Ballina Bota Turqi, opozita fiton edhe Stambollin, reagon partia e Erdogan

Turqi, opozita fiton edhe Stambollin, reagon partia e Erdogan

Koalicioni politik i udhëhequr nga presidenti Erdoan ka humbur edhe kontrollin e Stambollit. Në përfundim të numërimit të votave, fitorja i ka shkuar kandidatit të opozitës me një diferencë të ngushtë votash. Vetë partia e Erdogan ka deklaruar se do të apelojë rezultatin si për Stambollin edhe Ankaranë.

24 orë nga mbyllja e qendrave të votimit në Turqi ka përfunduar procesi i numërimit të votave, që i ka dhënë kandidatit të opozitës turke Ekrem Imamoglu’ Bashkinë e Stambollit. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga agjencia e lajmeve “Anadolu”, Imamoglu’ ka siguruar 48.79 për qind të votave, rreth 25 mijë vota më shumë se kandidati Binali Jildirim i koalicionit të presidentit Erdogan, që është ndalur në 48.51 për qind. Në këtë mënyrë partia Drejtësi dhe Zhvillim ka humbur kontrollin e metropolit që shtrihet në Bosfor pas çerekshekulli qeverisje, njësoj sikurse ndodhi më herët me Ankaranë.

Nisur nga diferenca e shkurtër e votave, AKP ka paralajmëruar se do të apelojë rezultatet për të dyja qytetet në Komisionin e Lartë Elektoral, pasi sipas saj për Stambollin janë rreth 320 mijë fletë votimi që duhen rinumëruar. Zgjedhjet për pushtetin lokal në Turqi u mbajtën në një kohë krize të rëndë ekonomike, që dyshohet të jetë edhe shkaku i disfatës politike të Erdoan. Edhe pse koalicioni i udhëhequr prej tij siguroi në tërësi 51 për qind të votave, humbja e dy qyteteve më të mëdha të vendit tregon pakënaqësinë e elektoratit ndaj qeverisjes së tij. Gjithashtu, opozita turke ka fituar edhe Adanën dhe Antalian, qendra të rëndësishme në bregun mesdhetar, duke ia hequr nga duart së djathtës islamike dhe nacionaliste. /abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews