Ballina Aktualitet Kosovë Samiti i Berlinit, Thaçi e Haradinaj shkojnë të ndarë në qëndrime përballë...

Samiti i Berlinit, Thaçi e Haradinaj shkojnë të ndarë në qëndrime përballë Serbisë

Dy udhëheqësit më të lartë të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë shfaqur pritshmëri dhe qëndrime të ndryshme mbi samitin e Berlinit, i cili është thirrur nga kancelarja Angela Merkel e presidenti francez Emmanuel Macron.

Thaçi dhe Haradinaj kanë dallime në lidhje me rifillimin e dialogut me Serbinë dhe tarifën prej 100 për qind të vendosur ndaj produkteve që importohen nga Serbia.

Presidenti Thaçi ka mbajtur një qëndrim më të hapur për heqjen e tarifës si mundësi për rifillimin e dialogut, ndërsa Haradinaj ka mbajtur një qëndrim të palëkundur për heqjen e tarifës kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Kam pasur shpresë që nuk do të kemi shpërputhje me presidentin, pra shpresoj që nuk do të kemi shpërputhje, por nuk ka ndonjë ndryshim në ato qëndrime që Qeveria e vendit i ka mbajtur në vazhdimësi,” ka thënë Haradinaj.

Për analisti Perparim Kryeziu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, mosdakordimi institucional mund të dëmtojë pozicionin e Kosovës në raport me pjesëmarrësit e këtij takimi dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Është gjithmonë e dëmshme kur liderët e institucioneve kryesore nuk kanë një përafrim të qëndrimeve, e sidomos këto dallime në mes të qëndrimeve shprehen në takime që kanë karakter ndërkombëtarë,” theksoi ai.

Sa i përket asaj se çka mund të pritet nga ky samit, Kryeziu thotë se mund të konfirmohet edhe një herë kundërshtimi ndaj idesë për ripërcaktimin e kufijve të Kosovës.

“Shprehja edhe një herë dhe konfirmimi edhe një herë i kundërshtimit ndaj idesë për ripërcaktimin e kufijve, qëndrim ky të cilin e ka pasur të qartë Gjermania prej kur kjo ide është vënë në pah,” ka thënë ai.

Ndërkohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha një ditë para samitit se ka pasur konsulta me partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Thaçi pret nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. “Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës,” ka shkruar presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se në këtë takim do të kërkojë edhe dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, në vitet 1998-1999.

@tn.lajmelokale
@tetovanews