Ballina Bota Analiza Lufta e Trumpit me Iranin

Lufta e Trumpit me Iranin

Nga Janusz Bugajski

Ekskluzive Dita-Shumica e presidentëve të Shteteve të Bashkuara e kanë zhvilluar një luftë të madhe me të cilën mbahen mend. Për Xhorxh Bushin e Parë ishte Kuvajti, për Bill Klinton e Kosovës dhe për Xhorxh Bushin e Ri ishte Iraku. E pavarësisht se ai verbalisht i ka kundërshtuar ngatërresat me të huajt me forcë, me sa duket lufta e Trumpit mund të jetë me Iranin.

Tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar. SHBA ka dërguar një njësi aeroplanmbajtëse sulmuese, si dhe një njësi bombarduese në rajon, ndërsa është planifikuar dhe dërgimi i forcave shtesë. Kjo është një përgjigje e qartë ndaj një raporti inteligjence që tregon se regjimi iranian ka dhënë aprovimin aleatëve të vet për të sulmuar shtetasit amerikanë dhe asetet e tyre në rajon. Tani, pyetja që shtrohet është nëse Uashingtoni do të ndërmarrë veprime parandaluese ushtarake.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump e ka kritikuar përfshirjen e SHBA-ve në luftëra të huaja, duke pretenduar se ato nuk ishin në interesin kombëtar të Amerikës. Në veçanti, ai pati sulmuar fuqishëm Presidentin Xhorxh Bush për vendimin e tij për të pushtuar Irakun. Por, nga ana tjetër, Trumpi nuk do të duket i dobët dhe i pafuqishëm në arenën ndërkombëtare, pikërisht ashtu si ai përshkruante presidentin Barack Obama.

Trump ka emëruar John Bolton, një neo-konservator i mirëfilltë, si Këshilltarin e tij për Sigurinë Kombëtare. Boltoni, ashtu si dhe anëtarët e tjerë pro-luftë e anti-Iran të Këshillit për Sigurinë Kombëtare e kanë nxitur papushim angazhimin ushtarak të SHBA-ve. Para emërimit të tij, Bolton e ka mbështetur haptazi ndryshimin e regjimit në Teheran dhe qëndrimi i tij i ashpër ka armiqësuar shumë nga këshilltarët e tjerë të Trump si brenda ashtu edhe jashtë administratës, përfshi edhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo.

Bolton dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përgatitur një çështje kundër Teheranit, duke e akuzuar atë se ka ndihmuar Al Kaedën, duke përcaktuar një njësi të ushtrisë iraniane si organizatë terroriste, e duke pretenduar se Irani është pjesë e një kërcënimi terrorist kundër ambasadës amerikane në Bagdad të Irakut.

Kundërshtuesit e Boltonit pretendojnë se përpjekjet për të lidhur regjimin shiit të Iranit me sulmet terroriste të kryera nga grupet sunite është thjesht dezinformim. Madje edhe Mbretëria e Bashkuar, aleati më i afërt i Amerikës, po distancohet nga Shtëpia e Bardhë. Një gjeneral i lartë britanik i koalicionit, që po lufton ISIS-in, rishtas, deklaroi se në Irak apo Siri nuk ka kërcënim që buron nga Irani.

Në përpjekje për të përfshirë egon e Trumpit në mosmarrëveshjen me Teheranin, Bolton është fokusuar në kundërshtimin e supervizimit të kongresit të SHBA-së mbi shpalljen e luftës nga presidenti dhe beson në mbështetjen që do i japin anëtarët anti-Iran të senatit. Duke krijuar lidhje mes Al Kaedës dhe Iranit e duke e lançuar Iranin si një kërcënim terrorist ndaj Amerikës, presidenti ka arsye të mjaftueshme për t’i shpallur luftë Iranit pa miratimin e kongresit, sipas rezolutës të vitit 2001 për përdorimin e forcës, akoma në fuqi.

Rezoluta e vitit 2001 për përdorimin e forcës ushtarake i jep Shtëpisë së Bardhë të drejtën për ndërhyrje ushtarake kundër “kombeve, organizatave ose personave” që presidenti përcakton se kanë planifikuar, autorizuar, kryer ose ndihmuar sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, ose “kanë strehuar organizata ose persona të tillë, për të parandaluar çdo akt të ardhshëm të terrorizmit ndërkombëtar kundër SHBA-së”.

Në fushatën e saj të përshkallëzuar kundër Iranit, Shtëpia e Bardhë ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike kundrejt të ardhurave nga eksporti të Teheranit dhe është tërhequr nga marrëveshja që parandalon zhvillimin e armëve bërthamore nga ana e Iranit, me pretendimin se marrëveshja favorizon Teheranin. Qëndrimi i Trump gjithashtu inkurajohet nga Arabia Saudite, drejtuesit e së cilës kërkojnë të përdorin SHBA për të rritur dominimin në rajon. Lidhjet e ngushta financiare dhe personale të familjes Trump me monarkinë saudite janë të njohura. Për më tepër, Trump nxitet nga qeveria e djathtë e Izraelit, e cila sheh Iranin me sundim religjionist si një kërcënim ekzistencial për të.

Por, edhe pse lodrat e luftës po bien gjithnjë e më afër, raportohet se Trump është irrituar nga ideja se Bolton po drejton politikën e jashtme ndaj Iranit. E për ta ndryshuar këtë perceptim, Trump ka deklaruar se ai është i gatshëm të fillojë bisedime dypalëshe me Teheranin, ashtu siç ka bërë me Korenë e Veriut. Pavarësisht nga shpërthimi i tij për “mbarimin e Iranit” nëse ai kërcënon SHBA-në, Trump është i ndërgjegjshëm se një luftë me të mund të rezultojë edhe më e përgjakshme e më e gjatë sesa ajo në Irak, të cilën ai e ka kritikuar ashpërsisht.

Në fund të fundit, Irani është strategjikisht dhe demografikisht shteti më i rëndësishëm në Lindjen e Mesme. Një luftë me Iranin mund të kthehej shpejt në një shpërthim rajonal, ku do të përfshiheshin amerikanët, iranianët, arabët, turqit dhe rusët. Trump mund të tërhiqet në moment të fundit nga kjo luftë, pasi ai po kërkon të rizgjidhet president me premtimin se do ta mbajë Amerikën larg luftërave ndërkombëtare. Por duke pasur parasysh paparashikueshmërinë dhe paqëndrueshmërinë e Trump, ai edhe mund të fillojë një luftë pothuajse brenda natës.

Loading...