Ballina Aktualitet Lajme ZAEV DHE MICKOSKI DISKUTUAN PËR ÇËSHTJEN E SPECIALES (VIDEO)

ZAEV DHE MICKOSKI DISKUTUAN PËR ÇËSHTJEN E SPECIALES (VIDEO)

Në vend të grupeve punuese partiake të cilat u paralajmërua se do të takohen sot, mbrëmë janë takuar liderët e dy partive më të mëdha, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski, port ë shoqëruar nga ministrja e drejtësisë Renata Deskoska dhe avokati Toni Menkinovski, përfaqësues i VMRO-DPMNE-së. Burimet partiake të cilat njoftojnë për këtë takim thonë se liderët dhe shoqëruesit e tyre kanë shqyrtuar propozimin e fundit të tekstit për ligjin e prokurorisë me të cilin duhet të zgjidhet edhe fati i Prokurorisë Speciale Publike. Në takim është bërë përparim i vogël, ndërsa së shpejti pritet të zhvillohet edhe një takim për të shqyrtuar dallimet e ngelura. Nga Ministria e Drejtësisë kanë konfirmuar sot se mbrëmë është mbajtur ky takim, por nuk japin hollësi për pjesëmarrësit nga të dyja palët.

Ministria e Drejtësisë
“Duke pasur parasysh se dallimet mbeten, të dyja palët u pajtuan që konsultimet për ligjin të vazhdojnë. Edhe një herë potencojmë se të gjitha partitë politike duhet ti japin prioritet perspektivës evropiane të shtetit tonë, duke marrë parasysh rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare, të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe shtetit ligjor dhe të cilat janë kyçe për fillimin e bisedimeve me BE-në”

Nga kabineti i Deskoskës nuk kanë dhënë hollësi se cilat janë amendamentet dhe pikat të cilat i kanë pranuar nga pakoja e 65 amendamenteve të cilat i dorëzoi VMRO-DPMNE. Vetë kryeministri Zoran Zaev dje tha se janë pranuar amendamentet që kanë të bëjnë me transparencën dhe etikën e punës së prokurorëve, por mbeten dallimet për statusin e PSP-së, përdorimin e argumenteve dhe fatin e lëndëve të procesuara.

Për sa u takon dëshmive nga bisedat e përgjuara, pushteti propozon që për rastet e hapura pas mandatit 18 mujor, bombat të përdoren vetëm si indicje, por jo edhe si argumente, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon që këto raste të ndërpriten krejtësisht dhe aspak të mos procesohen. Partitë mbeten të ndara edhe për statusin e PSP-së, pasi ata në pushtet kërkojnë që Prokuroria Speciale të jetë e pavarur dhe me buxhet vetanak, ndërsa opozita propozon që PSP të jetë një repart në kuadër të prokurorisë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Arben Zeqiri /SHENJA/

@tn.lajmelokale
@tetovanews