Ballina Art Mbyllet Festivali i Kanës, ja kush e fitoi “Palmën e Artë” (VIDEO+FOTO)

Mbyllet Festivali i Kanës, ja kush e fitoi “Palmën e Artë” (VIDEO+FOTO)

Mbrëmjen e djeshme, në Kanë është zhvilluar nata e ndarjes së çmimeve të festivalit prestigjioz të filmit ku u shpallën dhe fituesit e këtij edicioni.

Çmimi i “Palmës së Artë”, për këtë vit, u rrëmbye nga regjisori koreano-jugor Bong Joon-ho me filmin e tij “Parasite”, një komedi e zezë.

Festivali e mbylli siparin pas 11 netësh ku u shfaqën një numër i madh filmash të rinj dhe dokumentarësh.

Çmimi i dytë, “Grand Prix” u fitua nga regjisorja francezo-senegaleze Mati Diop, për filmin e saj dramatik “Atlantics”, kushtuar emigrantëve të rinj dhe dhunës seksuale nga politika.

Mati Diop theu dhe një tabu pasi u bë e para femër me ngjyrë që fitoi një çmim në edicionin e 72-të të Festivalit të Kanës. Diop më parë ishte shprehur se ndihej e trishtuar që u desh të vinte viti 2019 që të shfaqej një film nga një grua me prejardhje afrikane në këtë festival.

Nga ana tjetër, filmi i fundit i regjisorit amerikan, Quentin Tarantino “Once Upon a Time in Hollywood”, i cili kishte kritika të forta, doli duarbosh nga kjo ceremoni.

Mes fituesve të tjerë të mbrëmjes ishte dhe Emily Beecham, e cila mori titullin e aktores më të mirë, për rolin e saj në filmin “Little Joe”.

Aktori më i mirë u shpall Antonio Banderas për filmin “Pain and Glory”.

Vëllezërit belgë, Jean-Pierre dhe Luc Dardenne u vlerësuan si regjisorët më të mirë për filmin e tyre “Young Ahmed”, i cili flet për radikalizimin e një djali të ri.

Ndërsa çmimi i jurisë u fitua nga filmi brazilian “Bacura”, i regjisorëve Kleber Mendonça Filho dhe Juliano Dornelles.