Ballina Aktualitet BDI: Pendarovski ta rishqyrtojë vendimin për emërimin e Musliut për drejtor të...

BDI: Pendarovski ta rishqyrtojë vendimin për emërimin e Musliut për drejtor të Agjencisë për Zbulim

BDI-ja ka kërkuar nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski që përsëri ta shqyrtojë vendimin për emërimin e Eroll Musliut për njeri të parë të Agjencisë për Zbulim.

“Vendimi i djeshëm i presidentit Pendarovski për emërimin e drejtorit të Agjencisë për Zbulim na shqetësoi të gjithëve dhe hodhi hije në ditën e djeshme kur Kuvendi e solli reformën e shërbimeve të sigurisë. Informacionet tona se vendimi është i bazuar në informacione të pamjaftueshme dhe se nuk është me qëllim të keq, megjithatë qëndrim i BDI-së është se derisa nuk zbardhen deri në fund ngjarjet e Kumanovës, asnjë njeri i cili ishte pjesë e shërbimeve të atëhershme nuk duhet të jetë në krye të institucioneve të tilla të ndjeshme. Për këtë presim se në këtë periudhë presidenti do të mbledhë më shumë informacione dhe do të reflektojë në lidhje me vendimin e tij”, tha Bujar Osmani si zëdhënës i BDI-së në deklaratën për mediat pas paraqitjes në seminarin ndërkombëtar “SÇE, Qendra për trajnime dhe dimensioni i resurseve njerëzore”.

Një nga vendimet e para të presidentit Pendarovski pas marrjes së funksionit që ishte kumtuar dje nga kabineti i tij është emërimi i Eroll Musliut për drejtor të ri të Agjencisë për Zbulim. Musliu më herët kishte punuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, ndërsa në vitet e fundit në Agjencinë për Zbulim.

@tn.lajmelokale
@tetovanews