Ballina Lajme Samiti në Berlin: Maqedonia po lufton për qershor, Merkel dhe Makron po...

Samiti në Berlin: Maqedonia po lufton për qershor, Merkel dhe Makron po shtyjnë për në shtator

Delegacioni i Maqedonisë, i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, po shkon në samitin në Berlin duke shpresuar se do të merr konfirmim të premtimit të vitit të kaluar për të marrë datë për fillim të negociatave me BE në qershor. Është pikëpyetje e madhe nëse ky premtim do të realizohet. Këtë herë problem nuk është vendi, por fqinjët dhe rajoni në tërësi. Pikë kyçe e bisedimeve në Berlin, ku nikoqirë joformal janë kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Makron, nuk është zgjerimi, por përpjekja për të vendosur në binare të reja negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës për statusin e Kosovës, raporton Dojçe Vele.

Problem për shpresat e Maqedonisë së Veriut për të marrë datë për fillim të negociatave në samitin e BE-së në qershor, është edhe Shqipëria, ku situata muajt e fundit u përshkallëzua në një krizë të thellë politike me fund të pasigurt, të paktën deri në zgjedhjet lokale të qershorit. Anëtarët kryesorë të BE-së janë të mendimit se është më mirë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të shkojnë në një “pako”, prandaj vlerësojnë se vendimi për të caktuar datë për fillim të negociatave duhet të shtyhet deri në shtator.

Ndarje ose shtyrje?

Autoritetet në Shkup, e thënë sa më butë, nuk janë shumë të ngazëllyer me një ide të tillë. Burime qeveritare thonë se ata s’kanë asgjë kundër që vendi të jetë në pako me Shqipërinë, në rrugën drejt BE-së, por konsiderojnë se nuk është e drejtë që disi të “dënohen” për shkak se Tirana po ngec.

Maqedonia e Veriut në pjesën më të madhe i ka realizuar reformat që kërkohen prej ne në katër sektorët kryesorë, tha një zyrtar duke insistuar të mbetet anonim. “Ajo që është kërkuar prej ne në pjesën e masave anti-korrupsion, reformën e shërbimeve të sigurisë, sundimin e ligjit dhe në gjyqësor dhe administratën shtetërore është përmbushur. Mbetet edhe Ligji për PSP”, thonë burime të qeverisë për DV. Përveç kësaj, thekson burimi i njëjtë, “ndryshe nga vendet tjera në rajon, tek ne reformat po bëhen në bashkëpunim me opozitën”.

Parisi zyrtar tashmë ka deklaruar se Makron në Berlin nuk e ka ndërmend të diskutojë për zgjerimin e BE-së, e as të vendosë për të përcaktuar datë për negociata për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Qeveria gjermane, të premten, përmes zëdhënësit të saj, tha shkurt se në takime “do të shkëmbehen mendime”.

Formati dhe agjenda e takimeve, e provokuan komisionarin e BE-së për zgjerim, Johanes Han, i cili nuk është i ftuar në samit, të premten të përkujtojë se “shtyrja e fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE”, mund të sjellë “pasoja dramatike” për tërë rajonin.

Kosova është në qendër të vëmendjes

Sipas planit, kancelarja Merkel së pari do të ketë takime të veçanta me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev dhe të Shqipërisë Edi Rama, pastaj është planifikuar që Zaev të takohet me Makron, ndërsa takimi i punës për të gjithë të ftuarit fillon në mbrëmje.

Pikërisht nga ata që janë ftuar mund të supozohet edhe fokusi i bisedimeve. Në Berlin vijnë delegacione nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Sllovenia dhe Kroacia, por Serbia dhe Kosova përfaqësohen me dy nivele të qeverisjes: edhe niveli i kryeministrave edhe i presidentëve. Ka kohë që Berlini haptazi i kundërshton planet për shkëmbim territoresh ose për korrigjim të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës si pjesë të zgjidhjes përfundimtare të kontestit mes këtyre dy shteteve. Samiti për Ballkanin Perëndimor në Berlin do të jetë përpjekja e parë e drejtpërdrejt, në nivelin më të lartë, për t’i dhënë fund bisedave të tilla dhe ato të orientohen në drejtim i cili do të çojë në njohje të ndërsjellë pa rreziqe për rajonin.

Si mbështetje për këtë flet edhe fakti se përfaqësues të niveleve të larta të Kabinetit të Kancelares Merkel, të MPJ-së gjermane dhe deputetë në Bundestag tashmë disa javë janë duke e vizituar Serbinë dhe Kosovën, duke e prekur pulsin dhe duke e përgatitur terrenin për samitin, por edhe për braktisjen e idesë për ndryshim të kufijve.

Loading...