Ballina Bota Brexit, Juncker shuan shpresat: Nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes

Brexit, Juncker shuan shpresat: Nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes

Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker ka shuar shpresat e pasuesve të kryeministres britanike në lidhje me Brexit.

Ndryshe nga sa pretendojnë ata, Junker ka deklaruar se nuk do të ketë rinegocim të marrëveshjes së arritur me qeverinë e Theresa May.

Presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker ka deklaruar të martën se BE nuk do të rinegociojë marrëveshjen e Breksit të arritur me qeverinë britanike, por të hedhur tre herë poshtë nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar.

Reagimi i Junker ka ardhur pasi një numër kandidatësh që synojnë të zëvendësojnë kryeministren Theresa May kanë deklaruar se blloku europian duhet të rihapë procesin e negociatave.

“Do të kem një takim të shkurtër me Theresa May, por e kam bërë të qartë si kristali, nuk do të ketë rinegocim”, ka deklaruar Junker.

Ndërkohë, në Londër vazhdojnë debatet për mënyrën e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian. Sekretari i Jashtëm, Xheremi Hunt ka deklaruar se dalja pa një marrëveshje do të ishte një “vetëvrasje politike” për Britaninë.

Deklarata në fjalë e ka vendosur Hunt përballë shumë kandidatëve të tjerë që synojnë zëvendësimin e May, mes të cilëve ish-ministrin Boris Xhonson, që ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar duhet ta lërë Unionin pa një marrëveshje në fund të tetorit.

Edhe vetë Theresa May ka nënvizuar po të martën se, është më mirë për Britaninë që të largohet në mënyrë të rregullt, me një marrëveshje divorci.

@tn.lajmelokale
@tetovanews