Ballina Kronika ‘Kam lidhje me politikanë’, kush është sekseri 49- vjeçar që i mori...

‘Kam lidhje me politikanë’, kush është sekseri 49- vjeçar që i mori 10 mijë euro mësueses. Ajo tregon se…

SENAD NIKSHIQI/ Hiqej si person që kishte lidhje me politikanë, 49- vjeçari nga Librazhdi i zhvat 10 mijë euro mësueses nga Shkodra.

Bekim Alla i kishte premtuar një mësueseje nga qyteti i Shkodrës se, do të ndërhynte te persona pranë Zyrës Arsimore që ajo të merrte provimin e licencimit për mësuesi. Për këtë premtim ai i kishte marrë 6 mijë euro, ndërsa 4 mijë të tjera ia ka marrë duke i premtuar se do t’i mundësonte djalit të saj, bursë studimi jashtë vendit. Arrestimi i 49-vjeçarit u bë në finalizimin e operacionit “Premtimi”.

Qytetarja B.P mësohet se ia ka dhënë paratë sekserit nga Librazhdi në janar të vitit 2018. Pasi ka paguar paratë, asnjëra prej dy premtimeve të Bekim Allës nuk është realizuar. Përveç arrestimit të 49- vjeçarit, i cili tashmë akuzohet për mashtrim dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, Policia ka proceduar në gjendje të lirë shtetasin E.S., punonjës në fushën e arsimit.

Burime nga Policia bëjnë me dije se shtetasi E.S në këtë çështje ka pasur rolin e ndërmjetësit mes Bekim Allës, të ndaluar nga Policia dhe shtetases B.P që ka kërkuar të marrë licencën e mësuesisë si dhe t’i sigurojë të drejtën e studimit jashtë Shqipërisë djalit të saj. Shtetasi E.S dyshohet për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Personi me inicialet E.S është proceduar në gjendje të lirë për shkak se në këtë mes ka pasur vetëm rolin e ndërmjetësit, pra, ka njohur me njëri-tjetrin të ndaluarin Bekim Alla dhe personin e interesuar, shtetasen B.P., e cila po ashtu në gjendje të lirë për veprën penale “korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Tashmë, Policia dhe Prokuroria po hetojnë për ta zbardhur të plotë këtë çështje. “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik – Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar ‘Premtimi’, bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit: Bekim Alla 49 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale ‘Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Mashtrimi’, i dënuar dhe më parë për të njëjtat vepra penale.

Ky shtetas, në muajin janar 2018, dyshohet se i ka marrë nëpërmjet mashtrimit shtetases B.P, shumën prej 6000 eurosh për të marrë provimin e licencës së mësuesisë, si dhe shumën 4000 euro për të marrë një të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin e saj”, bëhet e ditur nga Policia.

Alla ka qenë edhe më përpara i dënuar për të njëjtat vepra penale, por edhe pasi është liruar ka vijuar sërish të njëjtin aktivitet si më përpara dhe një prej viktimave të mashtrimit, që dyshon Policia, është shtetasja B.P nga Shkodra, e cila ka dashur që të futet në sistemin e mësuesisë, por nuk ia ka dalë për shkak të mashtrimit nga 49-vjeçari nga Librazhdi. Në vitin 2015, Alla u arrestua me akuzën e mashtrimit, pasi paraqitej si administrator i një firme elektrike fiktive dhe punësonte shtetas të ndryshëm në qytetin e Elbasanit, por pa i paguar ata.

Dëshmia e mësueses

Mësuesja me inicialet B.P., e cila nuk arriti të futet në sistemin arsimor për shkak se u mashtrua nga Bekim Alla është ajo e cila ka dëshmuar në Policinë Vendore të Shkodrës të gjithë atë çfarë i ka ndodhur. Ajo ka treguar me detaje për Policinë të gjitha takimet dhe premtimet që i ka bërë 49-vjeçari, i cili, pasi i ka marrë paratë nuk ka bërë asgjë për të mbajtur premtimin.

Duke mos pasur rrugë tjetër, shtetasja B.P., i është drejtuar Policisë, duke rrëfyer të gjitha bisedat dhe se gjendej në vështirësi, pasi kishte dhënë 10 mijë euro, një shumë e konsiderueshme për një të papunë. Mësuesja ka treguar se si është njohur me mashtruesin në fjalë përmes punonjësit të arsimit, me inicialet E.S dhe se si ka rënë pre e këtij mashtrimi, duke i besuar sekserit nga Librazhdi, se ky i fundit do t’i siguronte provimin për licencën e mësuesisë si dhe të drejtën për të studiuar jashtë Shqipërisë për djalin e saj. Pas kësaj dëshmie të mësueses, Policia e Shkodrës dhe ajo e Librazhdit janë vënë në lëvizje, duke bërë të mundur ndalimin e mashtruesit të dyshuar Bekim Alla.

PANORAMA

@tn.lajmelokale
@tetovanews