Ballina Aktualitet Lajme Reka në Dibër thotë se ka ardhur koha për një president shqiptar...

Reka në Dibër thotë se ka ardhur koha për një president shqiptar në Maqedoni (VIDEO+FOTO)

Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, ka vazhduar fushatën e tij në qytetin e Dibrës​, ku u takua me qytetarë.

Ai, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, ka thënë se ka ardhur koha për një president shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Dibra saktësisht e di se çfarë është eksodi. Ju jeni përgjigja më e mirë për ata që thanë se nuk është koha për president shqiptar. Ju sonte demantuat thënien se ‘nuk ka ardh kjo kohë’. Nëse ne vazhdojmë të presim, atëherë vendi ynë do të zbrazët. Ju jeni pjesa më inteligjente e kombit shqiptar”, ka thënë ai.

I pranishëm në takim ishte edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni, Ziadin Sela, i cili tha se në Maqedoninë e Veriut nuk është krijuar pushtet i barabartë dhe se shqiptarët jetojnë në sistem monist, transmeton Koha.net.

“Pushtetarët kanë frikë? Përse? Sepse personaliteti i Blerim Rekës është i pastër dhe meriton fitoren. Thonë se kemi shoqëri të përbashkët por emërtimet e shkollave, rrugëve dhe institucioneve nuk janë në gjuhën shqipe. Nuk kanë krijuar pushtet të barabartë, shqiptarët jetojnë në sistem monist, maqedonasit në pushtet iu ndihmojnë shqiptarëve servilë që të mos mendojnë me kokën e tyre por të vazhdojnë të jenë servil”, tha Sela.

Ndërkaq kreu i Lëvizjes Besa në Maqedoni, Bilall Kasami, ka thënë se me fitoren e Rekës, do të ndryshohet historia e Maqedonisë së Veriut.

“Ne së bashku po ndryshojmë historinë, hajde së bashku të fitojmë me Blerim Rekën. Me 21 prill, Dibra, që i ka dhënë shumë shqiptarisë, do të dijë të votojë për shqiptarët dhe Blerim Rekën”, është shprehur ai.

@tn.lajmelokale
@tetovanews