Ballina Aktualitet Berberi demantoi dëshmitarin “E1”: Agim Ismailloviqi asnjëherë s’ka pasur mjekër të gjatë,...

Berberi demantoi dëshmitarin “E1”: Agim Ismailloviqi asnjëherë s’ka pasur mjekër të gjatë, apo si cjap (FOTO+VIDEO)

Muhamet Arifi, berberi i lagjes në të cilën jeton i akuzuari në rastin “Monstra”, Agim Ismailoviq, në seancën e sotme gjyqësore ka hedhur poshtë të dhënat që i ka deklaruar dëshmitari i koduar “E1”, në lidhje me atë se Ismailoviq ka pasur mjekër të gjatë, sikur cjapi, njofton Portalb.mk.

“Agimin e njoh prej në fëmijëri dhe asnjëherë s’e kam parë Agimin me mjekër të gjatë, por as në ndonjë formë tjetër, për shembull në stilin sikur cjap”, tha sot Arifi në seancë gjyqësore, duke rrëfyer se ai me këtë profesion merret 20 vite.

Dëshmia e berberit ka të bëjë në lidhje e deklaratën e dëshmitarit të koduar, i cili u cilësua si kontrovers nga Gjykata se gënjen dhe se është person i porositur për të montuar rastin.

Gjatë identifikimit të personave që pretendonte se i kishte parë, dëshmitari “E1”, ai Agim Ismailloviqin, e kishte ngatërruar me Almir Drplanin, duke theksuar se është tullac dhe ka mjekur në formë sikur të cjapit. Drplani është personi i cili në vitin 2016-të është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e policit “Alfa” në Fakultetit të Shkencave Natyrore në Shkup në vitin 2008.

Mbrojtja vazhdimisht e ka demantuar të njëjtën deklaratë, duke sjellë dëshmi të cilat janë në kundërshtim me atë që e ka thënë “E1”.

“Me deklaratën e sotme të dëshmitarët, edhe njëherë u vërtetua se Ismailloviqi asnjëherë nuk ka pasur mjekër të gjatë, apo në formë të cjapit, ashtu siç ka deklaruar dëshmitari i koduar “E1”, tha pasi mbaroi seanca avokati Asmir Alisahiç.

Dëshmitari Arifi, sot gjithashtu theksoi se prej të akuzuarve ka pasur rast ta shohë gjithashtu edhe të akuzuarin i cili tanimë është në arrati, Alil Demirin, megjithatë nuk ka pasur ndonjë bisedë.

“Për ngjarjen kam dëgjuar në TV. Prej të akuzuarve që ndodhen në sallë vetëm Agim Ismailoviqin e njof, pasi që ka qenë myshteri i rregullt i imi dhe kemi qenë komshinj. Asnjëherë s’kemi biseduar për ngjarjen. Gjithashtu, e njoh edhe të akuzuarin Alil Demiri, atë e kam parë në internet-kafenë që ka qenë në pronësi të Agim Ismailoviqit, por mesa e mbaj mend ka qenë edhe në dyqanin tim. Deri në momentin e arrestimit të Agim Ismailoviqit, as që e kemi ditur se për çfarë bëhet fjalë, pastaj morëm vesh”, tha dëshmitari Arifi.

Sot gjithashtu përpara të pranishmëve ka deklaruar, bujku nga fshati Luboten, Ramadan Murati, i cili në periudhën e krimit, e ka mbjellë me shalqi, tokën që ka qenë ngjitur me Liqenin e Smillkovës dhe e cila ka qenë në pronësi të të akuzuarit, Fejzi Aziri. Gjatë deklaratës së tij, dëshmitari Murati e ka demantuar deklaratën e dëshmitarit “E1”, i cili ka pohuar se 3-4 ditë përpara vrasjes, në vendin e krimit ka parë 4 persona me veturë Golf 3 të zi, me dritare të errëta, duke aluduar se ata kanë qenë të akuzuarit.

Ndryshe, gjatë seancës së sotme, pala mbrojtëse propozoi edhe 4 dëshmitarë të rinj, megjithatë të njëjtët do të dëgjohen pasi që të mbarojë procedura e dëshmive të vjetra, gjegjësisht kur të niset me nxjerrjen e dëshmive të reja.

Seanca e radhës është caktuar për më 5 qershor.

“Monstra”
Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovo”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu. Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë për Krime të Rënda në Maqedoni nuk mbajnë. Zyra e Besnik Berishës, avokati i dy shqiptarëve nga Shkupi, ka njoftuar asokohe se vendimi përfundimtar për pafajësinë e Ismailoviqit dhe Demirit është shqiptuar ditë më parë, pas përfundimit të dënimit me nga 2.5 vjet në burgun e Dubravës për armëmbajtje pa leje, përcjellë Portalb.mk.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

Nuk dihet nëse Prokuroria Speciale për rastin në fjalë disponon me materiale të përgjuara edhe pse në opinion shpesh është përfolur se ka përgjime të cilat dëshmojnë se personat që janë burgosur janë të pafajshëm. Të njëjtën gjë e ka thënë edhe kryeministri aktual, duke dëshmuar se vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës nuk e kanë bërë personat që janë vendosur prapa grilave.

@tn.lajmelokale
@tetovanews