopojës”. Pas përurimit, nuk kaloi shumë dhe Universiteti Kombëtar i Athinës e shpalli këtë gjimnaz të barabartë me të gjithë gjimnazet e tjera të Greqisë. Kjo njohje zyrtare u jepte të drejtë atyre që kryenin këtë shkollë, të regjistroheshin lirisht në Universitetin Kombëtar, kurse ata që s’arrinin të ndiqnin studimet e larta caktoheshin mësues në shkollat fillore greke të qyteteve e fshatrave të Trakës. Kultura që merrnin këtu ishte e nivelit bashkëkohor, e plotë dhe me baza serioze. Në mënyrë të veçantë, ata të degës së normales, përveç lëndëve të përgjithshme, mësonin dhe disiplinat didaktike, si: pedagogji, psikologji, metodika të ndryshme. Këtë formim ka marrë me siguri dhe Fan Noli. Mësues të tij do të jenë specialistë të sprovuar dhe njerëz me emër në fushën e kulturës greke të kohës, si profesorët Kristo Papadhopulli, Matheo Paraniu, Emanuil Davidi, Athanas Filaktosiu, Dhimitër Sara e të tjerë.

Të dhëna të tjera të «Thraqikas»- flasin edhe për drejtuesit e gjimnazit nga një vit shkollor në tjetrin. Në regjistrin e drejtorëve të gjimnazit të botuar këtu, lexojmë emrin e drejtorit të parë, J. Vergjiadhisit, që filloi nga puna në vitin shkollor 1883-84. Më pas vijnë të tjerë, po për ne janë me interes të veçantë ata që drejtuan në kohën që studioi Noli. Kështu, në vitin shkollor 1896-1898 ishte drejtor Joanis Filaktos, kurse në vitin 1898-1899 shohim se vihet në krye të gjimnazit Athanasios Joanidhis, profesori më i dashur i Nolit. Është profesori për të cilin në vitin e fundit të shkollës “maturanti rebel” Theofan Mavromati frymëzoi dhe organizoi grevën e gjimnazistëve në mbrojtje të tij. Marrim vesh se kjo ngjarje tronditëse e shkollave të qytetit ndodhi në kohën kur ishte rishtas drejtor J. Vergjiadhisi (1899-1902). Me Vergjiadhisin, djaloshi shqiptar do ta kishte punën keq, jo vetëm se guxoi të ngrejë nxënësit në këmbë, por mbrojti me këmbëngulje kundërshtarin e tij Joanidhisin. Sigurisht për këto kronikat e «Thraqikas» heshtin, por faktet e tjera hedhin dritë dhe bëjnë lidhjen e ngjarjeve dhe personazheve të kohës.

Për gjimnazin e Adrianopojës gjen dhe plot hollësi të ndryshme, që flasin për bazën e tij materiale, si për bibliotekën që ishte nga më të pasurat, për katalogjet zoologjike e botanike, për hartat gjeografike, për veglat muzikore që dispononte etj. Nga këto e të tjera zbulohet qartë tabloja e mjedisit shkollor, ku jetoi e mësoi Noli në vitet 1896-1900.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Trakë do të interesohesha dhe për ato vepra të studiuesve grekë që mund të jenë marrë drejtpërdrejt ose tërthorazi me Fan Nolin. Për fat të keq, bashkëvendësit e tij intelektualë nuk ishin të informuar. Vetëm dinin në përgjithësi se për të në një mënyrë ose në një tjetër është shkruar, por shpesh nga pozita të njëanshme dhe aspak objektive. Kjo vihet re dhe në Enciklopedinë e madhe greke dhe një gjë e tillë natyrisht nuk i shërben njohjes së vërtetë të figurës së Nolit. E bisedonim jo pa keqardhje këtë gjë me vëllezërit tanë, sidomos kur ia ra në dorë vepra vëllimore e Apostol Gllavinës me titull “Autoqefalia e kishës ortodokse në Shqipëri në bazë të dokumenteve të panjohura”. Libri ishte botuar në Janinë në vitin 1978 nga Instituti i studimeve të Jonit e të Adriatikut, nën kujdesin e qarqeve vorio-epirote. Dihet se këto qarqe dhe hierakia e lartë kishtare greke gjithnjë ia kanë marrë për të madhe dhe asnjëherë nuk ia kanë falur Nolit gjithë sa ai ka bërë për zgjimin dhe emancipimin shpirtëror të popullit shqiptar. Edhe pas afro një shekulli, ata nuk duan të tregojnë mirëkuptim për faktin se Noli, si patriot i rendit të tij, përmbushi një aspiratë të madhe kombëtare, duke hedhur themelet e një kishe shqiptare e duke i kthyer në gjuhën shqipe librat e meshës.

Dëshirën për mirëkuptim dhe objektivitet nuk e gjejmë për fat të keq as në veprën e A. Gllavinës. Autori ndjek me konsekuencë vijën e interesave të caktuara politike dhe e trajton historinë e autoqefalisë së kishës shqiptare në mënyrë të njëanshme. Kuptohet se duke vepruar kështu nuk mund të presësh prej tij arsyetime objektive dhe përfundime të sakta. Një gjë është e vërtetë se ai ka pasur privilegjin të shfrytëzojë një dokumentacion të pasur, nga i Ministrisë së Jashtme të Greqisë deri te arkivat personale të peshkopit Kotoko me shokë. Po nga tërë kjo lëndë heterogjene, zbulohen padashur disa të vërteta, merren vesh gjëra të panjohura, hidhet dritë në prapaskenat e qarqeve të larta kishtare të Athinës e sidomos të Patriarkanës së Stambollit, duket qartë qëndrimi dhe veprimtaria e tyre antishqiptare. Mbi të gjitha, nga disa burime tendencioze që shfrytëzon autori del se Fan Noli paskësh qenë afetar, armik i ortodoksisë, klerik arrivist, peshkop i rremë (!?) Por, ndërkaq, nëpër të, mund të qëmtohen fakte me vlerë, pohime interesante, të dhëna që na e zbulojnë Nolin në disa aspekte pak ose aspak të njohura. Jo njëherë libri pohon aftësitë dhe cilësitë jo të zakonshme të këtij personaliteti të shquar të historisë moderne shqiptare.

Në gjimnazin e Adrianopojës, sipas A. Gilavinës, Fan, Noli “u dallua për zgjuarsi dhe për karakter të gjallë”. Ai e saktëson se regjistrimi i tij në Universitetin Kombëtar të Athinës, Fakultetin Filozofik u bë më 1901 dhe jo më 1900. Për të, fshati, vendlindja e Nolit është Inbarasos në Trakën perëndimore, emërtimi grek i Ibrik – Tepesë turke. Duke u marrë me rrethanat konkrete, që përcaktojnë rrugën politike të Fan Nolit, A. Gllavina tregon se pjesëmarrja në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare nisi në Egjipti, kur ai u njoh me disa nga korifejtë e kësaj lëvizjeje, pranoi idetë e tyre, dhe filloi luftën për përhapjen e shqiptarizmës, duke u bërë kështu partizan i flaktë i kësaj ideje. Për shkak, ai u pushua edhe nga puna, kur shërbente si në shkollat greke të Shibin-el-Komit dhe Fajumit. «Në personin e Fan Nolit ideja kombëtare…- shkruan Gllavina, gjeti përfaqësuesin më dinamik, i dalluar për guxim e vendosmëri…». Me këto cilësi, ai do të shkonte në SHBA, ku u gjend në një terren të përshtatshëm për realizimin e ëndrrave të veta afatgjata për zgjimin e bashkimin e shqiptarëve dhe shpalljen e një Shqipërie të lirë. Nga viti 1906 e këndej, shton autori, ai zhvillon një veprimtari sensacionale dhe se duke mos besuar në fe bëhet Prift, vetëquhet bari i grigjës së shqiptarëve ortodoksë të SHBA-së dhe Kanadasë. Sipas tij, në kundërshtim me mendimet e disave që kërkonin rrugën e çlirimit dhe të emancipimit në fe të tjera, si unite, protestante a të një feje thjesht shqiptare, Noli u tregua më realist. Ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve të tij që të kuptojnë se fatkeqësia nuk qëndron te fetë, por te udhëheqësit fetarë, te klerikët e huaj dhe kërkoi zëvendësimin e tyre me klerikë shqiptarë, siç kërkoi dhe përdorimin e gjuhës shqipe në praktikën fetare. Kjo, pohon me të drejtë Gllavina e forcoi frymën patriotike të shqiptarëve dhe bëri që kisha shqiptare të fitojë karakter kombëtar. Qëllimi politik i Nolit ishte të shkëpuste shqiptarët nga Patriarkana, e cila, sipas tij, donte t’i kthente ata në grekë dhe të bashkonte Shqipërinë me Greqinë. Në këtë qëllim patriotik, e gjen ai arsyen përse Noli përktheu në shqip librat e meshës dhe përgatiti një përmbledhje antologjike troparesh. Gllavina kritikon përkthimet fetare të Nolit, sepse përdori një gjuhë intelektuale, fjalë e ndërtime latine, i mbushi plot letrarizma, në vend të fjalëve e ndërtimeve greke, si fjalë e vërtetë e kishës ortodokse. Ai ia merr për të madhe këtë përkthyesit, si shprehje e qëndrimit negativ ndaj kundërshtarëve të vet politikë. Madje, më poshtë, autori zbulon padashur dhe mendimin zyrtar të Patriarkanës, sipas së cilës përkthimet e Nolit janë të parakohshme, pasi gjuha shqipe është një gjuhë akoma primitive, se ka nevojë për kultivim të gjatë dhe pastrim nga fjalët turke, sllave e latine. Në mënyrë të veçantë Gllavina merret gjerë e gjatë me luftën politike e kishtare të F. Nolit në vitet 20. Siç dihet, kësaj lufte ai i kushtoi shumë kohë dhe energji, sepse kishte të bënte me kauzën e pavarësisë së atdheut dhe e plotë shpirtëror të popullit nga ndikimet e huaja. Autori e ndjek hap pas hapi veprimtarinë e Nolit mbas kthimit në Shqipëri në vitet 20 dhe thotë që në krye se patriotët shqiptarë e quajtën atë udhëheqësin e tyre dhe se kishin shpresë se do të luftonte bejlerët e do të krijonte një shtet ortodoks (!) «Hyrja e Fan Nolit në Korçë, — shkruan Gllavina, — ishte triumfale. Ai hyri në qytet si fitimtar»- Kjo ishte një sfidë që i bëhej shovinizmit, grekomanëve, klerit grek dhe Patriarkanës. Të gjitha këto forca antishqiptare, siç del nga faktet që jep autori i librit, do të hidhen kundër Nolit. Fati i tij ishte se ai donte të krijonte edhe në Shqipëri kishën shqiptare, që kishte krijuar më pare më SHBA, ta shkëpuste atë nga Patriarkana, t’i tregonte vendin kishës greke, të fuste në liturgjinë kishtare gjuhën zyrtare shqipe. Frontin e luftës kishtare Fan Noli e ngriti në Korçë dhe në Durrës dhe Gllavina pranon se veprimet e tij gjetën mbështetje te atdhetarët dhe populli, duke krijuar kështu një lëvizje kishtare patriotike. Fryt i këtyre përpjekjeve ishte Kongresi kishtar i Beratit dhe shpallja e kishës autoqefale shqiptare. Një stuhi e tërë shpifjesh e fyerjesh, skenash dhe prapaskenash u ngritën, nga shovinistët kundër Fan Nolit. Patriarkana, veç të dërguarve të kishës greke, do të çonte në Shqipëri peshkopë e zyrtarë të lartë, për të ndjekur nga afër e për të penguar veprimtarinë e tij. Për këtë qëllim do të shfrytëzoheshin ligjet e rregullat kanunike, përvoja dhe analogjitë kishtare, lëkundjet dhe dobësitë e disa klerikëve shqiptarë, deri tribuna e Lidhjes së Kombeve, vetëm e vetëm për të sabotuar aksionin historik të Nolit për një kishë kombëtare shqiptare. Nga të dhënat që sjell Gllavina, duke ndjekur logjikën e vërtetë të fakteve, s’është e vështirë të kuptohet atdhe-dashuria dhe fryma demokratike e Nolit në këtë kohë, strategjia e tij e hollë politike e diplomatike, mençuria dhe horizonti i një personaliteti të një shkalle të lartë. Të gjitha këto nuk mund të mos sillnin në kampin kundërshtar zemërim e pakënaqësi, hutim dhe arsyetime nga më absurdet. Mjafton të përmendim disa nga epitetet më fyese që do të përdoreshin asokohe dhe që autori i pasqyron në libër, si «tallës i zotit», «aventurier», «falsifikator» etj. po dhe kështu, siç paraqitet libri i A. Gllavinës për historinë e autoqefalisë së kishës shqiptare, ai i vlen njohjes së Fan Nolit, aq më tepër kur është fjala për një sferë delikate të vështirë e jo fort të studiuar. Në mes të materialeve të tjera që mblodha ato ditë është dhe një tufë fotografish të vjetra e të reja të shqiptarëve të Trakës. Është jeta e tyre e dikurshme dhe e tanishme këtej dhe përtej kufirit. Janë portrete burrash e grash, pleqsh e fëmijësh tek punojnë, rrinë apo dëfrejnë… Pamje të shtëpive dhe të oborreve, pas parmendës apo mes bagëtive në kafene ose në sheshe, nëpër dasma a raste zyrtare, mund të hetosh në të jo vetëm mjediset, veshjet, objektet, si pjesë e jetës, po dhe gjendjen ekonomike e psikologjike, tipare të identitetit të bashkësisë etnike. Nuk mund të lë pa përmendur dhe disa riprodhime veprash të pikturës greke e sidomos të piktorëve arvanitas, që m’i falën. Ata që m’i falën krenoheshin që po merrja me vete portretet e heronjve shqiptarë të revolucionit grek: Boçarin, Xhavellën, Andrucon apo Kollokatronin hipur mbi kalë, Karaiskaqin duke luftuar në sheshin e betejës, fytyrën prej trimëreshe të Bubulinës, admiralët popullorë nëpër anijet e tyre, si Miaulin dhe Kanarisin. Kundroja këtë plejadë të ndritur heronjsh, që derdhën gjakun për tokën mikpritëse greke dhe kuptoja dhe një herë se historia e tyre është pleksur me historinë e këtij vendi, përjetësisht fqinj me atdheun e shqiptarëve. Një gërshetim i tillë i historisë është ndërruar në një urë të miqësisë në mes të popujve të vendeve tona. Shqiptarët e Trakës janë të ndërgjegjshëm për këtë, siç janë të bindur dhe për indentitetin e tyre etnik, të cilin e shohin të mishëruar aq bukur në figurën e bashkëfshatarit të tyre, Fan Nolit.

Erdhi dhe dita e fundit, ora e ndarjes nga njerëzit dhe bashkëfshatarët e Fan Nolit. Një javë më parë pothuajse nuk njihja asnjë prej tyre. Madje, kisha qenë i shqetësuar, një shqetësim që tani më duket naiv, gati pa kuptim. Në të vërtetë, shpejt gjeta një «copëzë Shqipëri», nën diellin e nxehtë të Trakës. Dhe tani që po afronte ora e ndarjes, po ndodhte, siç ndodh në kësi rastesh, të provoja ndjenjën përherë të gjallë të identitetit të përbashkët. Kisha një tension emocional që më zgjonte pa dashur gjakun e afërsisë. Thua po ndahesha nga njerëzit e farefisit tim. Këta njerëz tanimë kishin hyrë intimisht në jetën time.

— Njeriu di të thotë, u ndash me vëllanë, por s’di të thotë kur do të takohet prapë e a do të takohet? Kësisoj janë rrugët e largimit, të hidhura ngaherë. Nuk i di njeri këto si i dimë ne, që rrojmë këtu në mes rrugëve të botës….

Kështu më tha plaku i mençur Risto Ballkani, i cili erdhi të përshëndetet një ditë para se të largohesha. Pas tij gjithë orët që pasuan do të ishin një varg pa mbarim takimesh e ndarjesh, shtrëngime duarsh e përqafimesh, lotësh e fjalësh të vështira. Prisja e përcillja dhe ndërkaq mendoja e gjyqtoja me vete se ç’kishte ngjarë e ç’po ngjante me këta njerëz, me të cilët isha lidhur për disa ditë dhe detyrohesha të shkëputesha për një çast. Ishte Fan Noli ai që më kishte sjellë mes tyre, ai që më kishte afruar dhe vëllazëruar.

Është një nga zakonet më prekëse të Qytezës që ka mbetur edhe sot e kësaj dite, ai i përcjelljes së të dashurve për rrugë të largëta. E dija këtë nga kujtimet e Nolit, e kisha dëgjuar nga bashkëfshatarët e tij, por e përjetova dhe vetë, pasdreken e ditës së fundit. Para se të nisesha, shtëpia e Qerkusëve u mbush plot e përplot. Njerëzit hynin e dilnin për t’u përshëndetur me vëllanë e tyre nga Shqipëria. Ky ishte gati si një rit përmallimi, sepse secili do të thoshte një fjalë a do të bënte një gjest dashurie. Ndoshta, kjo vinte ngaqë asnjëherë lidhja e tyre me atdheun e lashtë s’kishte marrë një kuptim aq konkret e s’kishte zgjuar aq emocione. Një lidhje që i çonte në dheun e tyre, në malet e Kolonjës, në Qytezë e Qafëzez, në truallet e tyre amtare. Për herë të parë rrugët e largimit ishin kthyer në rrugë të afrimit. Riti i përcjelljes kishte nisur, në njëfarë qysh në mëngjes, kur zonja e shtëpisë Marika nxori nga një sepete e vjetër, një shall të leshtë me motive qytezare dhe, duke ma zgjatur, më tha: Këtë shall e ka punuiar me dorën e saj ime vjehrrë Sulltana. Po të ishte gjallë me siguri do t’jua jepte. Ta mbani me shëndet!

Afër drekës u dha në derë Vangjeli, një djalë i ri që kisha njohur në Qipi dhe më kishte bërë për vete me shqipen e bukur e të saktë që fliste. Këtë herë që vinte të ndahej, vura re se heshtëte, mezi tha disa fjalë nga emocioni. Vetëm para se të largohej, ai më përqafoi, më la në dorë një letër. Në letër mes të tjerash, shkruante këto fjalë, me ca shkronja që mezi kuptoheshin «Shqipërinë që nuk e njoh fare, e dua fort. Fara ime është prej andej.. Dua të vinj një ditë te Shqipëria të shoh nga jam e nga vinj. Rroftë fara jonë!

Nuk arrita ta mbledh veten nga fjalët e thekshme të djalit nga Qipia, kur hyri Despina, një fqinjë e Qerkusve. Nënë me tetë fëmijë, e varfër, por natyrë optimiste dhe krenare. Më tha se nuk do të ishte në Feres kur të ikja unë, pasi kishte shtruar një fëmijë në spitalin e Aleksandropolit dhe donte të përshëndetej. Me këtë rast kishte sjellë një shami të kaltër të qëndisur me dorën e saj.

— Mandilja është udhë e gjatë, por jo ndarje, – tha ajo, duke u munduar të fshehë mallëngjimin. — Të na urdhëroni përsëri!

Nuk di si kaluan orët dhe erdhi koha të nisesha për në aeroport, kur ia arriti teto Katerina, nëna e Panajotit, me disa plaka shqiptare të Feresit. Ato mbanin në duar një pjatë të mbuluar me një pacetë. të bardhë, që unë s’e mora vesh ç’kishte në të. Po teto Katerina, për të mos humbur kohë, ma vuri përpara dhe më tha me zë lutës: – Haje tani një nga këto. Të tjerat merri me vete. Ishin petulla, ca petulla të mëdha, gati sa një simite. Është zakoni ynë kur i përcjellim njerëzit për larg. Plakat me shami të zeza në kokë, si plakat e Bregut tonë, fytyrëbardha e të rrudhura, të kërrusura, më vështronin me sy të mjegulluar, më hidhnin duart në supe dhe diçka pëshpëritnin me njëra-tjetrën. Unë rrija krejt i hutuar nuk dija kujt t’i flisja më parë e ç’t’u thosha, dukej sikur përsërisja të njëjtat fjalë. Ndërkaq më shpëtoi Kosta Kazaqi që kishte ardhur nga Tiqeroja. Ai më dha atë kohë dy kaseta e më tha: Këtu ke disa nga këngët tona. Te kjo tjetra janë meseletë e pleqve, të folme thjesht shqip. Dëgjoi kur të zërë malli për ne! Po më mbyste mallëngjimi dhe kjo gjendje m’u rëndua rishtas kur plaku Kostandin Gallakusi m’u drejtua. me këto fjalë:

-Theofani gjithnjë na ka bashkuar neve shqiptarëve të Trakës. Këtë e provoj dhe këtë herë me juve. Po të mos ishte ai, mbase nuk do qe kujtuar njeri për ne. Ju që erdhët njëherë, ardhëshit përherë dhe këmbën zvarrë! Mirëvafshi.

S’kishte mbetur tanimë asgjë për t’u thënë nga ata që po më përcillnin. Kishte ardhur radha ime dhe këtë më dukej se e prisnin gjithë sa qenë mbledhur. Po a do të isha në gjendje në ato çaste të shprehja qoftë dhe diçka nga aq sa ndieja. Thua, në situata të tilla, të jenë të domosdoshme fjalët? A nuk i thoshin këto sytë e mi të njomur, pamja ime e molisur, lëvizjet e përmbajtura, ajo pasthirrmë e pavullnetshme që më doli krejt vetiu? Dhe, megjithatë, fola:

— Ju faleminderit, vëllezër dhe motra, se vetëm pasi ju takova juve, mund të them se e njoha Nolin. Pa ju, nuk do ta kishim Fan Nolin! Ai doli nga gjiri juaj. Edhe tani ka kaluar kohë nga ajo pasdite e ngrohtë trakase sa herë e kujtoj, ndiej se ende nuk më kanë lëshuar mocionet. Si është e mundur që në aq pak ditë, të kesh aq shumë përjetime e të provosh aq situata e ngjarje, takime e biseda! Dhe të gjitha për një njeri, për një dashuri dhe krenari të përbashkët! Në këto çaste kur rrëfimin tim për vëllezërit tanë në Trakë dua ta mbyll dhe s’di si ta mbyll, më vijnë nëpër mend vargjet e një vjershe të Panajotit, që ma dha para se të ndaheshim:

Shkas në një vijë të thyer,

Humbas në kthesat e kujtesës,

Dhe kërkoj të gjej frymëmarrjen e tokës sime,

Nëpër erërat e kohëve të perënduara!

@tn.lajmelokale
@tetovanews