Ballina Kultura Rrëfehet Mimoza Ahmeti: Kush ishte Jusuf Vrioni, dashuria me Ramën, Ornela Vorpsi...

Rrëfehet Mimoza Ahmeti: Kush ishte Jusuf Vrioni, dashuria me Ramën, Ornela Vorpsi dhe Fatos Lubonja!

Nga Mimoza Ahmeti

As unë nuk e dija deri atë mëngjes kur ra telefoni: “Jam unë, tha ai, sot më 11°° te Lidhja e Shkrimtarëve.” Kishte fytyrën e habisë natyrale dhe sytë e tij ishin dy flegra pas të cilave montohej në distancë inteligjenca, trupi i tij i mëndafshtë i pështjellë me një kostum në filenë e të cilit gëzohej një trekëndësh shamie.

Dridhesha, si para një violonçeli të akorduar që nuk dija si prekej. Ai me siguri e vuri re këtë dhe: “A e dini përse ju kam kërkuar?”

“Po!”, i thashë, pa ditur kurrgjë, “Kishit ndier që doja të njihja një njeri sëre, diçka si puna juaj, d.m.th vetë ju, gjë që e kisha shtyrë gjithmonë për më tej pasi nuk po ndodhte. Jeni e çuditshme”, ia bëri ai.

Pastaj sikur të kish zbritur një vranësirë pranë i erdhi kujtesa:

“Vija nga Milano më 1944. Disa ditë vakancë në vendin tim… Kush mund ta mendonte se anglo-amerikanët do të na linin ashtu… Ishte më e besueshme të mendohej se Toka do të rrotullohej në të kundërt. Më futën brenda, 12 vjet, para meje, ç’varrosën tim atë dhe ia hoqën kufomës dhëmbët e florinjtë, i hodhën eshtrat e tij…

Në qeli flija me gjoks, pasi më shpinë lagështira të bën tuberkuloz.

2 / 8

Çfarë dinte për mua Jusuf Vrioni?

“Më thoni”, tha ai, “a keni bërë dashuri me Edi Ramën?” Kjo ishte një pyetje hapsaqe, nuk mund të them budallaqe, që Jusufi e hodhi si zar në mes të bisedës sonë. “Nuk po ju kuptoj”, pëshpërita. “Asgjë”, buzëqeshi ai, “si të doni!”

“Jemi puthur pa pështymë. Kaq!”, iu përgjigja.

“Pa pështymë- Ho, ho, ho”, qeshi ai lehtësisht sikur diku në një trup tjetër zemrën e tij e grithnin me gjilpëra.

“E çuditshme, jeni e çuditshme!” Por ndieja se ai nuk qe aspak i çuditur deri në lëvizjen e dorës që shtynte limitin dhe pashë se çuditej pse nuk çuditej fare.

“Thomëni”, ia bëri ai, “do të bënit dashuri me mua?”

(Ishte e treta herë që takoheshim, këtë herë në shtëpi)

“Nuk mundem, nuk kam aftësi.”

“Thomëni që nuk ju pëlqej.”

“Përkundrazi” i thashë, “por s’kam predispozitë.”

“Si të doni.”

Dhe filloi të tregojë për një Princ të Anglisë: “E dini si bënte dashuri ky princ me të dashurën e tij? Në dy shtretër përballë, lakuriq, të dy, vetëm shiheshin. Do t’ju pëlqente një dashuri e tillë me mua?”

“Ky kuriozitet më bën të shkoj”, thashë dhe u çova.

3 / 8

“Epo mirë. Si të doni!”

Çudi, e ndieja se Jusuf s’më kish për shije, psherëtinte për femër dhe ja s’i vinte aspak rëndësi refuzimit tim, ndaheshim si miq, takoheshim me mall. Një lloj emocioni që mua më tensiononte disi ndërsa atë veçse e hidhte në harrimësi zhvillimesh, ku dëgjimi im nuk kish fort rëndësi për të.

Ç’ishte jeta për Jusuf Vrionin?

“Kur dola nga burgu kisha një fizik të përsosur, ja fotografia, falë stërvitjes së vazhdueshme të një vullneti për liri. Isha në plazh me gruan dhe me dy miq të familjes. Notoja, shkoja larg, ata më shikonin, sa larg shkon Jusuf Vrioni thoshin dhe prapë, për së dyti, hyra në det, luanin karta ata në çadër, shkova shumë larg, aq sa munda, u ktheva. Në breg një e rrahur zemre e fortë, e pashë se do të vdisja. U shtriva. Çfarë perëndimi…

Nuk mund të gjej ditë më të bukur për të ikur nga kjo botë, mendova. Desha të vdes, me gjithë shpirt! Ishte një ditë e mrekullueshme për të vdekur, më kuptoni, ju ka qëlluar ndonjëherë? Por nga çadra erdhi njëri nga miqtë e mi. “Pije këtë kokërr, Jusuf!” Refuzova me dorë. “Duhet ta pish, ndryshe familjen tënde dhe ne do të na internojnë, sepse ti refuzove mjekimin dhe kjo është shfaqje e huaj.”

4 / 8

E piva. Gëzohem, i thashë, tani jemi bashkë dhe keni një lëkurë më të butë se mëndafshi.

“O sa e mirë jeni”, tha ai për mua dhe unë kujtova se tha për lëkurën e vet.

Ku jetonte Jusuf Vrioni?

Jetonte në vilë, tani të gjithën, dikur vetëm katin përdhesë si i deklasuar që ishte. Kishte edhe një tjetër vilë që ia banonte një anëtarë i Byrosë Politike dhe një tjetër në Paris të tjetërsuar po ashtu dhe shumë prona të pamata, të pushtuara të cilat s’i mori kurrë pasi, siç tha:

“Nuk kam ndërmend të rri pas dyerve!”

Vitet e fundit i kaloi në Paris, e mora në telefon një ndër herët, por e shoqja:

“Doni Jusuf Vrionin?

Po, dua Jusuf Vrionin.

Kush jeni ju?

Jam Mimoza Ahmeti, si gjithmonë.

Nuk e dini se Jusuf Vrioni është i martuar?

Po edhe unë jam e martuar

D.m.th ju pëlqen Jusuf Vrioni?

Sigurisht që më pëlqen Jusuf Vrioni!

Ashtu?

Po, kështu !

Bram. (u mbyll telefoni)

5 / 8

Kush ishte Jusuf Vrioni?

Jusuf Vrioni është një matuf sklerotik më pat thënë Edi Rama. Aman, Jusuf Vrioni ashtu bën për të. Gjitha femrat, më pat thënë Ornela Vorpsi. Shërbëtor dhe servil regjimi, më pat thënë për të Aurel Plasari. E dija që nuk qe kështu, por një gjen bastard midis gjenesh gjeniale qeshte te të gjithë miqtë e mi. Jusuf Vrioni ishte perri njerëzore dhe nuk e kishte këtë gjen që ndoshta përfundimisht ndan sërën nga vulgu. Ishte e fundit specie e tillë edhe për ne në Francë tha Claude Arnaud, një shkrimtar provokativ nga Parisi, në atë kohë homo, fytyra e të cilit ishte abstraksion i gjallë i intelektit:

Ishim në veturë të dy, me Jusuf Vrionin dhe ndalova, pasi përpiqte këmbët, qante dhe thoshte: Kam jetuar shumë, o sa e padurueshme të jetosh kaq gjatë! Doja ta qetësoja, por ishte e pamundur… Jusuf Vrioni ishte i një elegance të rrallë! Vuante nga një egoizëm i shfrenuar tha Ismail Kadare, padroni i tij, sikur i vinte inat që po jetonte! Duhet të gëzohesh, i thosha, në vendin tënd njerëzit gëzohen të jetojnë kaq gjatë… Po ç’jetë është kjo pa rini, pa para dhe pa femra?

6 / 8

“Ҫ’Paris është ky?”- më sulej mua. E tillë është jeta tani edhe për të rinjtë e Parisit, Ti njeh Parisin e paraluftës, por ky i konsumizmit është ndryshe. Mos kërko gjëra që nuk janë më!-

Më shpjegonte Ismail Kadare me mllefin e atij që ka humbur mjeshtrin. Ishte telefonata e fundit në kohë elektorale: Mora vesh se po hyni në politikë lodroi zëri i tij, e bëni ju, e bëni, nuk ka gjë që s’bëni.

Në të vërtetë:

“Edhe këtë e bëtë?”,- më dukej sikur tha, dhe unë që doja t’i thosha se ishte thjesht një trill tragjik imi, për të parë nga gryka e një pusi të zi dhe se…

Por një dardhë e pangrënë më bllokoi fytin dhe një memecëri u përhap në qenien time… Pak ditë më pas shoh në ekran se ka vdekur. “E zhgënjeva!”, ishte mendimi i parë, nuk priti më tutje, një i velur që s’i hahet më.

Do ta konceptoj më vonë se ka vdekur. Dhe fika ekranin me gjakftohtësi.

7 / 8

Punë e madhe se vdiq Jusuf Vrioni, më ke mua, tha Ornela Vorpsi, e cila tani nuk ngre as telefonin. Shëtisja vetëm trotuarit, me një fustan ruzhë idol, e pata veshur një herë për Jusuf Vrionin… Frynte. Frynte një zbrazëtirë e pashpjegueshme në gjithë kryeqytetin. Një zbrazëtirë moti e përzier me zbrazëtirë politike, si një eros i vdekur.

“Ç’më bëre, Jusuf Vrioni!”- thirra befas. “Si vdiqe pa më marrë leje?”

Kindat e fustanit i tërhiqte zbrazëtia dhe flokët një vetmi e pashpresë dhe krejt e ndjeva veten vejushë midis gjithësisë së ve. Ishte diku një foto e jona në duart e një reporteri, një foto e bërë në ballë të Notre Dame de Paris. Unë zbathur, sandalet e mia pak më tutje.

Kështu ishim baras të gjatë. “O sa e mirë jeni!”- ia pat bërë ai për gjestin tim, ndërsa mua më dëgjohej: “O sa e mirë që jeni ju o qenia ime, Jusuf Vrioni, ti je vërtet Nobel.”

Kishte në këtë dëgjim diçka të përafërt me prezencën time që i nevojitej për të rënë në zhvillime harrimësie- dhe asgjë më shumë! Rast i veçantë:

Isha në Romë kur ia citova Fatos Lubonjës këtë poemë.

8 / 8

Vërtet, ç’i pëlqeje, Jusuf Vrionit?- ia bëri ai, “atë e tërhiqte edhe Ҫashku për hunde.”

“Po, ti, përse ma thua tani, pikërisht, këtë?”

“Vëmë dhe mua në listën e atyre miqve…”,- tha duke qeshur mes çiltërsisë dhe djallëzisë.

“Të lutem, përsëriti, mos harro!

*Koncept për një transplantor kulturash që iku pa më marrë leje!

Dritare.net