Ballina Bota Analiza Kriza evropiane e integrimit

Kriza evropiane e integrimit

Nga Ian Kershaw

Çfarë duhet të bëjë Bashkimi Evropian, në mënyrë që të përballet me morinë e problemeve të rënda që ka përpara? Disa propozojnë “më shumë Evropë”, që do të thotë një integrim më i thellë. Por shumë evropianë ngurrojnë ta ndërmarrin këtë rrugë, dhe Britania është gati të dalë jashtë unionit.

Sfidat me të cilat përballet kontinenti janë të rënda:shpërblimet bujare të globalizimit, janë shpërndarë në një mënyrë të pabarabartë dhe të padrejtë. Pra hendeku i të ardhurave është zgjeruar, suksesi ekonomik është bërë më i vështirë, dhe automatizimi e ka ndryshuar tregun e punës.

Njëra nga pasojat, është zbehja e përgjegjësisë kolektive për më të pambrojturit. Po kështu ka ndodhur edhe me ndjeshmëritë e përvojës, përgjegjësisë dhe pronësisë së përbashkët. Të gjitha këto ishin më të përhapura në dekadat menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur integrimi i Evropës ishte ende një ëndërr e brishtë.

Shtojini këtyre çështjeve migrimet e sotme masive, sulmet terroriste, përhapjen e dezinformatave përmes mediave sociale dhe sulmet kibernetike, të cilat ushqejnë ksenofobinë dhe nacionalizmin.

Dhe sigurisht edhe ndryshimin e klimës, dhe sjelljen përbuzëse të presidentit amerikan Donald Trump.

Në rast se ekziston një fije e përbashkët që i lidh të gjitha këto probleme, ajo është ndërveprimi i interesave dhe identiteteve kombëtare, me kërkesat e një kontinenti gjithnjë e më të integruar dhe një botë gjithnjë e më globale. Asnjë nga këto nuk e ishte e parashikueshme 7 dekada më pare, nga krijuesit e ëndrrës së ringjalljes së Evropës.

Edhe në ditët më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, një numër i vogël idealistësh, disa prej të cilëve ishin drejtues të lëvizjeve të rezistencës, menduan për një formë bashkimi të Evropës.

Ideja fitoi terren menjëherë pas luftës, dhe midis idealistëve ishte edhe Uinston Çërçilli.

Në një fjalim që mbajti në Zyrih të Zvicrës në vitin 1946, ai mbështeti unitetin në kontinentin e shkatërruar, duke apeluar për krijimin e “Shteteve të Bashkuara të Evropës” (edhe pse pa përfshirjen e Britanisë).

Flamuri i kësaj kauze u mor nga të tjerët në kontinent, si francezi Zhan Mone në vitet 1950.

Sot, trashëgimia e së kaluarës – shumica e kujtimeve të luftës, pushtimit dhe holokaustit – luan një rol vendimtar në formësimin e identiteteve kombëtare, në mënyra që nuk kanë ekuivalentet e tyre në Shtetet e Bashkuara.

Pra, Bashkimi Europian, ndoshta për një të ardhme të pacaktuar, do të duhet të mbetet një formë më e lirshme politike sesa SHBA, duke zhvilluar megjithatë një fuqi më të madhe kolektive dhe një shpejtësi në vendimmarrje, për t’u përballur me krizat emergjente dhe ato afatgjata.

Ndoshta, sikurse është sugjeruar shpesh, mund të marrë formë një Evropë me dy shpejtësi, ose me shumë shpejtësi, ose një BE e rrathëve koncentrike të niveleve të ndryshme të integrimit.

Megjithatë, një spekulim i arsyeshëm, është se të paktën gjatë dekadës së ardhshme, blloku, në thelbin e vet, do të ruajë një ngjashmëri shumë të madhe me pamjen e tij aktuale.

Presidenti francez Emanuel Makron priti në muajin mars në Paris, kancelaren gjermane Angela Merkel, përpara një takimi me presidentin e Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, në pallatin presidencial. Ndërsa unioni është aktualisht në një gjendje më pak se optimale, për t’u përballur me sfidat që kryesore që ka përpara, ekziston të paktën shpresa se Franca dhe Gjermania do të prodhojnë dinamizmin e nevojshëm, për të ndërmarrë reformat e mëdha strukturore.

Dhe largimi i menjëhershëm i Britanisë, duket se mund të ketë efektin e konsolidimit të Bashkimit Evropian, dhe përshpejtimin e reformimit të tij. Por në ç’mënyrë mund të reformohet BE-ja? Sistemi aktual, nuk është i përshtatshëm për një union që ecën me shpejtësi ose dinamizëm përpara.

Ai ishte projektuar të parandalonte dominimin e një fuqie të vetme. Tani Gjermania ka evoluar, nga qëndrimi në hije tek një pozicion udhëheqës, por në fakt po ngurron të udhëheqë. Vendet më të vogla, e shohin me dyshim dhënien e një pushteti të tillë Gjermanisë, dhe janë më tepër në favor të një ripërtëritje të mundshme të motorit franko-gjerman, që u vu në lëvizje në vitet 1960 nga Konrad Adenauer dhe Sharl De Gol, për të sinkronizuar rolet e vendeve të tyre në garantimin e udhëheqjes së kontinentit.

Këshilli Europian, i krijuar në vitin 1974, dhe i përbërë nga udhëheqës të vendeve anëtare, është sot institucioni më i fuqishëm i unionit, edhe pse tendencat centrifugale të tij, janë të kufizuara nga orientimet e centralizuara të Komisionit dhe Parlamentit Evropian. Vështirësitë e pajisjes së Bashkimin Evropian me mekanizmat e duhur për të përballuar sfidat që ka, shoqërohen me përmbushjen e kërkesave shpesh kontradiktore të 28 shteteve anëtare.

Nëse ndjenja e identitetit evropian, ka mbijetuar kryesisht si një ide dhe një aspiratë në vend të një realiteti, ajo ka fituar megjithatë formë dhe përmbajtje politike. “Evropa”, në sytë e shumicës së evropianëve, është bërë kryesisht një sinonim (pozitiv ose negativ) me Bashkimin Evropian. “Evropa” i dallon vendet e bllokut, si një bashkësi e ndërsjellë e kombeve të ndara nga të tjerët në kontinentin evropian – kryesisht Rusisë dhe ish-anëtarëve të Bashkimit Sovjetik.

Kjo “Evropë”, nuk është as “Evropa e atdheut” e favorizuar nga De Gol dhe të tjerët, dhe as subjekti mbikombëtar që kishte ndërmend Zhak Delor. Përkundrazi, ajo qëndron si një entitet unik diku në mes. Disa vazhdojnë të synojnë një “Evropë” gjithnjë e në zgjerim, të inkorporuar në një shtet federal evropian, si një e ardhme utopike.

Të tjerë, gjithnjë e më të shumtë, e shohin “Evropën” nga larg, madje me një lloje armiqësie, si një trup të huaj, që pengon sovranitetin e tyre si shtete kombëtare. Në dekadat e para pas luftës, nevoja për të parandaluar mundësinë e zhvillimit të një lufte tjetër, ishte ambicia qendrore e Komunitetit Evropian në zhvillim.

Por me kalimin e kohës, ky mesazh është zbehur në mënyrë të pashmangshme. Dhe kjo e ka lënë “Evropën” e Bashkimit Evropian, të duket në sytë e shumë qytetarëve të saj, pak a shumë si një organizatë okulte, dhe e distancuar që përfshin rregulla dhe rregullore, të cilat ndikojnë në jetën e shumicës së njerëzve, por që s’mund të sfidohen përmes angazhimit politik.

Kjo i hap rrugën politikës së lëvizjeve nacionaliste dhe separatiste. Në realitet, besnikëria kryesore emocionale nuk është ndaj “Evropës”, por akoma ajo e qytetarëve ndaj shtetit kombëtar apo një rajoni (apo që do të jetë shtet i pavarur kombëtar). Gjithsesi, përderisa unioni nuk ka qenë në gjendje të krijojë një ndjenjë të sinqertë të identitetit evropian, nacionalizmi i rrezikshëm agresiv dhe shovinist që prodhoi dy luftëra botërore zor se ekziston më, dhe se ajo çka ka mbetur është zbutur dhe kundërshtuar nga rritja graduale e bashkëpunimit dhe varësisë ndërnacionale.

Evropa ka ndryshuar jashtëzakonsht që nga Lufta e Dytë Botërore. Ajo është bërë një kontinent i demokracive (disa më shumë se sa të tjerët), dhe e shoqërive civile. Ushtria luan një rol të vogël në politikën e brendshme. Ajo ka mësuar të bashkëpunojë dhe negociojë, të mos përdorë forcën e armatosur, për të zgjidhur problemet.

Dhe në qendër të saj, si vendi i tij më i fuqishëm dhe me ndikim, është Gjermania paqësore internacionaliste – në një kontrast të madh dhe të imagjinueshëm me Gjermaninë që dhunonte të drejtat më elementare të njeriut në vitet 1930-1940, dhe që gati e shkatërroi qytetërimin evropian.

Evropa ka luftuar, dhe e ka fituar lirinë. Ajo ka fituar një prosperitet, të cilin e ka zili shumica së botës. Prandaj, ndoshta kërkimi iluziv për një identitet evropian është i panevojshëm, për sa kohë që shtetasit e kombeve individuale të Evropës, janë të përkushtuar të mbështesin parimet e përbashkëta evropiane të paqes, lirisë, demokracisë pluraliste dhe sundimit të ligjit; të mbështesin mirëqenien materiale që e mbështet këtë angazhim; dhe të përpiqen të forcojnë kudo që të jetë e mundur lidhjet e bashkëpunimit dhe miqësisë transnacionale.

Shënim: Ian Kershaw është një historian i njohur britanik. Libri i tij i fundit titullohet “Epoka globale”, prej nga ku është përshtatur kjo ese.

“The New York Times” – Bota.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews