Ballina Diaspora Flet Geri Ballo, shqiptarja e vetme në zgjedhjet evropiane në Itali

Flet Geri Ballo, shqiptarja e vetme në zgjedhjet evropiane në Itali

Gerarta Ballo, është një nga kandidatet që garon për zgjedhjet evropiane në jug të Italisë nën siglën e Partisë Demokratike. Ajo është në listën e Kolegjit Zgjedhor të Italisë së Jugut ku janë përfshirë rajonet si Kalabria, Abruzzo, Molise, Basilicata, Puglia e Campania. Geri Ballo tregon për emisionin “Dritare me Rudinën” në News24 se sfidat dhe momenti i vështirë në të cilin ndodhet Evropa e bënë që të pranojë kandidaturën. Përmes emisionit, Ballo ka ftuar të gjithë shqiptarët që kanë shtetësinë italiane që ta votojnë në zgjedhjet e 26 majit.

“Ne kemi shumë shqiptarë që janë kandidatë në zgjedhjet bashkiake, që zhvillohen më 26 maj. Paralelisht më 26 maj votohet në Itali edhe për Parlamentin Evropian. Përsa i përket zgjedhjeve për Parlamentin Evropian unë jam e vetmja italo-shqiptare që kandidoj dhe në fakt është rasti i parë. Unë kandidoj në jugun e Italisë, ku zona elektorale përbëhet, nga 6 rajone: Abruco, Bazilikata, Kalabria, Kampania, Milize dhe Puglia. Është një zonë vërtet shumë e gjerë që ka 14 milionë banorë, dhe aty është zona ime elektorale. Është zona ku ne kemi komunat arbëreshe. Unë kam punuar me komunat arbëreshe, diasporën e hershme dhe të re, të italo-shqiptarëve që ardhur në vitet ’90 dhe për këtë arsye jam lidhur shumë me jugun e Italisë. Unë fola në planin e rajoneve, por mund të flas në planin e qyteteve. Qytetet në të cilat mund të votohet për mua janë Peskara, Kozenca, Napoli, Bari, Brindisi, Leçe, pra janë qytete ku ka mjaft italo-shqiptarë. Ata që kanë shtetësinë italiane, mund të votojnë drejtpërdrejt, ata që nuk e kanë, mund të bindin miqtë e tyre, mund t’i flasin për mua, eksperiencën tonë, të italo-shqiptarëve. Është një moment i vështirë për Evropën në përgjithësi dhe me sfida të mëdha.

Kjo është një arsye shumë e fortë që mua më shtyu të pranoj kandidaturën. Jemi përballë disa forcave politike që janë sipas meje shumë të rrezikshme që propozojnë kthimin drejt nacionalizmit, mbyllje të shteteve të Bashkimit Evropian dhe ngritjen e mureve. Këto janë forca shumë të forta, që me populizmin e tyre kanë arritur, që një pjesë të opinionit publik ta bëjnë për vete dhe t’u thonë që duhet ta shkatërrojnë BE-në. Ndaj dhe unë mendoj që italo-shqiptarët duhet ta ndiejnë veten të thirrur, që të kontribuojnë që kjo të mos ndodhë. Në radhë të parë për vetë diasporën tonë që është shembulli, që vendet evropiane duhet të ndërtojnë ura dhe jo mure. Vetëm me takimin mes kulturave, mes historive, popujve, mund të evoluojmë dhe të shkojmë përpara. Por edhe për vendin tonë, edhe për Shqipërinë sepse, nga pikëpamja strategjike, nëse vendet e BE-së, mbyllen në vetvete dhe kthehen pas në procesin e integrimit, për vendin tonë nuk do të ketë një të ardhme, të procesit të integrimit. Dhe për shqiptarët e Italisë është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme që vendi ynë të përparojë në rrugën e integrimit, është një sfide që duhet të na bëjë të gjithëve që ta ndiejmë veten të thirrur, që të kontribuojmë”, tha Geri Ballo për emisionin “Dritare me Rudinën”.

Loading...