Ballina Bota Analiza Saakashvili: Rusia mund të sulmojë shumë shpejt Finlandën ose Suedinë

Saakashvili: Rusia mund të sulmojë shumë shpejt Finlandën ose Suedinë

Nga Mikheil Saakashvili

Shumë vëzhgues nuk do ta konsideronin rrugën më të ftohtë të anijeve në botë, si një vatër të nxehtë gjeopolitike. Por situata mund të ndryshojë. Javën e kaluar, u raportua se Kremlini do t’u kërkojë të gjitha anijeve ndërkombëtare, të njoftojnë 45 ditë përpara se të hyjnë në Rrugën e Detit të Veriut, e cila lidh Oqeanin Atlantik dhe atë Paqësor, nëpërmjet ujërave të Arktikut në veri të Siberisë.

Ndërkohë çdo anijeje që ndërmerr atë rrugë, ku Rusia ka investuar shumë në infrastrukturën e sofistikuar ushtarake, do t’i kërkohet të ketë një pilot rus në bord. Anijet që shkelin këto kufizime, mund të ndalen me forcë, të sekuestrohen, ose në rrethana “të papërcaktuara” “ekstreme” të “eliminohen”.

Kërcënimi më i fundit i Kremlinit, ka kaluar kryesisht pa u vënë re, ndoshta pasi nuk është diçka e habitshme. Zyrtarët ruse, i justifikojnë kufizimet e reja detare me një shpjegim të njohur, duke pretenduar se “operacionet më aktive detare në Arktik nga ana e vendeve të ndryshme të huaja”, e imponojnë një reagim të tillë.

Kjo është e njëjta taktikë që presidenti rus Vladimir Putin, ka përdorur për vite me rradhë për të justifikuar aventurat e tij ushtarake:Nga Gjeorgjia në vitin 2008, në Ukrainë më 2014-ën, tek Siria në vitin 2015, Putin e ka shfajësuar gjithmonë agresionin rus me sjelljen e Perëndimit. Mediat e mbështetura nga Kremlini, e përforcojnë këtë mesazh, duke përmbytur audiencat e tyre me lajmet e vazhdueshme për “rrethimin e NATO-s”, si dhe duke vënë në dukje reagimin e ashpër të Perëndimit ndaj veprimeve të Putinit, si dëshmi të “Rusofobisë’.

Shumëkush pyet se çfarë fiton Putini nga një narrativë e tillë. Duke shkelur normat ndërkombëtare, ai e ka izoluar vendin e tij. Sanksionet amerikane dhe evropiane, e kanë goditur seriozisht ekonominë tashmë të mjerë të Rusisë, duke ngritur pikëpyetjen se pse Putini kërkon të paguajë një çmim kaq të lartë, për të marrë territore me tepër.

Ata që përpiqen t’i përgjigjen kësaj pyetjeje, harrojnë diçka thelbësore. Në Krime, në lindje të Ukrainës, në Osetinë e Jugut, apo në ndonjë vend tjetër, Putini e konsideron si oborrin e Rusisë, dhe përfitimi territorial nuk ka qenë kurrë një synim në vetvete. Synimi i Putinit sot, është i njëjtë me atë kur pushtoi vendin tim në vitin 2008: të forcojë pozitat e pushtetit të tij në Rusi.

Sa herë që bie popullariteti i Putinit, ai ose përshkallëzon një konflikt tashmë ekzistues, ose nis një ofensivë të re.

Dhe kjo qartazi ka funksionuar. Putini ka sunduar vendin më të madh në botë për gati 2 dekada, duke e konsoliduar më shumë kontrollin ndaj pushtetit, sa herë që ka një krizë. Votuesit e zakonshëm rusë, mund të përpëliqen për mbijetesë me pensionet prej 200 dollarësh çdo muaj, por baza elektorale e Putinit, është krenare se jeton në një shtet që është një superfuqi.

Putini është po ashtu i parashikueshëm dhe logjik: Pushtimi i një fqinji të dobët, rrit më shpejt mbështetjen sesa për shembull, përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Nuk është rastësi që popullariteti i Putinit arriti kulmin në vitin 2015, pas aneksimit të Krimesë. Më vonë gjatë atij vit, ndërsa ekonomia ruse u zhyt në krizë, ndërhyrja në Siri shërbeu për të mbështetur patriotizmin.

Dobësia e normave ndërkombëtare të rendit liberal, të cilat shumëkush në Uashington dhe Bruksel i miraton, por pak guxojnë t’i mbrojnë, e bën Moskën të duket gjithnjë e më e fortë. Por statuskuoja në Rusi, nuk mund të rezistojë për shumë kohë. Nëse kemi mësuar diçka nga dy dekadat e fundit, ajo është që një krizë e re është në horizont.

Sipas një sondazhi të datës 7 mars nga Qendra Ruse e Sondazheve të Opinionit publik, besimi i votuesve rusë ndaj Putinit ka rënë në vetëm 32 përqind, niveli më i ulët që nga viti 2006. Ndaj ai i ka përshkallëzuar provokimet në muajt e fundit. Në nëntorin e vitit të shkuar, forcat ruse sulmuan dhe sekuestruan 3 anije ukrainase, që po përpiqeshin të kalonin përmes ngushticës Kerç, në Detin e Azov.

Kanë kaluar më shumë se 100 ditë, dhe protestat nga bashkësia ndërkombëtare janë zbehur prej kohësh. Të 24 marinarët ukrainas që u arrestuan gjatë atij incidenti, mbeten ende në paraburgim. Por, shkeljet e Putinit ndaj ligjeve dhe normave në “oborrin e shtëpisë” së Rusisë, nuk duket se e trondisin botën.

Ai i ka reduktuar tashmë me forcë kufijtë e Evropës. Tani, për të provokuar zemërimin e Perëndimit, ai do të duhet të bëjë diçka edhe më të madhe. Nuk është çështje nëse ai do të sulmojë, por se ku do ta bëjë këtë. Disa flasin për Bjellorusinë, por Putini do të fitonte pak në një shfaqje force ndaj një vendi, të cilin shumica e rusëve e konsiderojnë tashmë një pjesë integrale të Rusisë.

Të tjerë parashikojnë, se shenjestra e ardhshme do të jenë kombet balltike të Estonisë, Letonisë ose Lituanisë. Putin i sheh me siguri vendet e vogla balltike si një kërcënim. Tek e fundit, ato janë demokraci funksionale në kufirin rus. Por, tani për tani, balltikët janë ndoshta të sigurt, për dy arsye.

Së pari, preja e ardhshme e agresionit rus, nuk ka të ngjarë të jetë një aleate e NATO-s. Reagimet e dobëta të Perëndimit ndaj aneksimeve të ndryshme territoriale të Moskës, vetëm sa e kanë inkurajuar Putinin, por ai nuk është mjaft i guximshëm, që të rrezikojë të provokojë thirrjen e Nenit 5 të NATO-s, që mund të çonte në një luftën konvencionale, kundër një aleance të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Së dyti, aventura e ardhshme e Putinit, ka të ngjarë të jetë jashtë hapësirës së ish-Bashkimit Sovjetik. Perëndimi i ka pranuar me padurim, ambiciet e tij neo-imperialiste në rajon. Unë parashikoj që objektivi më i mundshëm i Rusisë në të ardhmen e afërt është Finlanda ose Suedia; që edhe pse janë që të dyja anëtare të BE-së, nuk janë anëtare të NATO-s.

Unë nuk pres që tanket ruse të futen në Helsinki ose në Stokholm, pa asnjë rezistencë. Por do të ishte relativisht e thjeshtë, që Moska të aneksonte një pjesë territorit, në një enklavë të largët të Arktikut, ose në një ishull të vogël si Gotland në Suedi, duke marrë parasysh aftësitë strategjike, që Rusia ka ndërtuar në anën e saj veriore.

Disa vjet më parë pushtimi i Gjeorgjisë nga Rusia, pavarësisht nga paralajmërimet e mia, e kapi edhe botën në befasi. Ish-shtetet sovjetike, edhe nëse janë anëtare të NATO-s si Estonia, perceptohen gjerësisht si jo shumë perëndimore. Ky perceptim mund të jetë i pasaktë, por në politikë, perceptimi shpesh ka më shumë rëndësi se sa realiteti.

Për Finlandën dhe Suedinë, perceptimi dhe realiteti janë të përafërta. Ato nuk janë ish-republika sovjetike; ato janë padyshim pjesë e Perëndimit. Nga Gjeorgjia në Ukrainë, Siri dhe më gjerë, trajektorja e Putinit ka qenë e qartë. Duke sfiduar normat e vendosura nga Perëndimi, ai sipas mendimit të tij, ka ndërmarrë hapa progresivisht më të mëdha drejt emancipimit të vetvetes.

Por ai do të arrijë një emancipim të plotë, vetëm duke u përballur drejtpërdrejti me Perëndimin. Kjo mund të tingëllojë tronditëse, por Putini e ka shokuar shumë here botën. Perëndimi nuk ka luksin që të zmbrapset sërish.

Shënim: Mikheil Saakashvili, është lektor në Fakultetin Juridik dhe Diplomacisë në Universitetin Tafts në SHBA. Ai ka qenë president i Gjeorgjisë në vitet 2004- 2013./“Foreign Policy” – Bota.al/